Alarmi i pensioneve, lista e 1171 institucioneve shtetërore që nuk kanë paguar sigurimet

Një situatë alarmante është rikthyer në arkën e sigurimeve shoqërore, ku entet publike po refuzojnë në masë të paguajnë kontributet. Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, lista e debitorëve arriti në 1171 në maj 2019, teksa mijëra persona që punojnë në shtet u rrezikohen pensionet. Debitorë që nga Kuvendi, ministritë, tatimet, dogana, ujësjellësit, bashki, klube futbolli, qendra shëndetësore, zyra arsimore. Borxhi total arriti në 13.8 miliardë lekë në fund të 2018 dhe u zgjerua me 19% në një vit…..

Mijëra punonjës që aktualisht punojnë në shtet dhe në ndërmarrjet në pronësi publike do të përballen me dramë në pleqërinë e tyre, pasi institucionet ku ata punojnë nuk i paguajnë detyrimet për sigurimet shoqërore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet një kërkese me të drejtë informimi nga “Monitor”, vuri në dispozicion një listë në përbërjen e së cilës aktualisht janë 1171 institucione dhe ente publike që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore për personelin e tyre.

Lista e borxhlinjve dominohet nga ndërmarrjet e ujësjellësit, ish-komunat, klubet e futbollit, sh.a.-të shtetërore, qendrat shëndetësore, zyrat arsimore, repartet ushtarake, madje edhe institucione të larta të administratës publike, si Kuvendi i Shqipërisë, madje gjykatat dhe drejtori të ndryshme në Tatime dhe në Dogana.

Entet publike që nuk i kanë paguar rregullisht sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore deri në fund të vitit 2018 kanë akumuluar borxhe në vlerën e 13.8 miliardë lekëve, ose rreth 110 milionë euro. Detyrimet janë krijuar në katër vitet e fundit, pasi në vitin 2015, qeveria “Rama”, e cila sapo erdhi në pushtet i shleu të gjitha detyrimet e gjetura nëpërmjet një pakete të re borxhi mbi 500 milionë euro.

Detyrimet e akumuluara, të cilat duhet të shkonin për llogari të arkës së Sigurimeve Shoqërore kanë krijuar efekte negative të shumëfishta.
Buxheti i shtetit i subvencionon të ardhurat e munguara nga taksa e sigurimeve prej të ardhurave të tjera të përbashkëta nga buxheti. Në këtë mënyrë, shqiptarët i kanë paguar me taksa të tjera abuzimet që administrata e shtetit dhe entet publike kanë bërë me fondet e sigurimeve. Këto fonde janë të planifikuara, por drejtuesit e enteve buxhetore devijojnë përdorimin e tyre në destinacione të tjera. Ndërsa efektet afatgjata lidhen me dëmet që këto borxhe do të krijojnë në pensionet e pleqërisë ndaj personave që po punojnë aktualisht në entet borxhlie.

Skema e shmangies së sigurimeve

Rasti tipik për krijimin e detyrimeve ndaj sigurimeve shoqërore janë ndërmarrjet e ujësjellësit, pushtetit lokal dhe entet në varësi të tij dhe agjencitë publike që varen nga entet qendrore. Këto ente, sidomos ndërmarrjet buxhetore që i administrojnë fondet publike vetë nëpërmjet llogarive të veçanta dhe jo direkt nga thesari janë të prira të krijojnë borxhe. Në presionin e politikës për të punësuar sa më shumë persona, ndërmarrjet e ujësjellësit, sha shtetërore, bashkitë etj., e përdorin fondin e sigurimeve për të paguar punonjës të rinj.

Si po krijohen detyrimet

Devijimi i fondeve për pagesën e sigurimeve shoqërore janë abuzimi në ekstrem që një institucion publik bën, ndaj përgjegjësia në këtë rast konsiderohet vepër penale sipas ligjeve në fuqi. Por, fakti që institucionet shqiptare vijojnë të mos i paguajnë sigurimet në masë, do të thotë se ligji jo vetëm që vepron, por është lënë tërësisht në harresë duke mos frenuar së paku zgjerimin e mëtejshëm të detyrimeve. Burimet nga tatimet pohuan se rasti tipik për krijimin e detyrimeve ndaj sigurimeve shoqërore janë ndërmarrjet e ujësjellësit, pushtetit lokal dhe entet në varësi të tij dhe agjencitë publike që varen nga entet qendrore.

Këto ente, sidomos ndërmarrjet buxhetore që i administrojnë fondet publike vetë nëpërmjet llogarive të veçanta dhe jo direkt nga thesari janë të prira të krijojnë borxhe. Në presionin e politikës për të punësuar sa më shumë persona, ndërmarrjet e ujësjellësit, sha shtetërore, bashkitë etj., e përdorin fondin e sigurimeve për të paguar punonjës të rinj. Gjithashtu ato mund ta përdorin fondin për të financuar edhe programe të tjera për të cilat nuk gjerojnë fonde të mjaftueshme.

Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka ngritur më shumë se një herë shqetësimin se ndërmarrjet e ujësjellësve janë të mbingarkuara me staf. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2018, ndërmarrjet e ujësjellësit në të gjithë vendin punësonin 124 punonjës, ose 374 punonjës më shumë se ata të raportuar në vitin 2017. ERRU vlerëson se në përgjithësi, sektori është i mbingarkuar me staf të pajustifikuar. Lidhur me këtë tregues, kërkohet një analizë e thelluar për secilën shoqëri në lidhje me numrin e punonjësve dhe pozicionet në organigramë, përshkrimet e punës dhe ngarkesën reale për çdo pozicion pune. Në total, rritja e raportuar e numrit të stafit ka sjellë rritjen e Kostove të Punës me rreth 392.8 milionë lekë, e cila po mbulohet duke mos paguar sigurimet për stafet e punonjësve që realisht nevojiten.

E njëjta praktikë ndiqet edhe nga bashkitë. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bashkive, pushteti vendor kishte të punësuar më 2018 rreth 33,500 punonjës nga 22,000 në vitin 2015, ose 11 mijë e 500 punonjës më shumë. Nga transferimi i funksioneve të reja nuk janë më shumë se 10 mijë punonjës. Edhe pa transferimin e funksioneve të reja (arsimi parashkollor, administrimi i pyjeve, mirëmbajtja, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri etj.) administrata e bashkive është më e fryrë se para reformës.

Për këtë arsye, shumë bashki në të gjithë vendin kanë dështuar të paguajnë sigurimet shoqërore për punonjësit. Për shkak të kësaj situate, kriza në disa bashki mund të përshkruhet si faliment, pasi tatimet kanë nisur procedurat e sekuestros në disa prej tyre. Problemet financiare të pushtetit vendor në disa raste janë përkeqësuar nga pushteti qendror, i cili ka transferuar funksionet e administratës, por jo të gjitha fondet për administrimin e tyre.

Bashkitë e falimentuara

Shumë bashki në të gjithë vendin kanë dështuar të paguajnë sigurimet shoqërore për punonjësit. Për shkak të kësaj situate, kriza në disa bashki mund të përshkruhet si faliment, pasi tatimet kanë nisur procedurat e sekuestros në disa prej tyre. Problemet financiare të pushtetit vendor në disa raste janë përkeqësuar nga pushteti qendror, i cili ka transferuar funksionet e administratës, por jo të gjitha fondet për administrimin e tyre.

Shkarkimet e padrejta nga puna, akumulojnë borxh te sigurimet

Ministria e Financave ka shtrënguar masat ndaj institucioneve publike që nuk paguajnë në mënyrë të rregullt detyrimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve. “Strukturat përgjegjëse në degët e thesarit nuk autorizojnë pagesën e pagës në muajin pasardhës, nëse nuk është kryer pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat personale, në muajin e mëparshëm nga njësitë shpenzuese të qeverisjes qendrore dhe vendore”, thuhet në udhëzimin për zbatimin e buxhetit 2, i cili është lëshuar për njësitë zbatuese nga Ministria e Financave.

Me implementimin e sistemit të ri informatik tatimor dhe me mbylljen e llogarive bankare në emër të Drejtorive Rajonale Tatimore, kërkohet çdo ditë të sigurohet dërgim elektronik i arkëtimeve të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga struktura përgjegjëse për tatimet, sipas klasifikimit ekonomik buxhetor. Ekspertë të thesarit nga Ministria e Financave shpjeguan se udhëzimi zbatohet plotësisht.

“Ne koordinojmë çdo muaj me tatimet për debitorët në sigurime dhe i anulojmë fondet për pagat në muajin në vijim sipas udhëzimit, por ka një arsye tjetër pse po krijohen këto borxhe edhe nga administrata qendrore”, – shpjegoi ekspertja e Thesarit. Vitet e fundit, shumë punonjës edhe në pozicione të larta të administratës publike, duke përfshirë Kuvendin, ministritë etj., kanë fituar gjyqet për shkarkime të padrejta nga puna. Si pasojë e vendimeve të gjykatave janë akumuluar detyrime edhe në formën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ndaj këtyre punonjësve. Ekspertja shpjegon se Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave nuk mund të veprojë në këto raste, pasi fondet nuk ishin të planifikuara në fillim të vitit.

Privati, më korrekt se shteti

Për vitin 2018, të ardhurat nga Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore janë programuar 87.9 miliardë lekë dhe janë realizuar 88.8 miliardë lekë, me një rritje prej 0.9 miliardë lekë, ose 1% më shumë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, rezultatet tregojnë për rritje me 6 miliardë lekë më shumë ose 7.20% më shumë. Por rezultatet pozitive nga arkëtimet e sigurimeve shoqërore mësohet të kenë ardhur nga sektori privat, teksa performanca e pagesave nga entet publike ka ardhur me përkeqësim.

Në vitin 2018, sipas të dhënave zyrtare nga ISSH, numri mesatar i punonjësve në ndërmarrjet buxhetore që paguan sigurime ishte më i ulët se në vitin 2017, edhe pse numri i punonjësve në administratë nuk ndryshoi. Në vitin 2018, nga kjo kategori paguan sigurime 140,600 persona ose 0.6% më pak se në vitin 2017. Ndërsa në institucionet jobuxhetore, numri i personave që paguan sigurime shoqërore më 2018 ishte 3.1% më i ulët se në vitin 2017. Edhe numri i punonjësve në këtë kategori shënoi rritje të mëtejshme në vitin 2018. Duke lexuar të ardhurat sipas zërave, shihet se rritja e arkëtimeve në sigurimet shoqërore erdhi nga sektori privat. Numri i punonjësve nga sektori privat që u përfshinë në skemën e sigurimeve shoqërore u rrit me 14% në vitin 2018 në raport me vitin e mëparshëm.

Mospagesa e sigurimeve, vepër penale

Në vitin 2015, qeveria i forcoi masat dhe penalitetet ndaj biznesmenëve që shmangin pagesat e sigurimeve shoqërore. Sipas ligjit të procedurave tatimore, nëse nga kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë prej 500 000 (pesëqind mijë) lekësh.

LEXO EDHE  Replika/ Presidenca: Meta do jetë ushtari i parë në mbrojtje të Kushtetutës dhe Republikës

Çdo konstatim i përsëritur i mosdeklarimit të punonjësve, pas aplikimit të dënimit konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116 të ligjit dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke bërë kallëzimin penal për tatimpaguesin. Katër vite më parë mospagesa e përsëritur e sigurimeve u konsiderua vepër penale. Mirëpo përderisa ka një borxh të akumuluar dhe institucionet nuk paguajnë në mënyrë të përsëritur sigurimet, shtrëngimet ligjore, sado të forta, nuk kanë funksionuar.

Sipas ligjit për sigurimet shoqërore, Radha e pagesës së kontributeve dhe të detyrimeve tatimore bëhet duke paguar fillimisht pagesat e kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore, më pas kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëmarrësit, kontributet e detyrueshme suplementare të sigurimeve shoqërore, kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit, tatimet, kamatëvonesat, gjobat dhe kostot administrative.

Si rrezikohen pensionet

Zyrtarë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore pohuan se, ka një thellim të problematikës me pagesat e sigurimeve shoqërore në entet dhe institucionet publike, duke pohuar se pensioni i tyre rrezikohet nëse ata nuk E rregullojnë problematikën në kohë. Ekspertët në ISSH pohojnë se më së shumti janë të prekur punonjës të ndërmarrjeve shtetërore dhe sidomos të ujësjellësve, por gjeografia e institucioneve që nuk paguajnë sigurimet po shtohet çdo ditë. Të gjitha rastet duhet të zgjidhin çështjen në gjykatë. Por punonjësit që kanë punuar në shtet janë treguar më të pakujdesshëm për të monitoruar pagesën e sigurimeve dhe gjithashtu për të mbajtur dokumentacionin të plotë. Problematika është komplekse përveç mospagesës së sigurimeve, entet publike kanë humbur dosjet, kanë ngatërruar të dhënat, duke krijuar një problematikë komplekse që mohon pensionin e pleqërisë për shumë nga këto persona. Rruga e vetme është gjykata, por kur dokumentet mungojnë gjithçka bëhet e pamundur.

N.Sylaj, e cila ka punuar në një pozicion specifik në HEC-in e Fierzës, prej katër vitesh është në proces gjyqësor me Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve. Deri më tani, me pozicionin e punës së saj kanë përfituar pension tetë veta, kur në të vërtetë kanë punuar vetëm dy persona. Raste të tilla janë me mijëra.

Përveç pagesës së ulët, pensionistët shqiptarë në tri dekadat e fundit janë ndeshur shpesh me problematika që kanë të bëjnë me dokumentacionin për pagesat dhe vitet e fundit. Në fillim të viteve 1990, për ish-ndërmarrjet bujqësore ka munguar dokumentacioni dhe më pas gjatë tranzicionit dhe ngjarjeve të vitit 1997, shumë arkiva janë dëmtuar. Për të vërtetuar vitet e tyre të punës, shumë pensionistë tani duhet të hapin procese gjyqësore që, me anë të dëshmitarëve të vërtetojnë vitet dhe pozicionin e punës. Mirëpo duke qenë se pensionet false kanë qenë një fenomen i përhapur pas viteve 1990, nevoja për konsolidim në buxhetin e sigurimeve ka sjellë vështirësi të reja. Ka shumë raste që një pozicion pune i caktuar është dubluar me të tjerë që kanë përfituar pensione false. Kur vjen mosha e pensionit, personi që ka kryer punën me të vërtetë, has në vështirësi për të fituar të drejtën e pensionit. Gjykatat dhe Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve kanë forcuar kriteret për vlerësimet, kështu që shumë persona në moshë pensioni po përballen me vështirësi për të vërtetuar vitet e punës me dëshmitarë.

Por ekspertët e ISSH-së thonë se këto problematika do të zgjidhen njëherë e mirë me informatizimin e sistemit të pensioneve. Krijimi i një regjistri dixhital për dosjet e pensioneve do të zhveshë skemën nga abuzimet dhe spekulimet dhe gjithashtu do të sigurojë një transparencë më të madhe për të interesuarit. Tashmë, regjistri online është plotësuar nga viti 2011 e deri më aktualisht, ndërkohë po punohet për hedhjen e të dhënave edhe për vitet e mëparshme.

Si po përsëriten borxhet e bujshme të sigurimeve të 2015

Në janar të vitit 2014, Erion Veliaj, atëherë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, doli në një konferencë shtypi për të ngritur alarmin e akumulimit të një borxhi të madh në arkën e sigurimeve shoqërore nga qeveria e mëparshme. “Rreth 53 mijë subjekte, nga të cilat 1407 institucione publike buxhetore, nuk u kanë paguar sigurimet shoqërore punëtorëve të tyre të deklaruar gjatë tetë viteve të qeverisë së kaluar”, – tha Veliaj.

Në total, ato kanë rrezikuar pensionet e 250 mijë shqiptarëve, deklaroi ministri Veliaj. Ai përmendi disa nga institucionet më të rëndësishme si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, ALUIZNI, QSUT-ja etj., të cilat gjatë tetë viteve të qeverisjes së kaluar nuk u kanë paguar sigurimet punonjësve të tyre, duke u rrezikuar edhe një pjesë të mirë të pensionit.

“Nëse kjo nuk do të ishte zbuluar, një pjesë e mirë e ushtarakëve do të rrezikonin të mbeteshin pa pensione. Ka reparte ushtarake të cilat kanë deri në 1 milion dollarë sigurime shoqërore të papaguara. Vendi ku kemi jetuar në 8 vite, ka qenë një vend i cili paska punuar në të zezë për mijëra zyrtarë të Republikës së Shqipërisë. Veç ministrive, ALUIZNI është institucioni me debinë më të madhe; një institucion që duhej të ishte përgjegjës për legalizimin e shqiptarëve që kishin ndërtuar në mënyrë ilegale, ishte vetë ilegal sepse punonte në të zezë”, tha Veliaj.
Nga ana tjetër, ai e cilësoi si qesharake dhe tragjikomike faktin se në 8 vitet e shkuara, as Ministria e Punës dhe institucionet e saj të varësisë nuk i paguanin sigurimet shoqërore. Ndërkaq, të gjitha institucionet shtetërore do të nisin të shlyejnë menjëherë detyrimet e prapambetura për kontributet shoqërore. Ky konstatim i ministrit Veliaj në atë kohë vjen me të njëjtin alarm edhe sot, ku situata paraqitet njësoj. Gati 1200 ente publike nuk paguajnë sigurimet e punonjësve, duke rrezikuar pensionin e mijëra personave.

Ekspertët e ISSH-së u bëjnë thirrje punonjësve që të kryejnë verifikime, teksa mijëra dosje pensioni po shqyrtohen në Gjykatën Administrative.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Tatimet, 13.8 miliardë lekë nga totali i detyrimeve ose 77% totalit është krijuar nga viti 2014-2016, teksa shihet se 3.2 miliardë lekë janë të mbartura para vitit 2013. Siç shihet nga të dhënat, borxhi ndaj arkës së sigurimeve është rritur me ritme më të shpejta vitet e fundit. Vetëm më 2018 u akumuluan 2.6 miliardë lekë detyrime të reja, ose 18.8% e të gjithë totalit.
Burimet nga Tatimet pohuan se një pjesë e madhe e këtyre detyrimeve u përkasin enteve publike dhe pushtetit lokal, pasi për bizneset private janë marrë masa shtrënguese. Nëse bizneset nuk paguajnë në kohë detyrimet për punonjësit, llogaritë bankare të tyre paguhen.

Mund të paguhen me këste

Institucionet publike që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore apo shëndetësore të administratës mund të hyjnë në marrëveshje për pagesë me këste. Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri së fundmi disa ndryshime në udhëzimin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ku nënvizon se përjashtimisht vetëm entet publike mund të përfitojnë nga kjo lehtësi. “Në rastet kur në cilësinë e tatimpaguesit janë institucione apo ente shtetërore apo publike, qendrore apo vendore apo ente të tjera ku shteti është palë, për raste të një interesi të lartë publik ose të nevojës për moslejimin e cenimit të rendit dhe të sigurisë kombëtare, mund të lidhet një marrëveshje me këste edhe për detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” thuhet në udhëzim.

Ndryshimi vjen në të njëjtin udhëzim ku janë prekur edhe pika të tjera, si ajo për rastet e lidhjes së marrëveshjes për pagesë me këste të disa detyrimeve nga ana e bizneseve. Sipas këtij udhëzimi, marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore, si rezultat i një vlerësimi tatimor të kryer, dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara (vetëvlerësimit) nga tatimpaguesi.
Pavarësisht hapësirave që mundësohen për pagesë me këste, udhëzimi sqaron se administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste, vetëm për detyrim tatimor mbi të ardhurat të mbajtur në burim dhe të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, si dhe për detyrim nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tatimpaguesit.

Në çdo rast, udhëzimi sqaron se hyrja në marrëveshje për pagesë me këste nuk lehtëson pozitën ligjore të personit përgjegjës në rastet e prezumimit apo konsumimit të veprës penale së parashikuar ligjërisht lidhur me detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësor. Një raporti i mëparshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit, por edhe vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kanë vlerësuar se mospagesa e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore po kthehet në problematikë të theksuar sidomos për bashkitë. Këto të fundit rezultojnë me mospagesa në vite të kontributeve të punonjësve të punësuar pranë tyre./MONITOR