Kryeministri Edi Rama pranoi qëndrimin e Francës kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe të “dy-tri vendeve të tjera”. Në një komunikim përmes Facebook-ut të tij, kreu i qeverisë e përmendi Gjermaninë si “avokati ynë i madh” dhe tha se shpreson që me negociatat Gjermani-Francë në ditët në vijim, të ndryshojë vendimi i vendeve skeptike për hapjen e negociatave.
Rama edhe njëherë hoqi përgjegjësinë nga vetja duke thënë se “vendimmarrja e 18 tetorit s’ka asnjë lidhje se çfarë kemi bërë apo s’kemi bërë ne për të merituar po-në”. Megjithatë, hodhi akuza ndaj opozitës se ka punuar kundër një vendimi pozitiv për hapjen e negociatave.
Përgjegjës për një “jo” të mundshme bëri edhe qasjen e presidentit të Francës Emanuel Makron, që kërkon reformimin e BE-së para hapjes së unionit.
“Emanuel Makron s’është i gatshëm të shtyjë më fort integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, pa shtyrë më parë reformimin e vetë unionit”, tha shefi i ekzekutivit.
Në asnjë rast, Edi Rama nuk foli për dorëheqje nga drejtimi i qeverisë në rast të një vendimi negativ më 18 tetor, për negociatat.
Fjala e plotë e Ramës
Vijon intensivisht debati brenda Bashkimit Europian për një vendim të dakortësuar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tanimë dihet dhe botërisht ajo që unë e kam ndarë prej kohësh me ju. Shumica shteteve anëtare duan çeljen e menjëhershme të negociatave me të dyja vendet, Edhe me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë e Veriut, pa kushte. Gjermania ka zgjedhur një venim të ndryshëm nga ai i shumicës së vendeve anëtare. Ajo e ka lidhur “po”-në me disa kushte që janë të rëndësishme për ne dhe jo të parëndësishme për të afruar Francën dhe dy a tri vendet që deri më sot janë në pozicion të pafavorshëm lidhur me pritshmërinë tonë. Franca dhe ato dy a tri vende ende s’kanë dalë sidoqoftë në një pozicion përfundimtar dhe siç është plotësisht e mund të mos lëvizin nga pozicioni i tyre, nuk është krejt e pamundur që të pranojnë një vendim kompromisi.
Presidenti i Francës ka një vizion publikisht të shpallur prej ditës së parë të zgjedhjes së tij për një reformim të thellë të unionit, përpara se sa të vazhdohet me zgjerimin e be. Emanuel Makron s’është i gatshëm të shtyjë më fort integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, pa shtyrë më parë reformimin e vetë unionit. Kjo qasje e Francës është konceptualisht e shkëputur nga qasja tradicionale që karakterizon frontin e “PO”-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por, ka shumë rëndësi të kuptohet se kjo nuk është një qasje kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në vetvete, apo prespektivës së Ballkanit në tërësi. Asgjë s’mund të përjashtohet deri në minutën e fundit. Njëkohësisht askush s’duhet të harrojë se sa patate të nxehta janë këto ditë në tryezën e BE, që nga Brexit deri te të rejat e fundit nga fronti i luftës së Siri që do të diskutohen pikërisht ë të njëjtën ditë, 18 tetor. Megjithatë fjala e fundit nuk është thënë ende dhe përpjekjet intensive të këtyre ditëve, deri në mbledhjen e Këshillit të Unionit, kur do merret vendimi, synojnë të përputhin qëndrimin e të dyja anëve në pritje të një rezultati të bisedimeve mes Gjermanisë dhe Francës që janë kyç. Në atë këshill vendimet merren me konsensus, mjafton që një vend të thotë jo për të rrëzuar po-në e të gjithë të tjerëve. Askush se di si do përfundojë kjo odise në datën 18 tetor, por ja çfarë di me siguri dhe dua të ndaj me ju sot.
E para, përtej tërë spekulimeve, gënjeshtrave dhe broçkullave për konsum të brendshëm politik në Shqipëri, vendimmarrja e 18 tetorit s’ka asnjë lidhje se çfarë kemi bërë apo s’kemi bërë ne për të merituar po-në. Kaq e vërtetë është kjo sa që po në vendin e Shqipërisë dhe Maqedonisë të ishin dy vende të tjera që janë pjesë e BE, situata e tyre do ishte po njësoj. Pa asnjë ndryshim.
Dhe këtu vijmë te e dyta, vendimmarrja ka lidhje thelbësore me çfarë duan apo nuk duan të bëjnë ata, anëtarët e unionit me vetit dhe me metodologjinë e negociatave me vendet kandidate. Dhe me sa do ta arrijnë të dakortësohen mes tyre mbi faktin se cilado qoftë reforma e BE-së, ajo nuk duhet ti pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe vendet e Ballkanit në tërësi, të vazhdojnë reformat e tyre falë procesit të negociatave.
E treta ne kemi arritur të bëjmë më shumë se sa thjesht detyrat e shtëpisë për të cilat komisioni i ka dhënë këshillit rekomandimin për çeljen e negociatave pa kushte, sepse falë marrëdhënieve të forta të respektit dhe besimit që kemi krijuar me Berlinin zyrtar, ja kemi dalë të kapërcejmë pengesën e lartë që u ngrit në Bundestag. Edhe si pasojë e planit politik që vuri në zbatim opozita jashtëparlamentare nga janari deri në fund të qershorit. Falë komunikimit intensiv dhe të sinqertë edhe me faktorë të rëndësishëm në CDU-CSU dhe falë mbështetjes së tyre për Shqipërinë, Bundestagu i tha “po” Shqipërisë de sot Gjermania është avokati ynë i madh në këtë proces shumë të komplikuar.
Për pak ditë do të mësojmë të vërtetën e këtij kapitulli të vështirë të historisë së përpjekjes sonë për tu bërë pjesë e BE. Por cilido qoftë ai përfundim, të nesërmen e mbledhjes së Këshillit Europian dielli do të lind përsëri dhe dita do të jetë vazhdimi i natyrshëm i kësaj përpjekje shtet bërje evropianë drejt Evropës dhe shtëpisë europiane që duam për fëmijët tanë. Jo për Brukselin, jo për Berlinin, jo për Parisin, jo për BE-në, po për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjeneratat e tjera.
/Boldnews.al/