Nga Boldnews.al
Dyshimet mbi ligjshmërinë e një shume prej 45 mijë eurosh, si edhe për fiktivitet në një kontratë shit-blerje pasurie nga ana e kandidates për Inspektore të Lartë të Drejtësisë, Eris Hysi, kanë ndarë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilët, gjithësesi, me një shumicë shumë të ngushtë i kanë hapur dritën jeshile për vijimin e garës për postin e lartë.
Eris Hysi, avokate në studion “Haxhia & Hajdari” është një prej 4 aplikantëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, të cilët u lejuan për kandidimin për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Bashkë me Hysin, në garë janë edhe Artur Malaj, Artur Metani dhe Marsida Xhaferllari.
Rasti “Hysi” është shoqëruar me diskutime të shumta mes anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtëri, e reflektuar kjo edhe me votë. Eris Hysi ka fituar të drejtën e kandidimit një shumicë të brishtë prej katër anëtarësh të KED- kryetarit Ardian Dvorani, si edhe anëtarëve Fatri Islamaj, Eriol Roshi dhe Fatjona Memçaj.
Ndërsa 3 anëtaret e tjera, Vitore Tusha, Arta Marku dhe Margarita Buhali, kanë qenë kundër lejimit të kandidimit të Eris Hysit për postin e Kryeinspektores së Drejtësisë.
Shkak për këtë ndarje të thellë mes anëtarëve të KED-së ka qenë një raport negativ i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) mbi ligjshmërinë e burimeve të pasurisë së kandidates Hysi.
Dyshimet për pasurinë
ILDKPKI, një prej institucionëve ndihmës të KED-së për verifikimin e kandidaturave për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, ka konstatuar se aplikantja Eris Hysi ka dy problematika thelbësore;
– E para, Eris Hysi rezulton se, në regjistrimin e apartamentit në zonën e “Kodrës së Diellit” ka shënuar vlerën 77.347 euro dhe jo me çmimin real të paguar prej saj, 108.000 euro. Gjithashtu, për këtë apartament, ILDKPKI konstaton se nuk janë paguar tatimet mbi fitimin.
– E dyta, Eris Hysi nuk justifikon me burime të ligjshme të paktën 45 mijë euro, të deklaruara si të ardhura nga aktiviteti në zyrën avokatore.
Apartamenti
“Boldnews.al” ka siguruar vendimin e plotë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili lejon kandidimin e Eris Hysit për Kryeinspektore të Drejtësisë, shoqëruar edhe me relacionin e anëtarëve të pakicës.
Në këtë vendim, as shumica dhe as pakica e KED-së rezulton se nuk janë fokusuar tek diferenca e çmimit të regjistruar të apartamentit, me atë real të paguar prej Eris Hysit. Diferenca mes çmimeve krijon dyshimet për kontratë fiktive, por 7 anëtarëve e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e kanë anashkaluar këtë detaj.
Nga vendimi, rezulton se fokusi i verifikimeve mbi apartamentin ka qenë tek “mos-pagesa e tatimit mbi fitimin”. Për këtë pikë, kandidatja Eris Hysi ka shpjeguar se “tatimi mbi fitimin” paguhet nga përfituesi i shumës, pra nga shitësi.
Avokatja, në cilësinë e blerëses, nuk ka krijuar të ardhura nga ky transaksion dhe për këtë arsye, nuk ka qenë detyrimi i saj për të paguar tatimin mbi fitimin. Sqarimi është pranuar në mënyrë unanime nga anëtarët e KED-së.
Dyshime mbi të ardhurat
Pika që ka ndarë fort anëtarët e KED-së në verifikimet e kryera mbi Eris Hysi, janë të ardhurat e siguruar prej saj ndër vite dhe sidomos një shumë 45 mijë euro, të cilën kandidatja e ka përfituar në vitin 2018.
ILDKPKI ka mbështetur qëndrimin se kjo e ardhur nuk është e ligjshme, përsa kohë nuk janë paguar tatimet mbi të. Kandidatja Hysi, në prapsimet e saj drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka deklaruar se shuma 45 mijë euro është e ligjshme.
Duke dhënë një shpjegim të zgjeruar mbi procedurat tatimore, Hysi ka shpjeguar bashkëpunimin me dy avokatët e tjerë, Maks Haxhia e Artan Hajdari si një “ortakëri e thjeshtë” në formën e personit fizik. Sipas procedurave tatimore, “personi fizik” nuk shpërndan divident, por vetëm ndan fitimet.
Për shumën prej 45 mijë eurosh, e cila ishte në dyshim, Hysi deklaroi për KED-në se ato ishin fitimet e disa viteve, të kaluara në llogarinë e saj në mesin e vitit 2018.
Sqarimet e aplikantes Hysi, si edhe verifikimi i kryer mbi procedurat tatimore, bindën shumicën prej 4 anëtarësh të KED-së mbi ligjshmërinë e shumës 45 mijë euro.
Por, mbi të njëjtat referenca ligjore dhe dokumenta të prezantuara nga Eris Hysi, 3 anëtaret e pakicës argumentojnë se aplikantja nuk justifikon me burime të ligjshme, të paktën shumën prej 45 mijë eurosh.
Anëtaret e pakicës vlerësojnë se, bazuar në dokumentacionin e dorëzuar nga zyra avokatore në Tatime, “nuk rezulton që të jetë shpërndarë fitimi për vitet 2015, 2017 dhe 2018, në kundërshtim me sa pretendon kandidatja”.
Në opinionin e pakicës, “kandidatja, duke qenë anëtare e shoqërisë (avokatore) ajo është në dijeni se ndarja e fitimit bëhet vetëm me vendimin e anëtarëve të shoqërisë dhe mungesa e këtij vendimi, i cili gjithashtu nuk është dorëzuar në administratën tatimore, e bën të paligjshëm kalimin faktik të shumës së fitimit nga shoqëria në llogarinë personale të saj”, argumenton treshja Tusha-Marku-Buhali.
Prandaj- konkludon pakica e KED-së- “nuk rezulton e provuar ligjshmëria e të ardhurave të përfituara prej 45 mijë euro nga kandidatja (Eris Hysi) për vitin 2018, pasi nuk provohet të jenë paguar tatimet për to jo vetëm për tatimin mbi të ardhurat personale, por as për tatimin mbi fitimin që paguhet nga shoqëria”.
Bazuar në sa më sipër, pakica shprehur mendimin që Eris Hysi të mos lejohej të kandidonte për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, duke qenë se nuk plotëson kriterin e pasurisë së ligjshme.
Gjithësesi, 4 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ishin në favor të argumentave të Eris Hysit dhe, përfundimisht, avokatja tashmë është pjesë e garës për Kryeinspektore të Drejtësisë.