Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi pas vendimit te gjykatës për Saimir Tahirin. Basha e cilësoi vendimin “e turpshëm” dhe u shpreh se provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit.
Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin, duke nisur me dosjen e kokainës së Xibrakës, ku është i përfshirë vëllai i Edi Ramës, shtoi Basha.
“Vendimi i turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës, që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe e shndërroi atë në njollën e zezë të krimit në Europë, provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit. Vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin, duke nisur me dosjen e kokainës së Xibrakës, ku është i përfshirë vëllai i Edi Ramës”, shkroi ai në një status në Facebook.
“Përsa kohë Edi Rama është në krye të qeverisë, në Shqipëri nuk ka për të patur drejtësi, krimi dhe të pushtetshmit do të jenë të paprekshëm, Shqipëria do të mbetet peng i krimit dhe shqiptarët më të varfër e më të papunë. Vetëm çlirimi i qeverisjes nga krimi do ti hapë rrugë drejtësisë së vërtetë dhe mirëqenies për të gjithë shqiptarët”, përfundoi Basha.
Vendimi
Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli sot vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata ka rrëzuar akuzat për përfshirjen e Tahirit në trafikun e drogës, ndërsa ka klasifikuar akuzën, duke e dënuar ish-ministrin për shpërdorim detyre. Ai është dënuar me 5 vjet heqje lirie, por vendimi u konvertua për 3 vite e 4 muaj shpërdorim detyre.
Gjatë kësaj kohe, Tahiri duket të paraqitet në mënyrë periodike te shërbimi i provës dhe nuk duhet të kryejë vepër penale, ndryshe ndaj tij do të aplikohet vendimi me 5 vite burgim.
Gjykata vendosi gjithashtu që gjatë 5 viteve, Tahiri s’mund të mbajë poste publike.
Vetë ish-ministri, paralajmëroi në një prononconim për gazetarët pas vendimit të gjykatës, se do të apelojë vendimin.