Nga Ilir Kalemaj—Tregim
Thonë që dashuria e vërtetë është ajo e pakonsumuar…, por a ekziston dashuria? Domethënë ajo e vërteta, ajo e cila shihet vetëm në komeditë romantike, apo që haset në romanet e shekullit të tetëmbëdhjetë?- kështu po mendonte ai atë mbasdite të qetë vjeshte me mot të harlisur, i ulur në rrëzë të një anijeje të braktisur në plazhin e shkretë. Jo se meditonte shpesh, madje kohët e fundit asfare. Por që kur ishte ndarë me Donën, nuk mund të mos i shkonte mendja që ndoshta moskonsumimi i dashurisë së tyre e bënte atë aq të veçantë dhe të paharruar për të. Kishte pasur vazhdimisht lidhje, madje kish rënë brenda disa herë, por asgjë e krahasuar me këtë që ndjente në këto momente, edhe gjashtë muaj pas ndarjes.
Kishte qenë një lidhje e nisur si rastësisht, por ai mbante mend që kish parandjerë diçka që në fillim. Një si shqisë e gjashtë e lajmëronte që ndoshta kjo mund të ishte diçka më shumë nga ato takimet e tij të zakonshme, me të cilat lodhej shpejt, i dilnin nga qejfi sapo arrinte t`i shtinte në dorë. Ky qe ai dhe sado egoiste të dukej, besonte se është më mirë të jesh i ndjeshëm me tjetrin sesa të heqësh zvarrë një lidhje thjesht për respekt. Edhe atij i kishte ndodhur në pak raste t`i jepnin udhët dhe e kishte pranuar këtë gjë me lot në sy dhe dopio konjaku rrëkëllyer gurmazit. Sa bishta cigaresh kishin shoqëruar secilën prej këtyre ndarjeve…
Por me Donën kish qenë ndryshe, ose të paktën i qe dukur atij kësisoj. Kishte vënë bast të ardhmen dhe kishte humbur. Shpëtimin tani e shihte te ajo shprehja popullore ‘gozhda del me gozhdë’ dhe nuk vonoi shumë dhe filloi të flirtonte poshtë e përpjetë. Shpresonte që kjo t`ja pakësonte, mundësisht shterronte qoftë dhe vetëm kujtimin e largët të saj, parfumi i së cilës ende vallëzonte në imagjinatën e tij.
Filloi të mendonte nëse po e bënte këtë për hakmarrje ndaj padrejtësive të jetës së përditshme, hakmarrje ndaj sfidave, monotonisë, apo është thjesht seksi i qe kthyer në një mjet dominimi sikundër thonë shpesh feministët këto ditë? Një mjet kënaqësish fizike, thjesht dhe vetëm fizike, apo dicka që nuk mund të konceptohet dot pa ato ndjesi të mrekullueshme shpirtërore të përshkruara aq hollë nga letërsia klasike? A ka arritur në thelb moderniteti ta zhveshë nga koraca e magjishme vetë aktin seksual, apo kemi arritur më në fund apogjeun dhe kemi zbuluar atë të vërtetën e thjesht, sublime të erosit pa dashuri, të seksit të zhveshur në thelbin e vet?- mendonte tek vështronte i qetë valët që përplaseshin heshturazi në atë bregdet të zbrazur vjeshte.
Pa që ndërkohë po e shihnin me ngulm dy sy të kaltër në gri me nuanca që ndryshonin sipas motit, nën një baluke të verdhë në të kuqërremtë. Kishte një fytyrë pak kuqaloshe, e veshur me një palë sandale të thjeshta, fustan të gjatë dhe bishtaleca lidhur që i jepnin që feminilitet dhe shprehje shumë rehatuese gjithë qënies së saj. Ndillte miqësi për një shpirt të plagosur siç qe ai. Iu afrua si zog i trembur me një zë që nuk i tingëlloi si i tij dhe e pyeti nëse kishte një shkrepse me vete. Vajza me sytë që qeshnin i tha që nuk e pinte, ndryshe megjithëqejf. E quanin Era dhe të jepte një ndjenjë fërshëritëse që të përshkruante tejpërtej me një lloj afshi vere sahariane. Iu duk i goditur ky krahasim dhe kur ja pëshpëriti në vesh, Era qeshi me shpirt, duke zbuluar dhëmbët si fildish të bardhë.
Që nga ai moment u bënë të pandarë. Dilnin, shkonin në restorante të lira të periferisë ku ende ndjehet ajo miksti i vecantë i aromave të kuzhinave shtëpiake, shihnin filma të vjetër apo dëgjonin muzikë xhazi, vençarisht nga ai klasiku për të cilin mbaronin të dy. Era i krijonte një ndjenjë humori të vazhdueshme dhe vetë ai shndërrohej në një barcaletaxhi të përsosur në prani të saj. Nëse vërtet ekzistonte dashuria, atëherë me plot gojën ai e kishte arritur. Madje edhe pasi e bënë për herë të parë, ai nuk ndjeu ndonjë pakësim të ndjenjave…, përkundrazi. Dukej sikur ato shtoheshin me numrin e herëve që shkonin në shtrat, gjë që ai do e quante të pamundur deri pak kohë më parë. Ky paska qenë ekuacion me nje të panjohur- po mendonte një nga ato ditë, i lumtur me misteret e ëmbla që shpesh na i fsheh jeta qoshkave të kujtesës.
Vendosën të aplikonin së bashku për llotarinë amerikane dhe atë kanadeze. Donin të provonin fatin diku matanë oqeanit. Hapësira e lirisë këtu në vendin ku jetonin që kur kishin lindur po vinte duke u ngushtuar dhe po bëhej si ajri i rrallë i lartësive të maleve. Ideja qe e Erës por edhe Fredi thellë-thellë e dëshironte një gjë të tillë. Ideja për aventurë, dicka ndryshe, një botë ëndrrash që hapej ngadalë, ishte dicka që e tërhiqte, kishte një sexy appeal që e tmerronte dhe mrekullonte njëkohësisht. E panjohura e tërhiqte me grep drejt rreziqeve të ëmbla që ciflosin monotoninë e mallkuar të sigurisë.
***
Kur u erdhi lajmi për fitimin e llotarisë amerikane, Era ishte në qiellin e shtatë, por e brengoste fakti që i kishte rënë veç asaj, atij jo. Si mund të ikte vetëm, pa të, ku thelbi i gjithçkaje kishte qenë të qënit sëbashku në një botë të lirë. Të lirë nga paragjykimet, nga pasiguria, të lirë për të ndjekur ëndrrat që ata ushqenin qysh ditën kur sytë e tyre ishin kryqëzuar për herë të parë.
-Jo, mos e diskuto, as bëhet fjalë të nisem pa ty, harroje!- i tha ajo kinse shpengueshëm të dashurit të zemrës, pa të cilin as nuk mund ta imagjinonte këtë mundësi për aventurë të saposhfaqur në horizontin gri të jetës së tyre.
-Nëse nuk shkon, atëherë humbim shansin e jetës Era! Ti duhet të shkosh, pasi është e vetmja mundësi që të marrësh pasaportën pas disa vitesh dhe të më tërheqësh me vete. Të bëjmë bashkimin familjar ashtu sikundër e kemi diskutuar me dhjetra herë, dreqi e marrtë!
-Por ti nuk kupton, unë për ty do shkoja. E ç`kuptim ka të shkoj e vetme? S`kam as të afërm atje, nuk njoh kërrkënd.
-Për atë mos u mërzit, po lajmëroj Titin, çunin e hallës, madje do vi të të presi që në aeroport. Është familjar i rregullt, dhe nusja e tij do të të bëhet krahë. Kemi qenë si vëllezër dhe jemi rritur bashkë.
-Nëse e thua ti, okej i dashur, por ta dish që do më copëtohet zemra andej, pa ty- tha ashtu nëpër dhëmbë, gati të shkrehej në vaj.
***
Ishte vjeshtë e vonë kur mbërriti në aeroportin JFK të New Yorkut. Titi, kushëriri i burrit kishte dalë me një pankartë ku shkruhej emri i saj. U takuan shkurt dhe u nisën për te shtëpia e tij, diku në kryqëzim të lagjes së famshme Bruklin dhe Kuinz. Më vonë do mësohej të bënte shpesh kontrastin e kësaj zone me Manhatanin vezulluez, imazhet e së cilit e kishin shoqëruar shpesh idenë që kishte ajo për vendin e ri.
Gruaja e Titit, Pranvera, ishte rreth të 30-tave, por me karakteristikat e fshatares së anëve tona, pjekuri e shpejtë fizike dhe më pas plakje e parakohshme. Protezat e dhëmbëve të vëna keq, nxirrnin në pah një buzëqeshje jo fort të këndshme, çka në fakt nuk përputhej me shpirtin e mirë të asaj zonje shtëpie, e cila bënte çmos t`ja bënte akomodimin sa më të rehatshëm.
Titi, nga ana tjetër, ishte krejt ndryshe nga ç`ia kishte përshkuar Ariani i saj. Pinte, lozte bixhoz dhe dukej qartë se kishte sjellje amorale. Në nja dy raste ja kishte luajtur haptazi edhe asaj, ndonëse kishte bërë sikur nuk ia kishte vënë re. E ndjente veten të frustruar, ngaqë nga njëra anë e mundonte malli, nga ana tjetër stresi i gjetjes së punës, dhe si qershia mbi kokë, i duhej të duronte edhe sjelljet prej histeriku psikopat të kushëririt të burrit, për të cilin nuk guxonte t`i thoshte gjë prej gjëje Arianit. E merrte me mend si do reagonte ai, nëse merrte vesh dhe gjënë më të vogël. “Hataja do ndodhte!”- mendonte mbyturazi dhe vetëm ideja i kallte datën. Kështu shtynte ditët në vendin e ri, e ndarë në kohë e në hapësirë. Ndjente se u përkiste njëkohësisht dy botëve të ndryshme dhe njëkohësisht asnjërës prej tyre.
Një mëngjez, pasi kishte marrë rrogën e tre javëve të parë, në një restorant ku kishte nisur si pjatalarëse, mori vendimin për të lëvizur në një apartament të ri, të cilin e kishte gjetur me ndihmën e një meksikaneje me të cilën punonte. Gjeti një mënyrë me takt për t`ia thënë Pranverës pa dashur kurrsesi t`i linte të kuptonte ndonjë pakënaqësi, ndërsa me Titin i tha që kishte folur. Ishte e sigurtë që atij do i vinte hidhur kur ta merrte vesh që kishte ikur ashtu papritmas, por nga ana tjetër nuk do guzonte të thoshte gjysëm llafi nga frika se mos zbulonte petët e lakrorit.
Arjanit nuk i shqitej mendja nga imazhet e Erës së tij, të cilën e idealizonte me sytë e zemrës. Malli e torturonte dhe ndërkaq përpinte çdo email të saj, is shkruante përditë dhe me raste flisnin në telefon apo me anë të internetit. Kjo nuk e pengoi ndërkohë të flinte me një a dy, por kishin qenë momente debolese, njohjeje rastësore në klubet e natës, ku shkonte të kthente ndonjë gotë, dhe asgjë me rëndësi.
Menjëherë më pas pendohej, ndjehej bosh, premtonte që do qe hera e fundit dhe i vinte neveri sesi mund të tradhtonte kësisoj princeshën e zemrës së tij. Sado që zakonisht këto momente qenë të rralla dhe efemerale, mjaftonin për ta shkëputur për një çast nga të menduarit papushim. E çonin drejt një ndjesie harrese, dhe kjo bënte të mundur që mos të çmendej nga pesha e vetmisë dhe mendimeve.
Ishte shkëputur nga shoqëria, pas pune zakonisht merrte me qera ndonjë film apo libër poezish dhe me një gotë verë para, ngryste netët në pritje të agut. Nata e tmerronte, ndërsa ditët rrokulliseshin shpejt. Koha herë vraponte, herë ngecte, asnjëherë me ritmin e duhur. Dreq o punë!- thosh me vete, i pasigurtë nëse kjo gjendje e tij quhej depresive apo jo.
Ishte një ditë si gjithë të tjerat kur vendosi mos të priste më, dhe të provonte të ikte në Shtetet e Bashkuara me çdolloj mënyre. I dukeshin si pesë shekuj ato pesë vite të uruara, deri sa Era të merrte pasaportën dhe ligjërisht të kishte të drejtë të tërhiqte edhe atë me anë të bashkimit familjar. Ndërkohë ata kishin kryer celebrimin por vetëm pasi asaj i kishte dalë llotaria amerikane, kështu që normalisht duhet të kalonte afatin e caktuar ligjor për të patur një mundësi të tillë.
Një shok i kishte premtuar se do i prezantonte dikë që merrej me këtë punën e rregullimit të letrave për në Amerikë, me identitet të rremë. Ajo që nuk i kishte sqaruar tamam, është se do i binte si Magelani, për të mbërritur në tokën e premtuar. Kishte paguar rrumbullak shtatëmbëdhjetë mijë dollarë për të shkuar në Amerikë, duke i rënë nga Republika Domenikane. Ndërsa fillimisht i duhej të ndërronte avion në Paris. Atje iu desh të priste jo më pak nga tre javë, të mbushura me tension, ankth dhe frikë, në pritje të nisjes së një pjese të grupit të cilët udhëtonin së bashku, pasi edhe po të zbulohej njëri, shanset për të shpëtuar të të tjerëve ishin më të mëdha.
Në fakt, dokumentat që i kishin bërë atij, ishin të rregullta, italiane, pasaportë dhe patentë makine, kishte ndërruar fotografi vetëm dhe nuk pati asnjë problem në kufi te kontrollorët. Problemi i vetëm që kishte ishte se nuk figuronte sikur ai, Arjan Bardhi, kishte hyrë ndonjëherë në SHBA, dhe duhej ta harronte ëndrrën për të bërë letrat ndonjë ditë. Një fillim jo shumë i mbarë për dikë që ëndërronte të jetonte në vendin e mundësive.
Ndërkohë Era nuk dinte gjë. Po ikte mendsh ngaqë nuk kishte folur me Arjanin për gati një muaj dhe nuk dinte ç`të mendonte më parë. Ku nuk i shkonte mendja! Provoi të lidhej me të jëmën e tij në vendlindje, se i jati nuk i jetonte më. Ajo e shkreta dinte vetëm se i biri do shkonte në emigrim për të provuar fatin, kështu i kish thënë dhe do e merrte në telefon sapo të mbërrinte matanë. Telefonoi edhe të motrën e tij që banonte prej vitesh në Itali, me shpresën mos kishte shkuar atje, por ajo nuk dinte gjë prej gjëje, ndërkaq që u merakos pa masë dhe iu lut Erës t`i telefononte sapo të merrte vesh gjësendi. E lodhur, e trishtuar, me lotët që i ishin tharë, Era rrinte si mumje para telefonit, në pritje të ndonjë zileje që do ta lajmëronte për diçka.
Në fakt, në një nga ato mbrëmje të lagështa nëntori, ra vetëm zilja e derës. Kur pa Arjanin e saj tek rrinte aty i lagur para saj, bëri kryqin me të shpejtë si për të larguar ndonjë shpirt të keq që mund t`i ishte fanitur papandehur. Në fakt, ishte ai, kokë e këmbë, me sy që e shihnin me mall, dashuri dhe epsh njëkohësisht. Atë natë bënë dashuri sikur nuk do kishte të nesërme. Pas herës së katërt, i mori një uri aq e madhe sa boshatisën krejt ç`kish ngelur në frigorifer. Ditën tjetër, asaj i dukej të ikte në punë, ndërsa atij i duhej të zgjidhte rebusin e një jete që sapo kish filluar…