Nga Boldnews.al
Tre vjet pas miratimit me konsensur të plotë të ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugë Reformës në Drejtësi, zbatimi i pjesshëm i saj rezulton që të jetë nën kontrollin thuajse absolut të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisjes së tij të “Rilindjes”.
Maxhoranca socialiste e konsideron Reformën në Drejtësi si “kalin e betejës” në luftën politike në Shqipëri. Dhe, në një lloj forme, ka të drejtë.
Zyrtarët e saj, në të gjitha nivelet, nuk janë aspak imunë ndaj korrupsionit galopant dhe shpërdorimit të detyrës. Por drejtuesit qeveritarë, në nivel qendror e lokal, nuk janë shndërruar në objekt hetimesh e kontrolli as nga institucionet ekzistuese me drejtues të rinj dhe as nga ato të krijuara rishtazi, në kuadër të Reformës në Drejtësi.
Mbështetja që Partia Socialiste dhe Qeveria i jep Reformës në Drejtësi mbështetet thjeshtë dhe vetëm në propagandë.
Insituti i Studimeve Politike (ISP), në një raport të fundit për monitorimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, jep 5 argumenta se përse qasja e “Rilindjes” pro forcimit të drejtësisë është në kundërshtim me veprimet e saj konkrete.
1. Rama nuk e njeh Reformën
“Në një analizë e ftohtë e raporteve të mazhorancës me reformën në drejtësi, të ofron argumente për të krijuar bindjen se ajo ka një perceptim të gabuar për reformën dhe mungesë reale vullneti politik për suksesin e saj”, shprehet raporti.
Këtë argument, ISP e mbështet fillimisht në faktin se “kryeministri thotë se e mbështet fuqishëm reformën pavarësisht se, siç shprehet vetë- nuk e ka lexuar paketën e ligjeve të reformës dhe as ndryshimet kushtetuese”.
Rama thotë që e mbështet “verbërisht” Reformës, duke besuar tek ndërkombëtarët, të cilët janë promotorët kryesorë të forcimit të drejtësisë në Shqipëri.
Por, nga ana tjetër,-vijon raporti, “Rama nuk lë rast pa sulmuar e denigruar gjyqtarë apo prokurorë që marrin vendime që mund të cenojnë interesat e partisë së tij. Rasti më i fundit ishte vendimi i dy gjyqtarëve në Tiranë e Durrës lidhur me mandatet e të zgjedhurve vendorë. Gjyqtarët u denigruan publikisht dhe u paralajmërua largimi i tyre me reformën në drejtësi, – një e vendim që në asnjë rrethana nuk i përket as kryeministrit, as qeverisë, as parlamentit dhe as Partisë Socialiste në pushtet”.
2. “Rilindja” refuzon hetimet ndaj saj
Një numër skandalesh ku janë përfshirë politikanë e zyrtarë të lartë të mazhorancës kanë qenë tituj kryesorë në media dhe “sjellja e mazhorancës, përfshirë e kryeministrit në këtë rast, ishte tipike: ata sulmuan ashpër prokurorët që kanë nxjerrë të dhënat në media, madje cituan emra konkretë, të cilës sipas tyre duhet të largohen e do të largohen nga sistemi i drejtësisë”.
Hetimet e Prokurorisë nuk i vërtetuan akuzat e tyre, por kjo ka pak rëndësi në politikë. “Gjithashtu mazhoranca refuzoi të ndihmojë hetimet për skandale të tilla dhe mbështeti çdo masë administrative që pamundëson hetimin, përfshirë transferimet e vazhdueshme të dosjeve, deri në veprimin ekstrem, nisjen e procesit gjyqësor ndaj medias që publikoi skandalin”, thuhet në raport.
3. Shtet policor
Mazhoranca e Edi Ramës vonoi rreth një vit për të zgjidhur çështjen e ambienteve të punës së strukturave të reja në drejtësi, vonoi muaj të tërë të kalojë në parlament ligje të paketës së reformës që nuk kërkonin konsensus me opozitën. Po ashtu, “nga mënyra sesi u soll, sidomos gjatë incidenteve me protestat e opozitës apo të fushatës elektorale, mbivendosi policinë e shtetit mbi organet e hetimit, duke krijuar idenë dhe perceptimin se nuk është drejtësia, por policia dhe qeveria që arreston, burgos dhe dënon”, vijon raporti i ISP.
4. “Rilindas” në institucionet e reja
Raporti i Institutit të Studimeve Politike konstaton një sjellje të gabuar të Qeverisë dhe maxhorancës ndaj reformës atë që e konsideron “investimi nqë ajo vijon të bëjë përmes zyrtarëve të lartë të saj, për të ndikuar në përzgjedhjen preferenciale në organet e reja të drejtësisë”.
Investimi është publik (duke anatemuar rivalët e mundshëm në garë) ose indirekt (përmes lobimit personal apo promovimit të anëtarëve të familjeve të individëve që duhet të marrin vendime për postet e reja në sistemin e drejtësisë).
5. “Të shkarkuarit”, vetëm të djathtë?
Mazhoranca është sforcuar në retorikën e saj se “të larguarit nga sistemi i drejtësisë nëpërmjet Vetingut janë përgjegjësi e opozitës së djathtë dhe e kohës kur ata kanë qenë në pushtet”.
Në fakt, një analizë krahasuese e të dhënave tregon se një pjesë e të shkarkuarve, ata që njiheshin për raporte politike, kanë qenë njësoj të mbështetur nga dy palët dhe se figura të njohura të promovuara nga të majtët, përfshirë prokurorë apo anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, janë pjesë e të shkarkuarve.
“Mazhoranca nuk lë rast pa etiketuar gjyqtarë e prokurorë “me mbështetje të djathtë” që shkarkohen dhe nuk ka një rast të vetëm të ketë mbështetur publikisht një vendim të KPK apo KPA për shkarkimin e gjyqtarëve apo prokurorëve “me mbështetje të majtë” gjatë viteve të tranzicionit”, konkludon raporti i ISP mbi qasjen e “Rilindjes” për Reformën në Drejtësi.