Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një deklaratë për mediat ka bërë thirrje KLGJ-së dhe KLP të nisin hetimet për shkeljet nga prokurorët dhe gjyqtarët që kanë ndjekur çështjet e dy vëllezërve Kusi në të kaluarën, mbi të cilët rëndojnë disa vepra penale të rënda, si ajo e vrasjes.
Vrasja e të riut Indrit Çelaj, dy ditë më parë në zemër të Tiranës siç thuhet paraprakisht për një grindje banale mes tij dhe dy vëllezërve Alban dhe Griseldo Kusi, ngriti një furtunë zemërimi në opinionin publik jo vetëm për shkaqet e vrasjes së Çelajt.
“Dy vëllezërit ishin të akuzuar për të paktën 2 vepra të rënda penale si vrasje apo tentativë vrasjeje ndërsa në të gjitha rastet kishin fituar lirinëpas pak muajsh burg.
Autorët kryesorë të dyshuar për këtë ngjarje rezulton se janë larguar nga vendngjarja dhe sipas medias dyshohet se janë me precedentë të mëparshëm penale. Sipas medias, pavarësisht nga akuzat e rënda që rëndonin në ngarkim të tyre për kryerjen e krimeve ndaj jetës, ata janë lënë të lirë nga organet e drejtësisë penale.
KShH, në kushtet kur Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nuk është ngritur ende, i sugjeron Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë që të kenë në vëmendje të veçantë të veprimtarisë, shkeljet e mundshme që mund të jenë kryer nga gjyqtarë dhe/ose prokurorë të ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e veprave penale për të cilat janë akuzuar në të kaluarën autorët e dyshuar të këtij krimi.“, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është njohur me ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik dy ditë më parë, ku mbeti i vrarë shtetasi I.Ç. I riu 26 vjeçar, sipas informacioneve të publikuara në media dyshohet se është vrarë për motive të dobëta, teksa po punonte për montimin e një kondicioneri në një godinë në rrugën “Muhamed Gjollesha”.
Autorët kryesorë të dyshuar për këtë ngjarje rezulton se janë larguar nga vendngjarja dhe sipas medias dyshohet se janë me precedentë të mëparshëm penale. Sipas medias, pavarësisht nga akuzat e rënda që rëndonin në ngarkim të tyre për kryerjen e krimeve ndaj jetës, ata janë lënë të lirë nga organet e drejtësisë penale
E drejta e jetës është një e drejtë themelore kushtetuese dhe shteti ka detyrimin pozitiv ta mbrojë atë. Por pavarësisht nga ky detyrim, krimet me motive të dobëta apo nga persona të dyshuar se janë të përfshirë në veprimtari kriminale, vijojnë të marrin jetën e njerëzve të pafajshëm në vendin tonë.
KShH i sugjeron organeve të rendit që në përputhje me detyrat e parashikuara në ligjin për policinë e shtetit, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve kryesorë të dyshuar të këtij krimi të rëndë. Ngjarja ku mbeti i vrarë shtetasi I.Ç ka ndodhur në një nga zonat afër qendrës së Tiranës, shumë afër institucioneve të policisë së shtetit.
KShH i sugjeron organeve përkatëse të procedimit penal të hetojnë në mënyrë të plotë, të gjithanshme dhe objektive çështjen në fjalë si dhe çështje të tjera ku dyshohet se janë implikuar autorët e krimit.
KShH, në kushtet kur Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nuk është ngritur ende, i sugjeron Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë që të kenë në vëmendje të veçantë të veprimtarisë, shkeljet e mundshme që mund të jenë kryer nga gjyqtarë dhe/ose prokurorë të ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e veprave penale për të cilat janë akuzuar në të kaluarën autorët e dyshuar të këtij krimi.
Ndërkohë që sipas ligjit nr.115/2016, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve. Komiteti Shqiptar i Helsinkit i shpreh familjarëve të viktimës ngushëllimet e tij.