Dokumentat/ Testimi, kandidatet për Kushtetuese, Vorpsi e Toska nuk morën as pikët minimale për Magjistraturën

Kandidatet për në Gjykatën Kushtetuese, Elsa Toska (majtas) dhe Arta Vorpsi (djathtas)

Nga Boldnews.al

Dokumentat zyrtare tregojnë se Arta Vorpsi dhe Elsa Toska, dy kandidate për në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë marrë pikët e nevojshme që u duhen studentëve për t’u regjistruar në Shkollën e Magjistraturës.

Vorpsi dhe Toska, dy këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, u përfshinë në një testim nga Shkolla e Magjistraturës në Maj 2018 së bashku me mbi 45 ndihmës ligjorë të tjerë në institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

Testimi u organizua në përmbushje të përcaktimeve të ligjit të Vetingut, sipas të cilit, ndihmësit ligjorë që arrin një minimum prej 60 pikësh, si edhe kalonin me sukses procesin e rivlerësimit, kishin mundësinë të fitonin statusin e magjistratit.

Juristet Arta Vorpsi dhe Elsa Toska kanë marrë përkatësisht 56 dhe 57 pikë, rezultat më i ulët sesa limiti minimal prej 60 pikësh nga 100 të mundshme, që kërkohet për pranimin e studentëve të rinj në Shkollën e Magjistraturës.

Rezultati zyrtar i testimit të zhvilluar nga Shkolla e Magjistraturës për subjektet Elsa Toska dhe Arta Vorpsi

Megjithatë, dy këshilltaret ligjore kanë marrë viston e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për të vijuar garën për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, duke vënë në pikëpyetje procedurat e ndjekura për vlerësimin e tyre.

Boldnews.al”, i cili ka raportuar më parë për këtë situatë referuar burimeve të redaksisë, siguroi tashmë informacionin zyrtar mbi rezultatet e testimit, bazuar në një kërkesë për informim drejtuar Shkollës së Magjistraturës.

Testimi
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, në përgjigjën për “BN” informon se këshilltaret ligjore Arta Vorpsi dhe Elsa Toska (si edhe kolegët e tyre në institucionet e tjera) janë përfshirë në testimin e posaçëm për aftësitë profesionale, të përbërë nga dy faza-faza e parë është testimi elektronik dhe faza e dytë është ai profesional.

Në përfundim të testimit, “kandidatja Arta Vorpsi ka marrë 56 pikë në testimin elektronik dhe 145 pikë në testimin profesional. Ndërsa kandidatja Elsa Toska ka marrë 57 pikë në testin elektronik dhe 153 pikë në atë profesional”, informon Sadushi.

Gjithashtu, ai deklaron se “qëllimi i vendosur nga ligji… (për testimin, shën.red), nuk është që t’i japë rol përcaktues vetëm testimit profesional, por të ndihmojë organet e rivlerësimit…për të vlerësuar si aftësitë profesionale për subjektet e rivlerësimit ex officio mbi rezultatet e testimit profesional, ashtu edhe të punës së kryer prej tyre në institucionet ku punojnë”.

Në vijim të këtij shpjegimi ligjor, Sokol Sadushi thekson se “konkluzionin përfundimtar mbi nivelin e aftësive profesionale të subjekteve ex officio nuk e bën Shkolla e Magjistraturës, por është dhe mbetet një detyrim ligjor i organeve të rivlerësimit” (Vetingut).

Pikët minimale
Në nenin 25 të Rregullores së Shkollës së Magjistraturës, parashikohet mënyra e vlerësimit të testimit për subjektet ex officio (përfshirë këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese), si edhe niveli minimal i pikëve për kalimin e provimit.

“Në fazën e parë, teza e testimit elektronik…vlerësohet maksimalisht me 100 pikë dhe ka të njëjtën strukturë dhe të njëjtin vlerësim si teza e testimit të pranimit për kandidatët për magjistrat …”, thuhet në pikën 4 të këtij neni. Ndërsa “në fazën e dytë, testi profesional …. vlerësohet në maksimum deri në 200 pikë”.

Rregullorja e Shkollës së Magjistraturës për subjektet ex-officio

Gjithnjë sipas përcaktimeve të Rregullores, “Subjektet…të cilët kanë marrë të paktën 60 pikë në testimin elektronik dhe mbi 60 për qind të pikëve të testimit profesional, dhe pasi kanë marrë konfirmimin në detyrë nga institucionet e rivlerësimit, kanë të drejtë të ndjekin programin dyvjeçar të trajnimit teorik dhe të praktikës profesionale në Shkollën e Magjistraturës”.

Në bazë të këtyre përcaktimeve, konstatohet qartë se faza e parë e testimit është e njëjtë me atë që aplikohet për studentët e rinj të Shkollës së Magjistraturës, përfshirë edhe limitin e nevojshëm minimal për kualifikim, 60 pikë.

LEXO EDHE  Rama, ish basketbollisti që do të jetë edhe lojtar edhe arbitër

Pikërisht, në bazë të këtyre parashikimeve, subjektet Arta Vorpsi dhe Elsa Toska, nuk do të ishin pranuar në Shkollën e Magjistraturës, nëse ato do të kandidonin si studente, për shkak se kanë marrë më pak pikë se niveli minimal i pikëve.

Referuar rezultateve të testimit, Vorpsi dhe Toska kanë arritur pikët e nevojshme (mbi 60%) të fazës së dytë të testimit. Gjithësesi, Rregullorja e Shkollës së Magjistraturës parashikon se kandidatët ex officio, për të zhvilluar kursin 2-vjeçar të trajnimit pranë saj, duhet të arrijnë, në mënyrë kumulative, “të paktën 60 pikë në fazën e parë dhe të paktën 60% të pikëve në fazën e dytë”.

Duke qenë se juristet Arta Vorpsi dhe Elsa Toska nuk plotësojnë njërin prej këtyre kushteve, atë të fazës së parë, ato janë të përjashtuara nga mundësia për të vijuar kursin 2-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës, për të marrë më tej titullin magjistrat dhe për të ushtruar funksionet në gjykatën apo prokurorinë e shkallës së parë.

Por, në mënyrë ironike, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) i ka kualifikuar dy juristet si kandidate potenciale për zgjedhjen në shkallën më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në Gjykatën Kushtetuese.

Vetingu
Testimi i kryer nga Shkolla e Magjistraturës, megjithëse është me rëndësi vendimtare për gjyqtarët dhe prokurorët e rinj, nuk ka këtë rol në procesin e rivlerësimit (Vetingut) dhe në përzgjedhjen e kandidaturave për institucionet e larta të sistemit të drejtësisë.

Këshilltarja ligjore Elsa Toska, kandidate zyrtare për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, është konfirmuar në detyrë në Shkurt 2019, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e vlerësoi pozitivisht në tre kriteret, përfshirë edhe atë profesional.

Në vendimin e zbardhur për subjektin Toska, trupa e Vetingut e përbërë nga kryesues Valbona Sanxhaktari, relatore Genta Bungo (Tafa) dhe anëtar Lulzim Hamitaj, shpreh vetëm me një paragraf se “…subjekti, në fazën e parë, ka arritur të marrë 57 pikë nga 100 në total, ndërsa në fazën e dytë ka arritur të marrë 153 pikë nga 200 në total…”. Vendimi nuk ka asnjë analizë të thelluar mbi rezultatin e testimit.

Rezultati i fazës së dytë të testimit në Shkollën e Magjistraturës për subjektin Elsa Toska

E njëjta trupë, e përbërë nga Hamitaj, Sanxhaktari e Bungo, vetëm se me role të ndryshuara, e ka trajtuar në mënyrë identike edhe rastin e këshilltares tjetër ligjore, gjithashtu kandidate për në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi.

Në vendimin e konfirmimit në detyrë të Vorpsit, treshja e Vetingut, duke e vlerësuar për aftësitë profesionale, shprehet gjithashtu vetëm me një fjali dhe pa analizë të theksuar për rezultatin e testimit: “…Konstatohet se subjekti, në fazën e dytë të këtij testimi, pjesë e vlerësimit profesional, ka arritur të marrë 145 pikë nga 200 në total”.

Rezultati i fazës së dytë të testimit në Shkollën e Magjistraturës për subjektin Arta Vorpsi

Arta Vorpsi dhe Elsa Toska janë tashmë kandidate zyrtare për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, pasi ato u kualifikuan me vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në Korrik 2019.