Nga Boldnews.al
Ai tërmet i rëndë i orës 16.04 të së shtunës, tronditi fort qytetarët e Tiranës dhe të Durrësit. Ankth, pasiguri, 600 banesa të dëmtuara, 105 qytetarë të lënduar, por dora e Zotit e la me kaq, me disa lëkundje më të vogla pas të madhit dhe pjesa tjetër i mbetej në duar qeverisë qendrore dhe lokale.
E çfarë nuk u tha. Shpërtheu bota vituale. Fort të kuptuar qytetarët që nën ankthim e madh kërkonin sa më shumë informacion. Por qeveria u angazhua virtualisht, mbledhje, takime, fjalë të shumta, premtime “vullkanike”, por punë pare pak.
Si fillim duhet shpërndarë lajmi: “Kryeministri anulon vizitën në SHBA, do kthehet urgjentisht pasi ndodhej në Gjermani”. Lajmi tjetër: “Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u bën thirrje qytetarëve të që për çdo rast të telefojnë numrin 112”. E lajm pas lajmi, ministër pas ministri, edhe ata që nuk kishin lidhje me situatën emergjente. Halli ishte real, zgjidhja vituale.
Kur vetë strukturat qeveritare duhet të ishin në terren, ata rrinin nëpër zyra, në mbledhje të gjata, ku tentohej gjithsekush të binte në sy. Meritë pas merite, sa mirë po e administronin këtë siklet. “Menaxhim mbresëlënës”-shkruante kryeministri, ndërsa ishte ende nën shkundjen e avionit, pa mbërritur e parë me sy të vërtetën.
Media ishte në ballë të parë, që detyrohej të merrte individualisht sizmiologë dhe inxhinierë që të tregonin për pasojat, çfarë mund të pritej dhe si duhet të reagonin qytetarët në raste të tronditjeve të tjera të tërmetit në vijim.
Po qeveria, ku i kishte ekspertët? Ata janë, por rolin e tyre e bënë “kryeeksperti” Edi Rama, që është edhe kryeministër dhe “kryeksperti” Erion Veliaj, që në botën virtuale është edhe kryebashkiak.
Më qesharake, e dhimbshme, që të sillte ankth po aq sa tërmeti, ishte mbledhja e qeverisë dhe grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në paraditen e së dielës. Fort gjatë foli kryeministri, pa asnjë specialist të fushës në krahë, ku në raste të tilla fjalë duhet të ishte e tyre.
“Gjëja kryesore është që njerëzit të dëgjojnë që plasaritjet nuk janë probleme strukturore. Edhe kryeministria është plasaritur, por nuk ka probleme strukturore. Gjëja e parë që ndodh nga një hemorragji është shfaqja e shenjave në lëkurë. Kështu është edhe situata me suvanë. Plasaritjet nuk duhet t’i shqetësojnë. Për çarjet e pallateve, duhet parë nëse është fuga sizmike ajo që ka funksionuar duke amortizuar. Nëse ka çarje të strukturës, jemi në kushtet që duhet të parandalojmë rrezikun. Sot nuk jemi në kushtet e rrezikut eminent”, tha Rama.
Kush mund ti besonte fjalës së tij? As Rilindasi më i thekur në raste të tilla më shumë beson tërmetin e vërtetë sesa thëniet e kryeministrit. Që nga pasditja e vonë e së shtunës deri në mesditën e sotme, kryeministri Edi Rama dhe Erion Veliaj janë shfaqur në media 280 minuta. A bëhët politikë me tërmetin? Çmenduri, histerizëm dhe një përbuzje e madhe për këdo qytetar, të majtë a të djathtë, të varfër a të pasur, ku në vend që të informoheshin nga specialistë të fushave përkatëse, detyrohen të shohin fytyrat e pudrosura të zyrtarëve qëndror dhe lokal.
Por bota vituale zhvendoset… Natën e mbrëmshme mijëra qytetarë të Tiranës me fëmijë në duar dhe plaçka sa të mundnin, zbritën nga pallatet dhe dolën në rrugë me ankthin se ishte përhapur lajmi se: “Në orën 23.30 pritet një tërmet i fuqishëm”. Lajmi mori dhenë që rreth orës 21.00, por qeveria me sy të përgjumur nxorri ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka në orën 12 të natës, për të përgënjeshtruar dhe bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe se nuk kishte nëvojë për panik.
Për fat të mirë në këtë dalje në krah kishte sizmologun, i cili tha fjalën e tij se është lajm i rremë dhe se tërmetet nuk parashikohen, duke e përforëcuar edhe me të dhëna shkencore. Njërëzia u qetësua! Ja kaq ishte, mos lini ministra e ministresha për të bërë ekspertin. Botën vituale të “qeverisjes së mirë” lerëni në një kohë tjetër. Sot qeveritari, deputeti, zyrtari lokal duhet të shkojë banesë më banesë të dëmtuar dhe jo në zyrat e luksit në mbledhje të gjata, që shërbejnë jo për zgjidhje, por protagonizëm. Tërmeti ishte i vërtetë, qeveria është virtuale!