Ambasadorët në Tiranë si vegla të Rilindjes

Nga Boldnews.al

Ndërsa afër ish-Stacionit të dikurshëm të Trenit në Tiranë po piqej për dhjetë orë vendimi për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ndoshta diku në Kirgistan, Amabasadori i atyshëm, i joni i dikurshëm, Donald Lu kishte vendosur “tiganin në zjarr” për të skuqur “peshkun e madh”, që aq shumë e kërkoi.

Fterja iu “nxi”, peshk nuk i erdhi, por diku në “Rrugën e Elbasanit”, Ambasada e SHBA-së në Tiranë poqi një reagim për mediat për vendimin që u dha nga gjykata për Saimir Tahirin.

“Vendimi kundër ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”-deklaroi ambasada e SHBA-së në Tiranë. Në të njëjtën linjë ishte edhe qëndrimi i ambasadës britanike, ndërsa të tjerat, veçanërisht ajo gjermane, u rezervua duke mos “komentuar vendimin e gjyqësorit”.

Një ambasadë që merr përsipër komente mbi një vendim gjyqësor, të një vendi që e “quajnë demokratik”, me “qeveri legjitime” që ka “ecur përpara me reforma”… Duke ia hequr të gjithë këto epitete, një pikëpyetje e madhe ngrihet, por pakush guxon ti japë përgjigje, sepse stepen, vetëm se reagimi vjen nga përfaqësuesit Amerikanë. A mund të deklarohet ambasadori amerikan në Itali, fjala bie, për një proces gjyqësor atje?

I pari që nuk do e pranonte këtë do ishte ish-prokurori italian Luigi Soreca, sot ambasador i BE-së në vendin tonë. Kur veshin kostumin e diplomatit mund të vijnë me ide e projekte të qarta, por shpejt rrugës anojnë nga “shqiptarizimi i pushtetit”. Këtu në Shqipëri ata ia japin të drejtën që të komentojnë shumëçka në gjithçka ndodh, përfshi edhe vendimet e gjykatave, ndonëse ka një postulat të vjetër, që ka dalë pikërisht nga jurisprudenca anglosaksone: “Kur flet gjykata heshtin të gjithë”.

Pavarësisht fakteve, nëse Tahiri është fajtor apo i pafajshëm, Ambasada Amerikane por edhe të tjerat, po sillen si Prokurori, Gjykatë e Shkallës së Parë, Gjykatë Apeli, Gjykatë e Lartë apo edhe Kushtetuese. Dhe aty flitet për “drejtësi të re”.

Para se hartuesit e reagimit të ambasadës sonë fort mike të shkruanin, duhet të njiheshin me faktin se dy nga tre prokurorët që përfaqësonin akuzën kundër ish-ministrit Saimir Tahiri, e kanë kaluar vetingun, pra janë pjesë e “sistemit të ri të drejtësisë”, që SHBA dhe disa vende të BE-së e konsiderojnë si markë të tyren. A mos çështja Tahiri ishte edhe fillimi i fundit të pashpallur të drejtësisë së re?

Emrat e vjetër të politikës në pushtet, dukshëm kanë shtrirë duart duke rënduar në peshoren e drejtësisë së re. Janë po këta diplomatë, karriere apo rishtarë, që i dhanë kryeministrit Edi Rama mbështetje politike, duke e veçuar atë si “mbrojtës të Reformës në Drejtësi”. Ka dy vjet që vendi lëngon, ulëret për drejtësi, por institucionet nuk ekzistojnë. Gjykatë të Lartë nuk ka, Kushtetuesja ka mbetur vetëm si ngrehinë godine, por pa prymë të gjallë njeriu brenda. Dosjet janë zverdhur nga koha, edhe pse mbajnë fatet e shumë njerëzve qytetarë tanët.

Autorët e kësaj katrahure, me apo të paqëllimtë, janë edhe ambasdorucë me dy axhenda, tjetër shesin në vendin e tyre, e tjetër transmetojnë këtu. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, me shqipen e ngadaltë, por fort të pastër, kërkonte “peshq të mëdhenj” para drejtësisë. Zyrtarë dhe ish-zyrtarë që të përballeshin me akuza dhe vuanin pasojat për dëmet e shkaktuara. Asnjë peshk nuk ra në rrjetën e tij, ato i kërkonte kudo, por nuk donte ta besonte se në të vërtetë i gjendeshin aty pranë, në çdo takim që mbante.

LEXO EDHE  Sot pasdite, opozita në protestë/ Ja ç'pritet të ndodhë

Kryeministri, ministra, ish-ministra, deputetë të komisionit të ligjeve që dolën të gjithë në bllok në dosjen 184 në masakrën e krimit elektoral në Dibër, nuk shiheshin nga ambadorët. A nuk gjetën pak kohë për të pasur një reagim? Apo në këtë rast “ishte çështje e drejtësisë” së pavarur?

Përkundrazi, ata cilësoheshin bashkëpunëtorë të denjë të një reforme të re të drejtësisë. Axhenda kërkonte koka për të prerë dhe shpejt do vinte. Në dhjetor të vitit 2017, shkarkohet kryeprokurori Adriatik Llalla dhe në vendin e tij, mazhoranca, nën pëlqimin e disa juristëve me “vulën” e OBDAT dhe EURALIUS, caktuan Arta Markun Prokurore të Përgjithshme të Përkohëshme.

Fati e solli që Marku po na del e përhershme, dhe e kudondodhur në mbylljen e dosjeve të bujshme, personazhet e të cilëve janë zyrtarët e lartë aktual të pushtetit qëndror dhe lokal. Ka dy vjet që është në krye të institucionit të akuzës, por qoftë edhe një zyrtar i mesëm nuk ka përfunduar para drejtësisë për “korrupsion dhe shpërdorim detyre”.

Po raportet e DASH a i lexojnë përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Tiranë? Në raportin e fundit thuhet se: “ekziston korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes”, duke shtuar se “korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar”.

Për dosjet e krimit elektoral, lidhjet e politikës me trafikantë dhe vrasës doli në protestë opozita. Në disa nga protestat e saj, para se të ndodhnin, dilte reagimi i ambasadave. U bëhej thirrje me emër liderëve opozitarë që të shmangnin protestat, e quanin “dhunë ndaj institucioneve” kur hidhej një kapsoll.

Ata nuk i kishin sytë e veshur nga gazi lotsjellës që mbyti qytetarët në protestat e opozitës, por kurrë nuk reaguan. As atëherë kur bombat helmuese u zbrazën brenda shtëpive ku gjendeshin gra shtatzëna, fëmijë të mitur dhe moshuar të cilët tentonin të mbronin banesat e tyre nga makutëria e kryebashkiakut të Tiranës për shtesa bulevardi dhe ndërtime pallatesh.

Ndodhin edhe çmenduri të tilla që një përfaqësues i lartë, nga ata më të epërmit të OSBE-së, reagon kur drejt policisë hidhet një bidon ujë, por asnjë qëndrim nuk pati për dhunën çnjerëzore me kocka të thyera ndaj Sait Dollapit, që për dy shkopinj gome me shumë, sot mund të mos ishte mes të gjallëve.

Dhe ky Borchardt u indinjua kur një grup të rinjsh, të gjithë studentë, pa asnjë krim mbi supe, shkruajtën: “Turp për ju zoti Borchardt”. Është përfaqësues i OSBE-së ne vendin tonë dhe dy parimet bazë ka: “të monitorojë lirinë e medias dhe vëzhgojë çështjet zgjedhore. Ende edhe sot e kësaj dite nuk ka qoftë një qëndrim të butë mbi raportin e fundit të zyrës qendrore të OSBE/ODIHR mbi votimet e 30 qershorit, që nxinë gjithçka, por askush nuk diplomatët në vendin tonë nuk iu referua. Një pjesë sillen si guvernatorë të vendit tonë, por me veprime prej agallarësh në mbrojtje të “Pashallarëve të Kuq”.