Përse “dënimi” i Saimir Tahirit nuk gënjen dot askënd

Nga Boldnews.al

Shkruesit qeveritarë, nën stilin e përdorur më parë nga Erion Veliaj, tashmë do të kenë nisur mesazhet në kancelaritë ndërkombëtare-Saimir Tahiri u dënua, megjithëse vendimi i shkallës së parë është paraprak dhe mund të përmbyset në Apel.

Teksti i këtyre shkruesve, natyrisht do të jetë shoqëruar me përbetimet se Reforma në Drejtësi në vendin tonë po funksion, se prokuroria dhe gjykata janë aq të pavarura, sa të godasin lidhjet e pushtetit me krimin, se ekzekutivi nuk ka mundësi të ndërhyrë në vendimmarrjen e gjyqësorit dhe se, falë këtyre, Shqipëria, nën qeverinë e Edi Ramës, e meriton hapjen e negociatave në 18 Tetor.

Por, përtej mesazheve euforikë, të cilët, tek disa ndërkombëtarë edhe mund të bëjnë efekt, do të jetë e vështirë të bindin skeptikët jashtë Shqipërisë, ashtu si ky vendim nuk bind edhe dyshuesit e shumtë brenda vendit.

Arsyet janë të shumta, për të mos i besuar propagandës qeveritare se dënimi paraprak i Saimir Tahirit është dëshmi e efekteve pozitive të Reformës në Drejtësi dhe vullnetit qeveritar për të ç’montuar mijëra fijet e saj që e lidhin me krimin e organizuar.

Të paktë janë ata që besojnë se Gjykata për Krime të Rënda ka marrë vendimin për fajësinë e Saimir Tahirit me 3.4 vite burgim, konvertuar në shërbim prove për “shpërdorim detyre”, pa marrë më parë një “shkelje syri” nga Edi Rama.

Saimir Tahiri u dënua nga një treshe gjyqtarësh, me kryesues Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, të cilët ende nuk e kanë kaluar procesin e Vetingut. Kjo treshe, ashtu si shumë gjyqtarë e prokurorë, janë nën sikletin e rivlerësimit, një proces që tashmë është e qartë se funksionin në bazë të vullnetit qeveritar.

Ndaj, afërmendsh, tre gjyqtarët, e kanë pasur të qartë që në fillim të procesit gjyqësor se karriera do t’u përfundonte, nëse vendimi për Tahirin nuk do të kalonte paraprakisht në zyrën e Edi Ramës.

Askush nuk beson se prokurorët, të cilët gjatë dy viteve të fundit, nën menaxhimin e Arta Markut dhe Donika Prelës, kanë kryer hetime të plota. Dosja e prokurorisë, ajo që u dorëzua dhe u lexua në gjykatë, ishte e mbushur me “thashetheme” dhe të dhëna indirekte.

Saimir Tahiri duke pritur vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda

Për shumë e shumë muaj, prokurorët kanë pasur mundësinë të siguronin prova që do ta gozhdonin Saimir Tahirin. Por vullneti i tyre ka qenë minimal, në rastin më të mirë, ose, në rastin më të keq, kanë punuar në mënyrë të tillë që t’i sigurojnë pafajësinë ish-ministrit të Brendshëm.

LEXO EDHE  Vodhën një pako me çimçakiz, dënohen me 11 vjet burg 3 të rinjtë

Edhe paraqitja e Prokurorisë në gjykatë ishte shumë larg pritshmërisë për një proces gjyqësor, i cili është më i rëndësishme në dy dekadat e fundit.

Boldnews.al”, vetëm gjatë ditëve të fundit, ka publikuar materiale nga dosja hetimore, të cilat implikonin Saimir Tahirin në bashkëpunim të ngushtë me Habilajt dhe këto të dhëna nuk gjenden në konkluzionet e Prokurorisë para gjykatës, duke dhënë një sinjal që edhe prokurorët nuk e kanë trajtuar seriozisht procesin.

E, mbi të gjitha, askush nuk e beson se Edi Rama dhe qeveria e tij kanë vendosur të lejojnë gjyqësorin të veprojë i pavarur.

Falë vullnetit të mbrapshtë qeveritar, Shqipëria sot ka në kolaps sistemin e drejtësisë. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë jashtë funksionit prej shumë e shumë muajsh. Institucionet e reja të drejtësisë po vonohen tmerrësisht shumë të krijohen. Ndërkohë, gjykatat e niveleve më të ulta presin me ankth darën e Vetingut.

Dhe, të gjitha këto dëshmojnë qartësisht se Edi Rama as nuk ka ndërmend që të sigurojë një gjyqësor të pavarur. Përkundrazi, atij i nevojitet bllokimi i drejtësisë, për të vijuar i pashqetësuar aferat korruptive me koncensione, PPP, me vjedhje e blerje votash, me kërcënim, presion apo edhe joshje gjyqtarësh e prokurorësh.

Ndaj, dënimi paraprak i Saimir Tahirit nuk bind askënd se Edi Rama e ka seriozisht me pavarësinë e gjyqësorit dhe me luftën kundër lidhjeve të krimit të organizuar me pushtetin.

Dhe, natyrisht, nuk mund të bindë spektikët ndërkombëtarë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, e cila drejtohet nga një qeveri që ka raporte negative me votën e lirë, me respektimin e shtetit ligjor, me pronat, me depolitizimin e administratës publike e të tjera kushte e nënkushte që Këshilli Europian ia përplas çdo vit në fytyrë qeverisë së Edi Ramës.

Pas vendimit kundër Tahirit, është e qartë se hapësira mediatike do të mbushet nga mesazhet e disa ndërkombëtarëve në Tiranë, të cilët do ta quajnë edhe si fitoren e tyre, për shkak të mbështetjes që kanë dhënë në hartimin e Reformës në Drejtësi.

U duhet ky vendim këtyre diplomatëve me zyra në Shqipëri, për ta përdorur si një fije bari, ku të kapen. Rasti “Tahiri” u duhet për t’u justifikuar para shumë skeptikëve që janë të bindur se projekti i mbështetur prej tyre për Reformën në Drejtësi në Shqipëri dështoi në mënyrë spektakolare, për shkak se këta “ndërkombëtarucë” besuan më shumë se sa duhet tek Edi Rama.

Ekskluzive/ Përgjime e dokumenta, Moisi Habilaj udhëtim në Romë me “gjigandin Bashkim” Tahiri