Nga Boldnews.al
Dy familjarë të deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, njëri direkt dhe tjetri indirekt, u rezultojnë emrat në dy ngjarje të rënda, të ndodhura gjatë ditëve të fundit.
I afërmi i deputetit, Redjan Rraja, u arrestua si një prej atentatorëvë të plagosjes së prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, të shoferit të tij, Andi Maloku dhe shtetasin Pëllumb Muharremi (Landi Muharremi).
Ndërsa vëllai i deputetit, Xhelal Rraja, është drejtor i filialit të Postës Shqiptare, Krujë, në të cilën u vodhën rreth 120 milionë lekë të vjetra (rreth 100 mijë euro), mëngjesin e kësaj të Hëne. Për këtë ngjarje, deri më tani, është arrestuar vetëm roja privat i godinës, i cili nuk ka njoftuar Policinë në kohë për grabitjen.
Atentatori
Në bazë të veprimeve të drejtuara nga Prokuroria për Krime të Rënda, grupi hetimor ka identifikuar Redjan Rrajën si person të dyshuar si të përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Ndoja, pasditen e së Premtes, në mbikalimin e Shkozetit, në Durrës.
Në bazë të të dhënave paraprake, mësohet se Rraja është identifikuar nga gjurmët e ADN-së, të mbetura në makinën që dyshohet se është përdorur nga atentatorët.
Redjan Rraja është një personazh me aktivitet penal të mëparshëm. Ai u shoqëruar fillimisht paraditen e së Hënës në ambjentet e Drejtorisë së Durrësit, ku u mor në pyetje nga grupi hetimor i Krimeve të Rënda.
Në vijim të veprimeve proceduriale, ndaj Redjan Rrajës u lëshua urdhër-arresti, si i dyshuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë.
Drejtori i Postës
Një tjetër ngjarje e rëndë, e cila përfshin në mënyrë indirekte Rrajat, është vjedhja e ndodhur mëngjesin e së Hënës në filialin e Postës së Krujës. Kjo strukturë drejtohet nga Xhelal Rraja, vëllai i deputetit socialist, Rrahman Rraja.
Grupi hetimor i Prokurorisë së Krujës, që po heton vjedhjen, ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi mënyrën e realizimit të vjedhjes.
Grabitja e rreth 100 mijë eurove (120 milionë lekë) ka ndodhur herët në mëngjes, para se të niste orari zyrtar. Ky detaj krijon dyshimet se grabitësit kanë pasur informacion nga brenda për shumën e parave që gjendet në kasafortë.
Nga ana tjetër, hetuesit kanë ngritur pikëpyetjen se përse në një filial lokal si ai i Krujës, gjendeshin në kasafortë një shumë aq e madhe.
Burime zyrtare policore njoftuan se shuma e grabitur ishin para që do t’u shpërndaheshin pensionistëve.
Edhe ky detaj sjell dyshime të reja për arsyen se përse gjendej ajo shumë e madhe parash në kasafortën e filialit.
Degët e Sigurimeve Shoqërore arkëtojnë në llogaritë e filialeve të Postës Shqiptare në rrethe paratë për pensionet, një herë ose, maksimumi, dy herë në muaj.
Filialet e Posta Shqiptare, në bazë të një Rregulloreje të Brendshme, janë të detyruara të tërheqin çdo ditë një shumë të limituar parash, aq sa për të paguar pensionet e pensionistëve që kanë datën e tërheqjes së pagesës mujore.
Në filiale të vogla, siç është ai i Krujës, llogaritet, se, në një ditë, mund të tërheqin pensionin maksimumi 30-40 pensionistë. Pra, gjendja e parave për të paguar pensionistët, si rregull, duhet të ishte shumë herë më e vogël se sa ajo që është gjendur në kasafortë, në momentin e grabitjes.
Për më tepër, hetuesit vijojnë me dyshimet e tyre, duke marrë në konsideratë edhe kohën se kur është kryer grabitja-e Hënë në mëngjes, pa nisur orari zyrtar. Ky detaj krijon dyshimet se shuma e madhe e parave ka qëndruar në kasafortën e filialit, në mënyrë tërësisht të parregullt, përgjatë gjithë fundjavës.
Prokuroria e Krujës po vijon hetimet, për të konstatuar nëse në këtë grabitje ka pasur bashkëpunëtorë të brendshëm.