Intervista me udhëheqësin e partizanëve shqiptarë, rrëfimi i planeve të tij për të rrëzuar Enver Hoxhën

“Paris-presse” ka botuar, të mërkurën e 18 marsit 1953, në faqen nr.5, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive me udhëheqësin e partizanëve shqiptarë Apostol Tanefin dhe planet e tij për të rrëzuar Enver Hoxhën.

Korrespondenti ynë special Jean-François Devay na telefonon nga Shkupi

Sapo kalova dy orë me udhëheqësin misterioz të revoltës shqiptare Apostol Tanefin. “Shihemi së shpejti në Tiranë”, më tha me zë të lartë ndërsa largohej. Për guerilët e Tanefit, të cilët tashmë sundojnë një pjesë të vendit, presin vetëm një sinjal për të shkaktuar kryengritjen e përgjithshme dhe marshimin në kryeqytetin shqiptar. Ky sinjal, nëse jepet, do të ndodhë nga Beogradi.

Ne e kërkuam Tanefin në Prishtinë që prej një jave. Raportohej ndonjëherë këtu, ndonjëherë atje, gjithnjë përgjatë kufirit shqiptar, ndonjëherë, pa dyshim, përtej. Në Prishtinë, mbrëmë, një informator me qëllim të mirë na tha :

“Apostoli sapo ka mbërritur. Ai largohet nesër në mesditë. Do ta gjeni në shtëpinë e komitetit.”

Këtë shtëpi e gjetëm në periferi të Prishtinës, përballë një xhamie të thjeshtë periferike. Rreth e rrotull, disa djem të guximshëm në palltot prej lëkure dhe me plis në kokë, po ruanin me vëmendje. Mbërritja jonë u raportua tashmë dhe Apostoli po na priste te dera e zyrës së tij. “Ne jemi të lumtur që Franca po interesohet për Shqipërinë.”

Këto ishin fjalët e tij të para dhe gjithashtu të vetmet që ai shqiptoi në frëngjisht. Më pas, një njeri i vogël me sy të butë pas syzeve të tij të mëdhaja dhe pamjes (fytyrës) jashtëzakonisht inteligjente, erdhi tek ne si përkthyes. Ai na tha se nuk kishte ardhur kurrë në Francë. Na dukej e çuditshme sepse fliste frëngjisht si ju dhe unë.

Kryengritja kontrollon një të tretën e Shqipërisë

“ — Mbështetësit tanë kontrollojnë një të tretën e Shqipërisë, më tha pak më vonë Apostol Tanefi. Sa për udhëheqësit e kryengritjes, ju keni disa para nesh. Këta drejtues janë : Hajrula Ishmi, Zutori Spahia, Nik Sokoli, Qazim Luska, Tajar Atipi, Ugrim Shegarni, Kristo Melemaki, Mark Pasliku, Ramadan Spahia.” Nuk e di nëse janë emrat e tyre të vërtetë. Por për kokat e tyre është vënë një çmim në Shqipëri, një shume globale, e cila do të kishte mundësuar përpara luftës që të blihej një pjesë e mirë e vendit.

Në dhomat fqinje, dëgjuam urdhrat e dhëna me një gjuhë të ashpër dhe të shurdhër, dhe kërcitjet e padukshme të makinerive të shkrimit. Një radio, nga e cila kishim vërejtur në çati antenën trekëndore, po thyente ajrin me tinguj të ashpër. Dera hapej në mënyrë të vazhdueshme. Tanefi më ndërpreu, u përgjigj me disa fjalë të qeta, pastaj rifilloi bisedën.

“ Neve na mungojnë armët moderne.” – më tha ai. “Sigurisht, kemi pushkë, shumë pushkë dhe mitralozë. Por zakonisht janë makineritë e vjetra që trupat italiane kishin fshehur para dorëzimit, në 1944, dhe depozitat e të cilave gjetëm. Kemi edhe disa armë të marra nga kufomat e ushtarëve të Enver Hoxhës. Por e gjithë kjo nuk mund të na ndihmojë.”

Tanefi u vu një siklet të madh.

“Jini të qetë, kjo nuk do të na pengojë të jemi fitimtarë. Edhe sikur fshatarët tanë të kishin vetëm sëpatën e tyre. Ata do të marshojnë në Tiranë kur të vijë dita. Armët gjenden gjithmonë kur keni vullnet për të luftuar.”

Një ish – “mësues”
Apostol Tanefi është një burrë dyzet vjeçar, me trup mesatar, me një fytyrë esmere, me flokë të errëta dhe shpatulla të gjera. Do ta merrnim për një punëtor. Sidoqoftë, ai ka qenë profesor i matematikës në liceun e Korçës, në Shqipëri. Kjo është e gjitha që dimë për të kaluarën e tij dhe gjithashtu se ai ishte një nga komunistët e parë shqiptarë. Ai flet i qetë, duke peshuar fjalët e tij, me një lloj buzëqeshjeje të ndrojtur. Por buzëqeshja e tij venitet dhe zëri i tij bëhet i ngrohtë dhe i vendosur kur ai flet për vendin e tij të terrorizuar.
“— Imagjinoni, më tha ai, që një zyrtar i lartë nazist të mbretërojë mbi Francën pasi të ketë hapur burgjet dhe armatosur kriminelët e zakonshëm dhe t’i bëjë ata rojet e tij pretoriane.”

I pasigurt për ushtrinë e tij, Mehmet Shehu — ministri i brendshëm i Enver Hoxhës, por në realitet kreu i vërtetë i vendit — rekrutoi “brigada special” të përbëra nga ish të arrestuar të zakonshëm, të cilëve u ofroi liri në këmbim të besnikërisë së tyre ndaj regjimit.

“— Partizanët, tha Tanefi, kontrollojnë shumicën e rajoneve të Dukagjinit, Lumës, Peshkopisë, Tropojës, Kuksit, Mirditës dhe Krujës. Kjo përfaqëson më shumë se një çerek të vendit, por ekziston edhe gjendja e revoltës kronike të disa fiseve veriore dhe fshatarëve që filluan rreth një javë më parë pranë kufirit grek.”

Ushtria zyrtare …
Përveç këtyre forcave në veprim në vend, duhet të kemi parasysh edhe emigrantët. Dje, Apostol Tanefi kontrolloi saktësisht 8,722 burra që kishin qenë refugjatë që nga viti 1948 në Kosmet-in jugosllav dhe që kanë dëshirë të zjarrtë për t’u kthyer në shtëpi me armë në duar. Përballë këtyre forcave të Apostol Tanefit, me cilat trupa janë në gjendje të mbrohen Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu ?

LEXO EDHE  Mbani frymën! Xhiroi video me kamera të një teknologjie të lartë, pamjet janë plot adrenalinë por shqetësuese

Ushtria zyrtare ka rreth 50,000 burra, por nuk është e sigurtë. Nuk ka një javë ku disa prej ushtarëve dhe oficerëve të saj kalojnë kufirin jugosllav. Këto trupa janë të keqarmatosura, me një numër qesharak të automjeteve të blinduara të modës së vjetër, të cilat nuk do të ishin të dobishme në këtë vend pa rrugë, ku linja e vetme hekurudhore është e gjatë vetëm 50 kilometra.

“Brigadat speciale”, nga ana tjetër, përbëjnë një forcë që nuk është e papërfillshme. Ata përbëjnë rreth 40,000 burra relativisht të armatosur, të cilët e dinë se kanë gjithçka për të humbur nëse fitojnë partizanët (domethënë forcat e Apostolit). Ata do të luftojnë deri në fund dhe asgjë nuk është më e rrallë në radhët e tyre sesa rasti i një dezertori si Ramë Qurini.

Ai ishte komandanti i njërës prej këtyre brigadave. Ai u përpoq, besohet, të “likuidojë” një nga drejtuesit e tij dhe u arratis para se të arrestohej.

Ai, për t’iu ruajtur më të keqes, kaloi kufirin jugosllav duke u shtirur si një emigrant politik. Por shërbimet sekrete të Tanefit ishin të shpejta për të përshkuar identitetin e tij të vërtetë. U zbulua në të njëjtën kohë se ai ishte dënuar me tetëmbëdhjetë vite burg (punë të detyruar) para luftës për vrasjen e gruas së tij (e kishte prerë copa-copa). Nuk e di se cili qe fati i tij, por mendoj se ushtarët e Tanefit kanë hakmarrë gruan e Ramë Qurinit, ashtu si edhe shokët e tyre, të rënë në duart e tij, gjatë kohës kur ai ishte në pushtet.

Aviacioni ? Qeveria e Tiranës nuk ka pothuajse fare. Në dy ose tre pista ajrore (fusha aviacioni) të qytetit, ekzistojnë vetëm disa Yaks (Jakë) të montuar nga ekuipazhet ruse dhe të cilat do të strehohen në vende të sigurta gjatë alarmit më të parë.

Një problem që tejkalon Shqipërinë

Sa për rusët e tjerë, vështirë se ka ndonjë. Apostol Tanefi më konfirmoi informacionin ekskluziv që telefonova të enjten e kaluar. Pjesa më e madhe e ekspertëve civilë dhe instruktorët ushtarakë sovjetikë janë larguar nga Shqipëria. Ata ishin 4.200 tre muaj më parë. Tani, ata janë vetëm 700 – 800, dhe evakuimi i tyre vazhdon. Ata janë zëvendësuar nga bullgarët.

Sidoqoftë, duhet pranuar që problemi është i një rendi që shkon përtej Shqipërisë, sepse ky vend i vogël ka qenë gjithmonë një fitil i lehtë për t’u ndezur në këtë fuçi baruti që tradicionalisht përbën Ballkanin. Një kryengritje e parakohshme, natyrisht, do të provokonte reagimet më të forta në Romë, Athinë dhe Londër. Ekziston çdo shans që Tito dhe Churchill do ta trajtojnë së bashku këtë problem gjatë qëndrimit të liderit jugosllav në Londër.

Sepse këtu jemi duke prekur problemin politik të rezistencës shqiptare. Nuk ka dyshim se lëvizja e udhëhequr nga Apostol Tanefi është në thelb filojugosllave. Në muret e zyrës së tij në Prishtinë, portreti i Titos gjendet i ngjitur me ato të dy heronjve kombëtarë shqiptarë : Skënderbeut dhe Naim Frashërit. “Ka komitete shqiptare edhe në Paris dhe Romë, tha Taanefi, por ata janë gjeneralë pa ushtarë që duan vetëm të kthehen në privilegjet e tyre të paraluftë.” Lëvizja e Tanefit është e njohur zyrtarisht si “Bashkimi i Emigrantëve Politikë shqiptarë dhe jugosllavë” dhe është e influencuar nga titizmi. Ajo pretendon të jetë vepër e Koçi Xoxes, heroit të famshëm kombëtar shqiptar, të cilin Enver Hoxha e pushkatoi në vitin 1948 për shkak të ndjenjave të tij jugosllave.

Por Tanefi mohon të drejtojë një lëvizje thjesht komuniste. “Ne jemi, tha ai, një front kombëtar, në të cilin ka komunistë, si dhe apolitikë ose ballistë (nacionalistë në favor të një Shqipërie të madhe, si anti-jugosllave, ashtu edhe anti-italiane). Ne duam lirinë dhe jo më sundim rus.”

“Liri, të pres…”

Dhe ai këndon këngën e luftës partizane :

“Liri ! ku je ?

Liri ! të pres.

Pa ty, s’ka jetë.”

“Kur të jemi në Tiranë, më tha Tanefi, ne do të zhvillojmë zgjedhje të përgjithshme dhe populli shqiptar do të vendosë në mënyrë të lirë për fatin e tij.” Kur do të jetë Apostol Tanefi në Tiranë ? Nuk varet vetëm prej tij. Por Perëndimi duhet ta dijë se varet nga ai, se një satelit i dytë është shkëputur nga Bashkimi Sovjetik. Do të mbetet për të rënë dakord për respektimin e ardhshëm të pavarësisë shqiptare dhe për të informuar Beogradin./ Aurenc Bebja/ Blogu © Dars (Klos)