Nga Boldnews.al
Përtej deklaratave optimiste për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) brenda vjeshtës 2019, afati duket se nuk mund të përmbushet për shkak të vonesave të tepruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, por edhe Taulant Balla e të tjerë zyrtarë të lartë qeveritarë, në kohë të ndryshme, kanë dhënë afate Prillin, Korrikun apo edhe Shtatorin e këtij viti për krijimin e bërthamës që do të zhvillojë hetimet e korrupsionit në nivele të larta.
Por, të gjithë këto afate të deklaruara publikisht kanë rënë dhe tashmë është vënë në pikëpyetje krijimi i shpejtë i Prokurorisë Speciale.
Në Korrik 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) përzgjodhi 15 kandidatët prokurorë që pritet të jenë pjesë e Strukturës së Posaçme Hetimore.
Kandidatët, krahas kritereve ligjore për të qenë pjesë e kësaj strukture speciale, duhet që të kalojnë procesin e Vetingut me vendim të formës së prerë.
Pikërisht, vonesat e ekzagjeruara në Veting po bllokojnë ngritjen e SPAK-ut.
Në bazë të të dhënave të deritanishme, rezulton se vetëm 5 nga 15 kandidatë për Prokurorinë e Posaçme janë konfirmuar në detyrë me vendim të formës së prerë.
Konkretisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorët Arben Kraja, Enkelejda Millonai, Edvin Kondili, Ened Nakuçi dhe Behar Dibra.
Këta kandidatë tashmë janë gati për të qenë pjesë e SPAK-ut, pasi vendimi për konfirmimin e tyre në detyrë është i formës së prerë, për shkak se Komisioneri Publik nuk gjeti argumente për kundërshtimin e vendimit të KPK pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Ndërkohë, janë edhe një kategori tjetër kandidatësh, të cilët janë konfirmuar në detyrë nga shkalla e parë e Vetingut, por vendimi për ta ende nuk është zbardhur.
Altin Dumani, prokurori më i kuotuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si edhe kolegët e tij Klodian Braho dhe Elida Kackini janë konfirmuar në detyrë në Korrik 2019. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk e ka zbardhur ende vendimin për tre prokurorët, duke vonuar ndjeshëm procedurat për ta.
Ligji parashikon që KPK të zbardhë vendimet e saj brenda 30 ditëve nga shpallja. Por, megjithëse krijimi i SPAK-ut është emergjencë kombëtare, Komisioni i Vetingut ka vendosur që muajin Gusht ta shfrytëzojë të gjithin për pushime, duke vonuar, në këtë mënyrë, zbardhjen e vendimeve për Dumanin, Brahon e Kackinin.
Vonesa në zbardhjen e vendimit shtyn afatet edhe për Komisionerin Publik, i cili, nëse vlerëson se vendimi i konfirmimit për ata duhet ankimuar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duhet të dorëzojë ankimin brenda 15 ditëve pas publikimit të vendimit të plotë të KPK.
Pra, nga momenti kur KPK zbardh vendimin, tre prokurorët e konfirmuar duhet të presin edhe më së paku 15 ditë, afat kohor që i duhet Komisionerit Publik për vlerësimin e situatës së tyre.
Ndërkohë, situata vështirësohet akoma më tej, pasi 5 prej kandidatëve nuk janë përballur ende me Komisionin e Vetingut në seancat dëgjimore.
Prokurorët, kandidatë për SPAK, Elisabeta Imeraj, Anton Martini, Ndini Tavani, Doloreza Musabelliu dhe Anita Jella janë në pritje të caktimit të datës së seancës dëgjimore para trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në rastin se këta 5 prokurorë konfirmohet në detyrë, duhet pritur, më së paku, 45 ditë, para se vendimi i tyre të marrë formë të prerë. Ky afat 45-ditor lidhet me kohën e nevojshme për zbardhjen e vendimit nga KPK (30 ditë) dhe afatin për vlerësimin nga Komisioneri Publik për të bërë ankim ose jo (15 ditë).
Pra, me llogari të thjeshta, duke e marrë në konsideratë se 5 kandidatët e mbetur për SPAK konfirmohen në detyrë brenda kësaj jave, ata mund të jetë gati për emërimin në Prokurorinë e Posaçme në fund të Tetorit 2019.
Por, ky afat duket i pamundur. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ende nuk ka publikuar datat për seancat dëgjimore me kandidatët e mbetur për në SPAK. E gjithë kjo situatë vonesash absurde ndikon drejtëpërdrejtë në krijimin e strukturës më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi.
Nga 15 kandidatët e listuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë edhe dy prokurorë, të cilët do të presin një kohë më të gjatë për t’u konkluduar nëse do të jenë apo jo pjesë e SPAK.
Prokurorët Besnik Muçi dhe Manjola Kajana, të cilët u konfirmuan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ende nuk i kanë mbyllur llogaritë me Vetingun. Komisioneri Publik ka ankimuar vendimet e konfirmimit të tyre dhe do të duhet ende kohë para se Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë një vendim përfundimtar për rastin e tyre.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, në një dalje publike të para disa ditëve, deklaroi se ‘SPAK mund të ngrihet edhe me 5 prokurorëve, por kjo nuk do të ishte aspak komode, pasi volumi i punës është shumë i lartë dhe nuk mund të përballohet nga një trupë e limituar prokurorësh”.
Pra, Këshilli i Lartë i Prokurorisë duket se do të presë përfundimin e procesit të rivlerësimit nga institucionet e Vetingut, gjë që do të ndikojë në vonesa të vazhdueshme për ngritjen e SPAK-ut.