Këshilltarja për Integrimin Evropian e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Ilda Zhulali, tha sot në një intervistë për “News24” se Komisioni i Venecias i dha të drejtë Presidentit, duke e cilësuar legjitime shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
“Komisioni i Venecias, në të gjithë analizën e tyre nuk u frenuan vetëm në shqyrtimin gërmë për gërmë të Kushtetutës, por iu futën edhe një analizë edhe më të detajuar për të parë se cilat ishin kushtet, cilat ishin rrethanat, cili ishte qëllimi i Presidentit të Republikës.
Dhe ata në fund fare kanë vendosur se qëllimi i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor dhe shtyrjen e tyre më 13 tetor ishte një qëllim legjitim. Ky ishte edhe konkluzioni më i rëndësishëm i këtij raporti”, u shpreh këshilltarja e Metës.
Ndërkohë, duke folur për nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Meta, Zhulali deklaroi se “fjalia përfundimtare e Komisionit të Venecias është që ai, Komisioni pra, nuk gjen asnjë arsye që do të çonte në një vendim për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Dhe në fund të ditës, konstantimi i tyre ishte që Presidenti i Republikës nuk mund të shkarkohet”.
Pjesë nga intervista
Gazetarja: Duam ta nisim me ju zonja Zhulali, sepse ky raport përfundimtar i Komisionit i Venecias po lexohet në mënyrë ta ndryshme. Nga njëra anë mazhoranca pretendon se u vërtetuan ato që ajo kishte thënë më herët se është shkelur Kushtetuta. Nga ana tjetër Presidenti këmbëngul se u vërtetua e kundërta. Tani këto janë deklarata politike? Dua të di prej jush se cila është e vërteta?
Ilda Zhulali: E vërteta është se opinioni paraprak i Komisionit të Venecias u keqpërdor nga mazhoranca, sepse u dorëzuar duke shkelur konfidencialitetin mes palëve, pasi ai ishte ende objekt shqyrtimi dhe diskutimi deri në njëvendimmarrje përfundimtare nga Komisioni i Venecias.
Dhe kështu ndodhi. Deri në minutat e fundit ka pasur një debat të hapur mbi pyetjet që ishin shtruar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe aty u mor vendimi për të bërë rreth 21 amendamente, të cilat kanë ndryshuar substancën e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias.
Ne pritëm dhe respektuam deri në fund konfindencialitetin e këtij procesi, derisa raporti u publikua zyrtarisht nga Komisioni i Venecias. Por i gjithë ndryshimi, për të cilin edhe ne kemi qëndrime të ndryshme, vërtitet rreth amendamenteve që kanë ndryshuar dhe intonacionit të verdiktit përfundimtar të Komisionit të Venecias.
Gazetarja: Si ishte dhe çfarë u bë? Çfarë ndryshoi?
Ilda Zhulali: Atëherë Komisioni i Venecias në fillim ishte shumë i qartë që Presidenti i Republikës nuk kishte shkelur Kushtetutën. Ky ishte përfundimi i parë. Por Komisioni i Venecias vlerësonte se Presidenti i Republikës mund të kishte tejkaluar kompetencat e tij. Megjithatë, pas paraqitjes së fakteve shtesë, pas sqarimit të rrethanave eksplicite në të cilat ndodhej Shqipëria,…
Gazetarja: Pas paraqitjes së fakteve nga cilët? Nga aktorët kryesorë? Pas takimeve që ata zhvilluan?
Ilda Zhulali: Nga të gjitha palët. Sigurisht që përpos takimeve, dorëzoi edhe një material shumë voluminoz ku bëmë një shpjegim të fakteve, edhe të dispozitave ligjore. Dhe pasi të gjitha këto u morën në shqyrtim nga Komisioni i Venecias, u kuptua se kishim të bënim me një situatë mjaft specifike, me një situatë ekstreme, e cila nuk mund të kishte zgjidhje tjetër përveç vendimit që mori Presidenti i Republikës. Sepse Presidenti i Republikës nuk kishte asnjë mekanizëm tjetër, që nuk e kishte përdorur më parë për të qenë efikas në shmangien e gjakderdhjes, për mbrojtjen e pluralizimit politik dhe për mbrojtjen e kredencialeve demokratike të Shqipërisë. Kjo gjë u mirëkuptua nga Komisioni i Venecias. Dhe jo pa qëllim, ata në të gjithë analizën e tyre nuk u frenuan vetëm në shqyrtimin gërmë për gërmë të Kushtetutës, por iu futën edhe një analizë edhe më të detajuar për të parë se cilat ishin kushtet, cilat ishin rrethanat, cili ishte qëllimi i Presidentit të Republikës. Dhe ata në fund fare kanë vendosur se qëllimi i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor dhe shtyrjen e tyre më 13 tetor ishte një qëllim legjitim. Ky ishte edhe konkluzioni më i rëndësishëm i këtij raporti.
Gazetarja: Zyra e Presidentit të Republikës i ka mëshuar faktit se ka ndryshuar pika 99, nëse nuk gabohem e draftit paraprak të Komisionit të Venecias, ku është hequr fjala tejkalim kompetencash apo jo? Për faktin që kjo frazë, zonja Zhulali, përdoret ende në pikën 110, a mos e rrëzon argumentin tuaj?
Ilda Zhulali: Është shumë i saktë konstatimi juaj! Dhe duhet sqaruar për të gjithë opinionin publik. Atëherë këtë janë amendamentet: Nga pika 99 është hequr fjala ku vetë Komisioni i Venecias arrin në konstantimin se Presidenti i Republikës ka tejkaluar kompetencat e tij. Kjo fjali është fshirë.
Por çfarë bën Komisioni i Venecias? Bën diçka shumë interesante: Bën, thur katër skenarë në të cilët shqyrton tendencën që mund të ketë Kuvendi i Shqipërisë për ta trajtuar kërkesën për shkarkimin e Presidentit. Dhe thotë: “Nëse Kuvendi i Shqipërisë do ta shikojë këtë sjellje të Presidentit nën dritën e tejkalimit të kompetencave…” – pra e heq nga vetja dhe ia kalon Kuvendit përgjegjësinë për këtë gjë, “edhe nëse Kuvendi e shikon nën këtë dritë, kjo përsëri nuk përbën mjaftueshëm arsye dhe argumente për shkarkim”. Merr edhe dy-tri skenarë të tjerë, edhe nëse Kuvendit, thotë se Kuvendi do të gjejë që Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën, përsëri në këto rrethana, ai nuk mund të shkarkohet, sepse kjo do të përbënte një shkelje të rëndë. Merr edhe një skenar tjetër: Edhe nëse Kuvendi, thotë do të vendoste se Presidenti i Republikës ka bërë shkelje, madje ka bërë një shkelje të rëndë, do të jetë përsëri Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse Presidenti i Republikës ka kryer apo jo këtë.
Megjithatë, në të gjitha rastet, fjalia përfundimtare e Komisionit të Venecias është që ai, Komisioni pra, nuk gjen asnjë arsye që do të çonte në një vendim për shkarkimin e Presidentit të Republikës.