Nga Boldnews.al
Dy materiale audio, njëri i servirur nga Ardian Visha, avokati i Agron (Geron) Xhafaj dhe një tjetër zyrtarisht pa autor, i kanë shërbyer prokurorit Gent Osmani që të manipulonte të gjithë veprimet e mëtejshme hetimore në favor të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i akuzuar publikisht për përfshirje në trafik narkotikësh.
Ky manipulim i trashë, por edhe kriminal, është zbuluar në seancën e radhës në gjykatën e Tiranës, ku po gjykohen për “kallëzim të rremë” në dëm të imazhit të Fatmir dhe Geron Xhafajt, ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi.
Gjatë shqyrtimit të akt-ekspertizës audio të bisedës ndërmjet Albert Veliut dhe Agron (Geron) Xhafaj, të kryer nga laboratori britanik, u konstatua se prokurori Osmani, i cili udhëhoqi hetimet për këtë çështje, kishte dërguar pranë “J.P.French” edhe dy materiale audio shtesë.
Njërin prej tyre e kishte “trafikuar” nëpërmjet Ardian Vishës, avokatit të viktimës, Agron (Geron) Xhafaj. Ndërsa materiali tjetër, megjithëse nuk identifikohet zyrtarisht se nga është “trafikuar” në dosje, kuptohet qartë që është servirur gjithashtu nga avokati i viktimës.
Hiletë me ekspertizën
Prokurori Osmani, në Korrik 2018, ka dërguar dy “paketa” me material audio për ekspertizë pranë laboratorik britanik “J.P.French”.
Pjesa e parë është dërguar në 6 Korrik 2018. Aty gjenden materiale jo-autentike, me një cilësi të dobët, siç ka raportuar më parë edhe “Boldnews.al”, por gjithësesi, të marra në rrugë proceduriale.
Në “paketën” e dytë, Osmani ka dërguar një material audio të dorëzuar nga avokati Ardian Visha, me titull “biseda telefonike e regjistruar ndërmjet Geron Xhafaj dhe një personi”, pa përcaktuar kohën dhe as autenticitetin e regjistrimit audio. Ky material është dërguar pranë “J.P.French” në 22 Korrik.

Pak ditë më vonë, në 25 Korrik, prokurori Osmani ka dërguar në laboratorin britanik një material tjetër “bisedë telefonike e regjistruar ndërmjet Geron Xhafaj dhe familjarëve”. Për këtë material, nuk ka asnjë akt mbi personin që e ka dorëzuar dhe, si në rastin e mëparshëm, nuk ka të përcaktuar as kohën dhe, mbi të gjitha, as autenticitetin e regjistrimit audio.
Këto akte, të marra tërësisht në rrugë jo-ligjore, i janë përcjellë laboratorik britanik për ekspertizë. Laboratori i ka konsideruar bazë për ekspertim këto mostra zëri, pasi nuk ka pasur asnjë arsye për të dyshuar se ato janë “fabrikuar” nga prokurori i çështjes, Osmani.
Madje, në aktin e dorëzuar pranë autoriteteve shqiptare, laboratori “J.P. French” shprehet tekstualisht se ka kryer ekspertizë edhe mbi këto dy materiale audio, të marra në mënyrë të paligjshme.

Kjo lëvizje e prokurorit të shkarkuar tashmë, Osmani, duket qartë se është bërë me qëllimin e vetëm për të ndërlikuar punën ekspertuese të “J.P.French”. Qëllimi u arrit.
Në përgjigjen e tij, laboratori konkludon se, në bazë të materialeve që ka në dispozicion, nuk mund të arrij në një konkluzion të saktë nëse është apo jo zëri i Agron (Geron) Xhafaj në bisedën me Albert Veliun për trafik narkotikësh.
Por, gjithësesi, laboratori thekson se, për aq sa mund të analizohet, zëri i Geronit, në materialin audio të publikuar nga PD është i ngjashëm me mostrën e zërit të marrë Agron (Geron) Xhafaj në prokurorinë e Tiranës, kur ai bëri denoncim për “kallëzim të rremë”.

“Presioni kriminal” i avokatit të viktimës
Indrit Sefa, avokati i gazetarit Olldashi, pyeti në seancë prokurorin Genc Qana që ndjek aktualisht procesin gjyqësor, se si janë marrë këto dy mostra zëri dhe kush i ka dorëzuar.
Prokurori Qana deklaroi se nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur, pasi hetimi është zhvilluar nga një prokuror tjetër (Gentian Osmani).
Avokati Sefa i drejtoi të njëjtat pyetje Ardian Vishës, mbrojtësit ligjor të viktimës Agron (Geron) Xhafaj. Visha deklaroi se materialin e parë, “bisedën telefonike të regjistruar ndërmjet Geron Xhafaj dhe familjarëve” e ka dorëzuar ai me proces-verbal tek prokurori Gentian Osmani, më datë 22 Korrik. Ndërsa për materialin e dytë, “bisedë e Geron Xhafaj me një person tjetër” nuk ka dijeni se kush e ka dorëzuar
Ky deklarim binte ndesh me proces-verbalin e dorëzimit, të nënshkruar nga vetë Ardian Visha dhe prokurori Gent Osmani, në të cilin shënohet “dorëzuar USB e bisedës së Geron Xhafaj me një person tjetër”.
Po ashtu, deklarimet e avokatit Ardian Visha, që pretendon se ka dorëzuar vetëm “bisedën e regjistruar telefonik të Geron Xhafaj me familjarët” bien në kundërshtim edhe me aktin e ekspertimit të laboratorik britanik.

Në dokumentin e tij, “J.P. French” deklaron, ndër të tjera, se ka marrë në dorëzim, në 22 Korrik 2018, materialin audio “bisedë e Geron Xhafaj me një person tjetër”.
Lapsusi “frojdjan” i mbrojtësit të viktimës zbuloi se dy materialet “e trafikuar” në dosje nga prokurori Osmani, janë dorëzuar prej tij.
Gjithësesi, siç rezulton nga aktet dhe deklarimet në seancë, Osmani e ka dërguar me urgjencë materialin audio të servirur nga avokati i viktimës në 22 Korrik, në të njëjtën ditë që e ka marrë në dorëzim.
Avokati Sefa kërkoi nga mbrojtësi i viktimës gjithashtu një përgjigje nëse materialin audio që i ka dorëzuar prokurorit Gentian Osmani”, i ishte kërkuar nga Prokuroria apo e kishte dorëzuar vetë. Avokati Visha u përgjigj se materialin e kishte dërguar vetë, pa kërkesë të prokurorisë.
Këto dy materiale rezulton se janë marrë në rrugë tërësisht jo-proceduriale dhe krijon dyshime të forta se lëvizja e avokatit Visha ka qenë një formë orientimi për prokurorin Osmani që të fabrikojë prova në favor të Agron (Geron) Xhafaj.
Në kohën e hetimeve, prokurori Osmani ka qenë nën ethet e Vetingut. Ai, duket se e ka shfrytëzuar devijimin e hetimeve nga Agron (Geron) Xhafaj tek denoncuesit publikë të tij, në përpjekjen e dështuar për të fituar mbështetjen politike të Fatmir Xhafajt, një prej njerëzve më me ndikim tek trupat e Vetingut.
Pas këtij “shërbimi”, prokurori Gentian Osmani, i cili arriti të zgjidhej edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, për shkak të problemeve serioze në Veting.
Nga kjo dinamikë ngjarjesh, po arrin të kompletohet skenari i ndjekur nga ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Osmani, në bashkëpunim me avokatin e viktimës, Ardian Visha, si edhe me zyrtarët e lartë të policisë, të cilët përpunuan “dëshmitarin e rremë” Fred Alizoti, për të deklaruar se ai ka luajtur rolin e Agron (Geron) Xhafaj në bisedën me Albert Veliun.
Procesi “Geron” po zbulon dalëngadalë një skenar, tipik mafioz, ku të gjithë strukturat ligjzbatuese janë vënë në dispozicion të ministrit të Brendshëm të kohës kur ndodhën ngjarjet, Fatmir Xhafaj, për t’i shpëtuar vëllain nga akuzat për trafik, si edhe për t’i ruajtur atij imazhin në aspektin publik.













