Kryeministri Edi Rama me një status në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar:
“Koha për një përshkallëzim të ri kundër korrupsionit. Po punojmë për një program nxitjeje kundër heshtjes dhe denoncimit me provë abuzuesit. Një ide në diskutim është «Çdo student denoncues që sjell provë për presion korruptiv nga kushdo qoftë, zeron tarifën dhe merr bursë njëvjeçare!».
Ky postim i ka paraprirë transmetimit të një kronike TV mbi avancat seksuale të një pedagogu ndaj një studenteje në Elbasan.
KM me sa duket është njoftuar më parë për transmetimin.
Por veç historive të tilla të shëmtuara në Universitete ka ngjarje më të rënda, me pasoja shumë më të gjera dhe më afatgjata.
Të tilla janë plagjaturat e veçanërisht raste si ai i drejtorëve shtetërorë që kanë falsifikuar dokumentacionin e emërimit dhe kanë mashtruar në bashkëpunim përveç vjedhjes së pronës intelektuale.
Ilir Mborja, denoncuesi i plagjaturës dhe falsifikimeve të lidhura me drejtorin e ISKPK Agron Tufa ka reaguar lidhur me këtë status të KM:
“E pabesueshme! Më duket e pabesueshme ta ketë shkruar vetë kryeministri ynë këtë status! Të motivohen studentët nga përfitimi për para që të gjurmojnë e denoncojnë profesorët më duket absolutisht e gabuar. Nuk ka përse. Në radhë të parë duhen vënë në punë mekanizmat ekzistues, se unë nuk di që në Kodin Penal tonin të mungojnë ligjet që dënojnë krimet për vjedhje, tjetërsim prone, korrupsionin pasiv e aktiv, falsifikimin, etj. Mbase duhet përsosja e atyre ligjeve që të forcohet mbrojtja pronës intelektuale…
Këtij vendi kurrë nuk i kanë munguar denoncuesit kurajozë. Edhe për korrupsionin në universitete, veç Taulant Mukës apo Vladimir Kolës, janë me dhjetëra e qindra emra denoncuesish që i tregojnë me gisht “ujkun” kryeministrit, ndërsa ai, çuditërisht, kërkon informatorë për gjurmët?! Vërtet e çuditshme. Dyshoj se kryeministrit tonë i kanë vjedhur password-in e facebook-ut…”.
Mborja shton se heshtja e Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit i bën bashkëfajtorë me Tufën dhe paralelizon me një “Agron tjetër”
“Me keqardhje po vërej se, pas qëndrimit të fundit të kryeministrit Rama, skandali i krimit akademik “Tufa” është përtej tufës së bashkëpunëtorëve të tij të derisotshëm Shehri, Rrokaj, Kule dhe ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla…
Gjithashtu, e pashpjegueshme më duket edhe heshtja dhe mosveprimi kryetarit të Kuvendit, zotit Gramoz Ruçi. Siç e keni cilësuar edhe ju të gazetës Dita në shkrimin redaksional, ai si kryetar Kuvendi duhet të kishte urdhëruar për kontroll drejtorinë e monitorimit të institucioneve të pavarura të Kuvendit, ku përfshihet edhe instituti i drejtuar nga Tufa.
Mirëpo, këtu dyshoj se kanë ngecur punët: Duket se drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa i tremb titullarët e institucioneve tona, pikërisht pas titullit të gjatë të institucionit që drejton aksidentalisht vetë. Për t’i nxjerrë fobinë nga OSBE- ja e organizata të tjera të Perëndimit po i sjell në kujtesë zotit Ruçi këtë rast:
Përsëri, më 21 gusht të këtij viti, shtetasit 41-vjeçar Agron Selmani, iu hodhën prangat nga forcat “Shqiponja” menjëherë sapo Shërbimi Diplomatik i Sigurisë DSS zbuloi një tjetër rast falsifikimi e mashtrimi me vizat, që konsiderohet një krim i rëndë në SHBA, dhe që parashikohet gjithashtu si vepër penale edhe në Kodin Penal shqiptar.
Agron Selmani që ishte fitues i lotarisë amerikane, mes dokumentave që kishte dorëzuar në Ambasadë, përpara se të intervistohej kishte depozituar edhe të dhëna të rreme, siç ishte një diplomë që e paraqiste 41-vjeçarin si të diplomuar në shkollën e mesme “Jordan Misja” në Shkodër.
Pra, për raste kur mjeranë shqiptarë detyrohen që të falsifikojnë për të përfituar një vizë që të punojnë në ndërtim ose për të larë pjata në Amerikë, me të drejtë arrestohen nga policia e shtetit, e atij shteti që nuk i siguron një punë për kafshatën e gojës… I nderuar zoti Ruçi! Ju siguroj se Agroni (Selmani, jo Tufa) nuk kishte ndërment të punonte drejtor në ndonjë Drejtori të DASH… Por mbi të bie rreptë forca e ligjit, se ai nuk është i privilegjuari Juaj dhe i kryeministrit tonë, si, me nder me thënë, drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa”.
Një intervistë të zgjeruar mbi këtë mund të lexoni nesër në DITA