Bordi i televizionit News 24 ka reaguar për herë të parë lidhur me largimin e Adi Krastës dhe Ylli Rakipit nga kjo media.
Ndaj dy gazetarëve të njohur pati një ndërprerje kontratash që u interpretua si një presion i Kryeministrit Edi Rama dhe Kryebashkiakut Erjon Veliaj për mbylljen e dy emisioneve kritike ndaj tyre, A-Show dhe Të Paekspozuarit.
Por, në deklaratën e Bordit të News 24 thuhet se këto komente dhe kritika në formën e sulmeve burojnë nga logjika joprofesionale dhe nga interesa që nuk janë as të teleshikuesve dhe as të opinionit publik.
“Të gjitha kontratat dhe bashkëpunimet ndërmjet gazetarëve me logot e tyre individuale dhe News24 si logo institucionale, shprehin interesin e ndërsjellët të të dy palëve. Këto lëvizje të dyanshme kanë vetëm një qëllim: ngritjen e audiencës dhe përfaqësimin e interesit publik dhe teleshikuesve, që mbetet qëllim i përhershëm i News24, duke synuar forcimin e mëtejshëm të këtij televizioni në terma të profesionalizmit, ritmit dhe maksimalizimit të audiencës.
Gazetarët e sezonit të kaluar punuan në liri të plotë dhe pa asnjë ndërhyrje editoriale në hapësirën e tyre, duke përmbushur çdo detyrim kontraktual nga ana jonë. Ndryshime janë bërë, po bëhen aktualisht dhe do të vijojnë të bëhen në ardhmen, por asnjë parti politike apo interes tjetër nga ai i publikut nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë të influencojë vijën editoriale të këtij televizioni.
Sulmet dhe komentet e pabaza në lidhje me këto lëvizje bien ndesh me vetë interesin publik, i cili kërkon të mësojë të vërtetën, të njohë të gjitha pikëpamjet dhe jo instrumentalizimin e mediave apo emisioneve për qëllime të tjera.
Reagime të tilla janë të motivuara nga shqetësimi që shkakton faza e re e zhvillimit profesional të News24 dhe e kanë burimin nga lidhjet me interesat e ngushta politike, të biznesit apo të logove të tjera në konkurrencë me ne.
Për shkak të origjinës së tyre të dyshimtë, sulme të tilla nuk e cenojnë aspak aleancën e News24 me opinionin publik dhe teleshikuesit. Askush të mos trembet nga vendimet tona, nëse s’ka gjë për t’i fshehur publikut”, thuhet në reagimin e Bordit.