Nga Edison Ypi
Njoh një hajdut. Nuk vjedh kushedi se çë. Një shtëpi këtu një vilë atje. I thashë; Si nuk e kupton mor burr i dheut që je duke e çuar dëm talentin. Bëhu deputet. Po u bëre, shtëpitë dhe vilat të cilave tanipërtani po u vjedh frigoriferat dhe televizorat, do ti vjedhësh nga themeli. Bëhu deputet ti që e njeh me rrënjë zanatin e vjedhjes se përmirëson imazhin e parlamentit me deputetë që vjedhin por nuk dinë të fshehin.
Njoh një deputet. Po të mos i ishte futur politikës do kishte qënë kovaç ose samarxhi i hatashëm. Me çekan, kudhër, sqepar, gjylpyer, në dorë do farkëtonte sëpata, lopata, kazma, do bënte e do ndreqte samarë, dhe plot vegla të tjera të dobishme. Për tu çuditur pse e ka këmbyer prirjen e lindur të artizanit me politikën që, siç e thonë edhe vetë në fjalimet e tij të kërrupta, është një zanat i fëlliqur.
Janë një tufë me gazetarë që më çudisin së tepërmi. Kanë talent të lindur dhe përvoja të pasura familiare dhe fisnore për të bërë gjithfarë punësh të nderuara, për të bërë dru në mal, për të mbjellë, prashitur, korrur, për të vjelë ullinj, agrume, mandarina, portokalla. Mirpo nuk e kanë respektuar traditën, kanë ndërprerë brutalisht vazhdimësinë historike. Nuk kanë ndejtur atje ku i ka caktuar Zoti paqësor. Kanë ardhur këtu ku i ka urdhëruar Djalli revolucionar. Kanë zënë hapësirën e atyre që kanë bërë shkolla dhe janë të talentuar dhe stërmundojnë kot së koti veten dhe publikun duke bërë shkrime të palexueshme.
Në fis dhe më gjërë kam djem e vajza, tigra e tigresha, luanë e luanesha, të shëndetshëm, të fuqishëm, të edukuar, të qytetëruar, mbaruar shkolla. U them un i squti këtyre budallejve; Ju me mospjesëmarrjen tuaj, me qëndrimin tuaj mënjanë, u krijoni hapësirë horrave. Jepini një dorë komunitetit, shtetit Kombit. Futuni, kridhuni, parteciponi (nuk u them “merrni pjesë” se tingëllon si “vidhni”). Më thonë ata mua; Si i kanë katandisur institucionet këta që i kanë zaptuar, na vjen ndoht të merremi me punët e shtetit e të Kombit. Kemi frikë se sapo të bëjmë ne hapin e parë, të paaftët që na kanë zënë vendin, me anë të ca metodave gjeniale që i dinë vetëm ata, na groposin, na varrosin.
Shoh në televizor ca nipër e gjyshër me shall të kuq në qafë në një sallë ku me brohorima të çjerra dhe duartrokitje si trokitje çizmesh parade ushtarake evokojnë heroizmat e një lufte inekzistente. Janë bijtë dhe etërit e shajeve në qafë që varën me litar në qafë shqiptarët më të mirë. Kanë të drejtë. Mund të vazhdojnë të bëjnë çfarë të duan sa kohë ata të litarit në qafë nuk ngrihen nga varri tua shtrëngojnë shallin e kuq në qafë këtyre të qokave sa tu dalin kokërdhokët e syve nga vendi dhe shkuma nga goja, tu varet koka dhe të venë në hale të gomarit.
Rasti e solli të njihja një ditë një nëpunëse. Sa e keqe ajo nëpunësja. I kishte zënë vendin një kurve që mezi nxjerr ndonjë lek me djersën e ballit në hotelet me orë.
Nuk mbarova dot punë paradite në një zyrë. U mërzita shumë. Më thanë se kishte ndodhur një rrokadë; Vendin e punës së atij që ngrihej herët në mëngjez e kishte zënë një tjetër të cilit gjumi i dilte në mesditë.
Italia, Franca, dhe plot vende të tjera europiane ndaj të cilëve ne jemi miza, nuk bëjnë asnjë zhurmë; se kanë bërë luftë, kanë bërë heroizma, kanë pasur dëshmorë. Thonë thjesht dhe me modesti se kanë bërë “rezistencë”. Harbutët tanë të sotëm e të mëparshëm bërtasin e ulurasin se jo vetëm kemi bërë luftë, por lufta e tyre filmike-propagandistike ka qënë dhe nacionale, madje dhe çlirimtare. Thuaj pastaj se e ka fajin Hollanda, Danimarka, Franca, Macroni, për ca telashe që po kemi.
Njoh prej vitesh njërin që ka shpallur se është shkencëtar i Gjuhës Shqipe. Shpërndan gjithë kohën meselera banale të sajuara ose gjysëm të vërteta. Ndoshta mund të kenë qënë të mrekullueshme për skeçe estradash të kohës së qepës gallatat e tia, por s’kanë asgjë të përbashkët me Shqipen e aq më pak me shkencën për të cilat paguhet nga taksat llafazani gjoja studjues që pengon talentet e reja.
Kam njohje me një filozof që nuk del kurrë në asnjë ekran dhe nuk shkruan kurrë në asnjë gazetë. Nuk e njeh askush. E kalon jetën në fshat.
Gjatë një udhëtimi njoha dy tipa; Njëri kishte qënë spiun dhe ishte bërë pronar. Tjetri kishte qënë pronar dhe ishte bërë spiun. Sot e kësaj dite nuk e kam të qartë cili prej të dyve ishte më plehër.
Njoh një aradhe me horra që thonë se janë shkrimtarë, poetë, mendimtarë, historianë, gjeopolitikanë, por do duhej të ishin ku janë ca të tjerë, në varr.
Ndoshta nuk do ja vlente ti kujtoja këta më sipër. Por tollovia e atyre që bëjnë punën e tjetrit është aq e madhe sa më duket sikur të tillë janë të gjithë.