Humbi vajzën tre vite më parë,ja letra prekëse e Cun Lajcit pas premierës së filmit “Gjyshja“

Çun Lajçi, aktori i njohur nga Malësia e Madhe nuk kishte pranuar asnjë rol që pas largimit të parakohshëm nga jeta të vajzës së tij të vetme, 3 vite më parë në moshën 17 vjeçare.

Megjithatë pas këmbënguljes së regjisorit Eduart Grishaj, Çun Lajçi luajti në filmin me metrazh të shkurtër “Gjyshja” që e pati premierën dy ditë më parë.
Mes emocionesh dhe me një gjuhë që vetëm një aktor i madh mund të përdorë, Çun Lajçi ka shkruar një letër për vajzën e tij pas premierës.
Letra e siguruar nga Anabel.al, si më poshtë:

“Po Miraloshe, e pashë nji premierë mbas tri vitesh zie. Që kur vdiqe ti Mirake, vdiqën edhe kënaqësitë e premierave t’filmave t’mi.

U paluen dy e tani po palohet edhe viti i tretë që zvarritem rrugëve me dhimbje eshtnash, pa ma bajtë zemra me shkua me i pa rolet e mia n’filmat që i xhirova n’ato dy vitet kur ti po baheshe gati për udhëtimin e fundit.
Por s’mujta me ia prishë ngazëllimin e gëzimin nji regjisori t’ri, malësor i Malësisë Madhe, njisoj si unë i këtej bjeshkëve t’Nemuna, Eduart Grishës, që ishte rritë me portretin tim e fjalën e Fishtës dalë nga goja ime.
S’baj film pa malësorin Çun, kishte thanë dhe m’kërkoi me shumë kulturë mos me ia refuzua thirrjen. Shkova bashkë me Galën, por jo si dikur me ty Mirake!
Dhe bamë fotografi përpara nji panoje t’madhe ku shkruente “Gjyshja” ku ishin edhe tre emna aktorësh dhe i regjisorit Eduart.

E urova Emën e Ritën, koleget e mia që shkëlqenin n’filmin e parë t’Grishës.
Urova regjisorin e ma uroi edhe ai mua Sokolin.
Mbas premierës së filmit ishim edhe ma t’lumtun, se puna fliste vetë. Kishte ba diçka t’thjeshtë, diçka t’bukur, diçka që s’kërkonte shpjegime e analiza. Nji thjeshtësi arti që kishe dëshirë me pa!

LEXO EDHE  Rita Gjeka e zhgënjyer nga Edi Rama: Për mua është kriminel

Ishte kthye bukur n’kohën e errët enveriste e bukur i kishte portretizua malësorët e Bogëve ( jo t’Rugovës jo, por t’Malësisë Madhe)
Ishte mrekulli të takoje njerëz që pa s’i kisha me vite. Aktorë filmi e teatri e regjisorë që rrallë flasin me gjuhën e filmit!
Ishin gati të gjithë yjet e kangës e t’ekranit shqiptar.
Por… e kisha pas harrua nji mik t’ri, nji kolegun tim me t’cilin isha mishnua shumë te “Koha e Kometës”, atë çunin e ri Bes Kallakun, që lamë gjurmë t’bardha n’filmin e Koçit.
U përqafuam, u përqeshëm, u shamë, u ngucëm njisoj si para 10 vitesh teksa po xhironim bjeshkëve t’Mavrovës.
Kjo asht grueja ime, m’tha, për Xhensilën, bukuroshen, yllin e ri t’kangës. Kjo asht fansja jote ma e madhja n’shqiptari, m’tha. Kuptohet, falë meje që e kam torturua çdo ditë tue folë për ty, dhe qeshëm!
Nji darkë që s’harrohet ishte ajo natë në restorantin e Bes Kallakut me Galën time e Xhensilën e tij.

Të nesërmen erdhi Edi Grishaj me m’pa a kisha djeh mirë n’hotelin Hilton, dhe shkuem n’studio t’Top-Channelit t’flasim për premierën e filmin “Gjyshja”.
Kur e pyeti gazetarja, pse Çuni n’filmin tand (që lente me kuptua se Tirana ka plot aktorë, Çuna), Edi u përgjigj: Sepse s’ka ma t’besueshëm e ma fisnik për ekranin se Çuni dhe deri sa t’jem gjallë ai do t’jetë n’filmat e mi!
Unë qesha e thashë: Ishalla s’jetoj gjatë pra, se paske me sharrua me filma!
Po Miraloshe, e pashë nji premierë mbas tri vitesh zie!” – përfundon letrën aktori i madh