Shteti është kapur, ja kush e gatoi ofertën që do ti kushtojë xhepave tanë 350 milion euro

Nga Klodian Tomorri

Në vitin 2017 kur Shqipëria nisi t’u hapë rrugë investimeve private në energjinë diellore, u miratua një skemë, e cila parashikonte se për centralet deri në dy mega blerja e energjisë do të garantohej për 15 vjet nga shteti me çmim preferencial, ndërsa për centralet më të mëdha çmimi do të përcaktohej me garë ose ata do të shisnin energjinë në treg të lirë.

Sipas kësaj skeme, Entit Rregullator ju ngarkua me ligj detyrimi që çdo vit të përditesojë çmimin me të cilën shteti ble energjinë nga centralet e vogla. Ky detyrim nuk ishte i paqëllimshem. Për shkak të avancimit teknologjik, kostoja e paneleve diellore ulet me shpejtësi, mesatarisht 10 për qind në vit, rrjedhimisht edhe çmimi i energjisë që prodhohet nga dielli.

Në përputhje me detyrimin që i ngarkonte ligji, për vitin 2017, ERE përcaktoi që çmimi i blerjes së energjisë për centralet deri në 2 mega të ishte 100 euro për mega vat. Por më pas çdo gjë ngriu.

Fillimisht harresa për të përditësuar çmimin e energjisë u perceptua si pasojë e burokracisë rutinë në zyrat e shtetit. Por arsyeja ishte një tjetër. Dikush kishte në plan të krijonte një biznes 700 milionë euro në 15 vitet e ardhshme dhe çmimi duhej mbajtur 100 euro për mega.

Për shkak të moszbatimit të ligjit nga ERE, çmimi me të cilin shteti ble energjinë nga centralet diellorë është ngrirë në nivelin e lartë 100 euro për mega. Dhe çdo licencë që jepet për sa kohë është në fuqi ky çmim, i garantohet blerja për 15 vjet me 100 euro për mega. ERE ishte institucioni i parë që u kap ose u pengua për të kryer detyrën. Por jo i vetmi.

Për të vënë në jetë planin e dhënies së 145 licencave të reja centralesh diellore deri ne 2 mega duheshin nxjerrë jashtë loje edhe pengesat e tjera kombëtare apo ndërkombëtare. Sekretariati i Energjisë në Vienë nuk u konsultua fare. Ndërkohë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, kompania publike që do të blejë energjinë nga këto centrale me çmimin e kripur e mori vesh lajmin vetëm pasi u publikua vendimi i qeverisë dhe urdhëri i Ministrisë së Energjisë.

Pengesa e fundit, ndaj ketij skenari të çmendur, Ministria e Financave bëri rolin e Shvejkut. Në përgjigjen formale që kthen për planin e Ministrisë së Energjisë për të dhënë 145 licenca të reja centrale diellore deri në 2 mega, MF shkruan se kjo nuk do të ketë asnjë impakt buxhetor ndaj s’ka pse te kërkohet mendimi i saj.

Edhe më naivet nuk e besojnë se Ministria e Financave nuk e di që kostot e llahtarshme të këtij plani do të bien në buxhetin e shtetit. Prova për këtë është shumë e qartë. Kush i ka paguar kostot e blerjes së energjisë sa herë që Shqipëria është përballur me krizë thatesire dhe OSHË dhe KESH nuk kanë patur para? Ministria këtë e di shumë mirë, por plani ishte urdhëruar nga lart dhe i duhej të bënte rolin e Shvejkut.

Kjo që po përgatitet është një bombë financiare. Me miratimin e planit të ri, centralet diellore do të mbijnë si kërpudha në të gjithë vendin. Imagjinoni marrëzine e hec-eve të vogla. Kjo është disa herë më e rëndë për disa arsye. Së pari, shumë nga hecet nuk u ndërtuan kurrë sepse marrin shumë kohë të ndërtohen. Centralet diellore ndërtohen shumë shpejt. Mjaftojnë më pak se dy vjet nga marrja e licencës.

Së dyti, për shkak të kostove. Hec-et kushtojnë, kurse një central diellor 2 mega e ndërton për 1.5 milionë euro dhe për 15 vjet vjel para të garantuara nga shteti, që shlyejmë me disa herë shumën e investuar.

Së treti, çmimi. Aktualisht çmimi i blerjes së energjisë nga hec-et e vogla është vetëm 10 për qind mbi importin, që duke marrë parasysh edhe kostot e transmetimit ulët edhe më poshtë. Kurse për centralet diellore çmimi është gati 40 për qind më shtrënjte se energjia e importit, para që do të paguhen nga qytetarët shqiptarë për zyrtarët e maxhorancës dhe oligarkët, të cilët do të marrin licencat për të ndërtuar këto centrale.

Ky është një skenar që duhet ndalur me çdo kusht. Është një çmenduri kostoja abuzive e të cilës shkon të paktën 350 milionë euro në 15 vjet. Jo vetëm për shkak të çmimit të kripur me të cilën do u blihet energjia centraleve të vogla, por edhe për shkak të kostove të larta që ato kanë nga disbalancat.

LEXO EDHE  Përplasjet institucionale/ Bejtja: Meta ‘diga’ e fundit e kushtetueshmërisë ...