Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” katër personalitete të futbollit shqiptar, Ilias Çeço, Faruk Sejdini, Skënder Gega dhe Gani Merja (pas vdekjes).
Në ceremoninë solemne të zhvilluar në ambientet e Institucionit të Kreut të Shtetit, Presidenti Meta i dorëzoi Ilias Çeços titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e futbollit, si dirigjent i shquar i ekipit ‘Dinamo’ dhe atij Kombëtar, një sportist model me rezultate të shkëlqyera”.
Ish-futbollisti dhe ish-trajneri Faruk Sejdini u nderua me të njëjtin titull me motivacionin: “Për kontributin e tij në zhvillimin e sportit, si një nga futbollistët më të shquar të ekipit ‘Dinamo’ dhe atij Kombëtar; mbrojtës i pakalueshëm dhe një ndër më të mirët e futbollit shqiptar; me rezultate të larta si trajner e drejtues”.
Me titullin “Mjeshtër i Madh” u nderua edhe ish-kapiteni i Kombëtares dhe “Partizanit” të viteve ‘90, Skënder Gega me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin dhe kontributin si futbollist i shquar i ekipit ‘Partizani’ dhe atij Kombëtar, i dalluar për aftësitë e tij si trajner i rezultateve të larta, sportist model dhe shembull frymëzimi për futbollistët e rinj”.
Gjithashtu, në këtë ceremoni u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh” edhe një emër i famshëm i Kombëtares dhe Partizanit, Gani Merja (pas vdekjes) me motivacionin” “Për cilësinë e jashtëzakonshme si futbollist, me një kontribut të spikatur në historinë e ekipit ‘Partizani’ dhe atij Kombëtar. I përsosur në fushën e futbollit dhe i veçantë në lojën e tij.”
Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve familjarët dhe të afërmit e katër prej ikonave të futbollit shqiptar, kolegëve, trajnerëve dhe personaliteteve të sportit, Presidenti i Republikës theksoi:
“Nderimi i katër personaliteteve që gjithë jetën e tyre ia kanë përkushtuar këtij sporti kaq popullor si futbolli, është padyshim një moment i veçantë.
Secili prej tyre meritonte një ceremoni të veçantë, por edhe pse kanë profile të ndryshme në fushën e blertë dhe përfaqësojnë modele të ndryshme të lojës, ajo që i bashkon është dashuria për sportin, shpirti i ekipit dhe mbi të gjitha pasioni dhe krenaria për të dhënë më të mirën për Shqipërinë, për fanellën e ekipit Kombëtar, dhe njëkohësisht për të frymëzuar gjeneratat e reja për të vendosur gjithmonë pasionin, përkushtimin, krenarinë dhe profesionalizmin në plan të parë për të arritur suksesin që ëndërrojnë.
Ndaj dua të shpreh edhe një herë tjetër kënaqësinë më të madhe që të vlerësojmë sot së bashku “dirigjentin” e madh të viteve ‘60-‘70 të Dinamos dhe të Kombëtares sonë të futbollit shqiptar, Ilias Çeço.
Mbrojtësin e jashtëzakonshëm, taktik, modern dhe inteligjent të Dinamos dhe të Kombëtares sonë, Faruk Sejdinin.
Futbollistin e rrallë për nga karakteri, qëndrueshmëria e disiplina, por edhe trajnerin e suksesshëm Skënder Gega.
Si edhe të paharruarin, futbollistin e madh të Partizanit dhe të ekipit Kombëtar, Gani Merja (pas vdekjes).
Ilias Çeço padyshim që është një nga futbollistët e suksesshëm, më virtuoz, “dirigjent” i paharruar i lojës së Dinamos dhe ekipit Kombëtar. Çdo “operacion” sulmues bëhej nën drejtimin e tij. Ai dinte të bënte gjithçka në lojë dhe më e bukura është, pa e parë topin fare me sy. Zotëronte një teknikë të jashtëzakonshme, driblonte në zona të vogla, bënte pasime të sakta me të dyja këmbët, shkëputej befasisht dhe pa u diktuar duke u shfaqur para portës në çdo pozicion dhe duke shënuar si një sulmues i vërtetë.
Regjia e tij plot fantazi, e ekzekutuar me kokën lart, kujtohet ende me nostalgji. Loja e tij mbetet dhe sot model i vërtetë i një futbollisti model për të qenë “truri” i skuadrës.
Ai mbetet një futbollisti model, falë cilësive të tij intelektuale dhe teknike. Karriera e tij është e jashtëzakonshme, duke luajtur si titullar që fëmijë me ekipin e Traktorit e më pas duke qenë që 17 vjeç futbollist i ekipit Kombëtar, ku padyshim shkëlqimi i tij është me Dinamon, shumë herë kampion i vendit, shumë herë fitues i Kupës së Shqipërisë dhe i 2 spartakiadave të ndryshme.
Golashënuesi më mirë i dy kampionateve me 13 dhe me 16 gola. I dalluar në çdo edicion ndërkombëtar europian dhe ballkanik. Drejtues i Klubit Sportiv Dinamo.
Padyshim që të gjithë e mbajnë mend edhe shkëlqimin e tij ndërkombëtar, ku ne kemi patëm kënaqësinë që të ndanim disa momente edhe me futbollistët e Tiranës kur kujtuam këtu barazimin e 17 Nëntorit me Ajaksin, ku Çeço gjithashtu dha kontributin e tij historik, duke shkëlqyer në një ndeshje me më të mëdhenjtë e Europës të asaj kohe.
Për Çeçon mund të flitet pa fund, por në fund fare mund të thuhet se ai ishte Iliasi që e bëri topin “çeço” pasi mënyra se si ai e zotëronte atë ishte magjike, shpresëdhënëse për ekipin dhe shkatërrimtare për kundërshtarin.
Është kënaqësi të nderojmë sot një sportist tjetër model në fushën e blertë, por edhe në pankinë si trajner mjaft i suksesshëm, Faruk Sejdinin.
Ai ka qenë një nga mbrojtësit më taktik, më të suksesshëm dhe më inteligjent të Dinamos, të ekipit Kombëtar, por edhe të gjithë ekipeve të tjerë për të cilat ai luajti.
Edhe Sejdini është fitues i shumë titujve kampion, të Kupave të Republikës, të spartakiadave kombëtare.
Njëkohësisht dua të veçoj kontributin e veçantë të tij dhe të vazhdueshëm në fushën e trajnimit. Në rolin e zv.trajnerit me të paharruarin Fatmir Frashërin në vitet 1985/1986 dhe profesor Bejkush Birçen në vitet 1989/1990 ai gjithashtu dha kontribut për fitoren e Kampionatit Kombëtar dhe të Kupës së Shqipërisë për ekipin e zemrës, përveç përkushtimit të tij për 15 vite si trajner me Dinamon dhe me ekipe të tjera në vend.
“Ti ke vendosur t’i futesh rrugës së trajnerit”, – i tha Skënder Jareci-Farukut. -Kam menduar që të t’i jap ty çfarë kam, bashkë me to edhe një këshillë: Letrat, shënimet e mia, ja ku i ke. Por, mos harro që këto i ka e gjithë bota”. Që të jesh trajner duhet ta ndjesh, të kesh nuhatje, pasi kjo punë do edhe “hundë”, përveç njohjes. Është zanat i vështirë. Dhe e fundit: Nuk dyshoj të inteligjenca jote”.
Dhe unë besoj se Faruk Sejdini atë inteligjencë që tregoi në fushë si lojtar e ka treguar më pas edhe si trajner me kontributet e tij, duke edukuar brezat më të rinj.
Është kënaqësi e veçantë të vlerësojmë sot një sportist të një gjenerate pak më të re, si Skënder Gega. Një futbollist shumë i dashur i ekipit Partizani, me të cili ka dalë kampion, por edhe të cilin e riktheu pas çerek shekulli si kampion të vendit në pozitën e trajnerit.
Djali nga Tropoja që dallohet për fisnikërinë e tij ka qenë dhe mbetet shembull i karakterit, i burrërisë, por edhe i qytetarisë në fushë dhe në jetë. Një profesionist i lindur për futbollin, i vendosur për të zbatuar me përpikmëri çdo udhëzim të trajnerit në shërbim të ekipit, dhe njëkohësisht një trajner i tillë kërkues ndaj ekipit për të arritur suksese.
Ai ka kontribute të veçanta si futbollist i ekipit të Partizanit kryesisht, por edhe i ekipit Kombëtar. Njëkohësisht dua të vlerësoj rolin e tij si trajner jashtë vendit, por në veçanti brenda vendit, me ekipet kombëtare të moshave.
Në mënyrë të veçante dua të vlerësoj atë kontribut të njohur dhe të freskët, që ai dha një vit më parë në sezonin sportiv 2018-2019, për të rikthyer ekipin e tij të zemrës Partizanin, në pozicionin e kampionit duke i dhënë fund një hegjemonie shumë vjeçare të Skënderbeut.
Për të kjo ishte një ëndërr, të cilën ai arriti ta bëjë realitet dhe është momenti për të bërë vlerësimet më të mira për këtë këmbëngulje dhe për këtë vendosmëri, për të realizuar këtë ëndërr që, ndoshta dukej e pamundur shumë vite më parë.
Një mirënjohje të veçantë kemi sot, për kontributin e jashtëzakonshëm të një futbollisti të madh, i cili nuk është më midis nesh të Gani Merjes, një nga futbollistët më të mirë mesfushor të Partizanit dhe të Kombëtares sonë.
Një futbollist me kontribute të jashtëzakonshme në atë periudhë kur Partizani i jepte tonin futbollit tonë kombëtar dhe përfaqësimit ndërkombëtarë të vendit tonë.
Fitues i shtatë (7) titujve kampion kombëtarë dhe i shumë të tjerë të kupës së Republikës, pjesëmarrës i suksesshëm në shumë aktivitete ndërkombëtare në Varshavë, Moskë dhe fitues i medaljeve të argjendta në Meksikë dhe Hanoi.
Në vitin 1958, ai u shpall futbollisti më i mirë i vitit, mbi 70 ndeshje ndërkombëtare në karrierën e tij.
Me këtë rast dua të përshëndes dhe falënderoj për praninë, Dhuratën dhe gjithë familjarët e të paharruarit, Gani Merja dhe të gjithë miqtë dhe kolegët e tij, të cilët janë krenar për kontributin që ai ka dhënë për sportin shqiptar.
Shembulli i jetës dhe i karrierës sportive i këtyre futbollistëve ka qenë dhe duhet të mbetet një model frymëzues, sidomos për brezat e rinj. Ata kanë shkruar një histori pasioni, sfide, dhe kanë lënë pas ndeshje të paharruara.
Një histori e cila na përcjellë kujtime të pashlyeshme, miqësi të pathyeshme dhe rezultate dinjitoze.
Sporti është një aktivitet shumë i rëndësishëm shoqëror që bashkon zemrat e mendjet dhe padyshim rezultatet e tyre na bëjnë të ndihemi krenar.
E kemi provuar vetë kur ata arrijnë rezultate të mira, se janë ambasadorët me të mirë të kombit tonë anembanë botës.
Shembujt e këtyre personaliteteve sportive do mbeten një vlerë e pamohueshme, për atë që ata dhe sporti kanë kultivuar prej vitesh në promovimin dhe njëkohësisht dhe rritjen e shëndetshme të brezave të rinj.
Dua të theksoj se sporti dhe futbolli, përveç emocioneve që na japin, janë dhe një histori e gjallë e njerëzve që na inkurajojnë për një jetë më të shëndetshme dhe më aktive.
Sfidat në interes të sportit më popullor në vendin tonë kërkojnë, një komunitet të bashkuar, një dialog të hapur, një profesionalizëm bashkëkohor, lojë të ndershme dhe rezultate sa më konkurruese.
Këto janë momente që na bashkojnë të gjithëve, pranë vlerave që ne trashëgojmë dhe njëkohësisht janë edhe një apel për angazhim, për të gjithë të rinjtë tanë, që ta kuptojnë se pa sakrifica, pa pasion, pa profesionalizëm, nuk ka sukses.
Unë, me shumë zemër ju uroj të gjithëve që na jeni bashkuar në këtë ceremoni sot, për këtë gëzim që ne ndajmë së bashku, për këtë vlerësim, që këto personalitete e kanë merituar prej kohësh.
Por, njëkohësisht dhe për këtë angazhim të përbashkët për të mbështetur gjeneratat më të reja që të ecin në rrugën e suksesit. Faleminderit!”
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Institucionit të Presidentit të Republikës morën pjesë morën pjesë figura të futbollit shqiptar ndër vite, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit si edhe personalitete të jetës publike.