FOTO/ Shqipëria në BE? Gazetarja belge reportazh për 4 javët në burgun e grave

Ali Demi is de enige vrouwengevangenis in Albanië

A duhet të nisin negociatat mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë? Revista e njohur belge,“Knack”, bën testin e rrallë për të parë nëse Shqipëria është gati për BE-në. Testi i Nelson Mandelës i çon ata për katër javë në burgun e vetëm të grave në Shqipëri

Nga Paulien Bakker

Askush nuk e njeh tamam një vend derisa të shohë burgjet e tij. Një komb nuk duhet të gjykohet nga mënyra se si i trajton qytetarët e saj më të lartë, por më të ulëtit – Nelson Mandela

Muzika e lartë vërshon nga biblioteka. Brenda, tavolinat janë shtyrë për të bërë vend dhe rreth njëzet gra kërcejnë sup më sup me një këngë tradicionale dasmash shqiptare. Po festojmë ditëlindjen e Lolës. Ajo është 33 vjeç dhe po vuan dënimin me 16 vite për vrasjen e fëmijës së saj të dytë. Vallja e dasmave shndërrohet në muzikë rap. Nis tundja e belit, shpatullave dhe të pasmeve.

Në qershor, Parlamenti Europian diskutoi progres-raportin e përvitshëm për vendet që duan të anëtarësohen në BE. Shqipëria u vlerësua shumë, veçanërisht për qasjen e saj ndaj korrupsionit. Këshilla ishte e qartë: nisni bisedimet e pranimit. Jo të gjithë ishin të kënaqur me këtë. Holanda, Franca dhe Danimarka kundërshtuan, kështu që vendimi u shty për në vjeshtë. Ministri holandez i Punëve të Jashtme, Stef Blok, deklaroi në media se është i shqetësuar seriozisht në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Më parë duhet të arrihet më shumë përparim në këto pika”.

Por si po ecën realisht ky vend? Duke pasur në mendje Nelson Mandelën, ai thotë se niveli i civilizimit të një vendi matet me mënyrën se si i trajton të burgosurit e saj. E përkthyer lirisht: realiteti në letër i politikanëve, diplomatëve dhe bashkësisë ndërkombëtare nuk pasqyron me saktësi realitetin e përditshëm. Kështu që shkuam në burg.

Pa avokat

Pesë muaj para ditëlindjes së Lolës, fotografi dhe unë përshkojmë për herë të parë portën, të shoqëruar nga Blerina Çekiçi, drejtuese e edukimit në burg, një 30 e ca vjeçare me sy të ngushtë dhe buzëkuq të shndritshëm. Shqipëria, një vend me më pak se 3 milionë banorë, ka një burg grash. Burgu 325 ndodhet në mes të një zone të banuar në kryeqytetin Tiranë. Është një koleksion me baraka të lyera me të bardhë, të ngritura nën komunizëm për të ndëshkuar të burgosurit politikë. Pranë hyrjes kryesore është një morale e Nënë Terezës- shqiptares më të famshme në botë, ku thuhet: “Ne nuk mund të bëjmë të gjithë gjëra të mëdha, por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

“Këtu nuk do gjeni vrasës serialë të femrave ose gra që kanë vrarë për të qenë më mirë me veten,” na thotë Edlira Papavangjeli përpara se të futemi. Ajo ka marrë një doktoraturë për gjinitë në burg në vitin 2014, teksa punon akoma për Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë ajo punon për Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Tiranë. “Gratë kryejnë krime për arsye të ndryshme nga burrat. Shpesh nga varfëria”. Paga mesatare mujore në Shqipëri është nën 55 euro dhe 18 për qind e popullsisë është e papunë. Në mesin e grave këtu, shkalla e papunësisë përpara mbërritjes së tyre ishte madje 46 për qind.

Ato janë kapur për prostitucion ose për shkak se kanë inkurajuar fëmijët e tyre të lypin (gratë cigane). Disa janë arrestuar për mashtrim ose trafik droge, të nxitura ose jo prej partnerëve. Ndonjëherë madje ato janë në burg në vend të partnerit. Dhe 40 për qind, tregon Papavangjeli, janë të dënuar për shkak se kanë vrarë personin e dashur. Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Europën. Arsyeja pse është tronditëse. Nuk është rasti se gratë shqiptare e vrasin partnerin më shpesh, por ato mbahen në burg më gjatë, mesatarisht dy herë më gjatë sesa në Belgjikë. “Shpesh gratë keqtrajtohen për vite të tëra para se të ndërmarrin veprimin e tyre. Por gjyqtarët nuk e marrin parasysh këtë. Kjo vjen edhe për shkak se shumë gra nuk mund të përballojnë një avokat”. Një në tre gra që ka intervistuar Papavangjeli për doktoraturën e saj, nuk mund të përballojnë një avokat dhe u caktohet një i tillë nga shteti. Ai merr rreth 5 mijë lek për këtë, diku te 40 euro. Krijimi i një dosje për të demonstruar rrethanat lehtësuese, ose për të argumentuar për një dënim alternativ siç është arresti shtëpiak, nuk është i mundur. Shumë gra e shohin avokatin e tyre vetëm në seancë.

Dhuna në familje

Është ftohtë dhe një rezistencë është vendosur në librari për vizitën. Burgu nuk ka ngrohje. Vetëm në mëngjes dhe në fillim të mbrëmjes, gratë mund të afrohen tek zjarri për dy orë. Rreth njëzet e pesë gra mblidhen rreth tavolinave në mes të dhomës. Më e reja po feston ditëlindjen e 19-të këtë javë, më e vjetra është në të 70-tat.

Blerina, drejtuesja e edukimit, shpjegon se përse kemi ardhur, por kjo nuk ndihmon në të vërtetë: “A doni vërtet të bashkëpunoni? A doni që familjet t’ju shohin këtu?” Ajo ka përpara një pirg me formularë: gratë duhet të nënshkruajnë faqe të gjata me deklarata përpara se të mund të flasin me ne. Edhe pse leja për projektin tonë vjen direkt nga Ministria e Drejtësisë, rojet duan që ditët e para të qëndrojmë në librari dhe na rrinë mbi kokë gjithë kohës. Çfarë po ndodh këtu?

E para që raporton është Luluja, një dyzetvjeçare me një pallto blu të errët. Ajo është dënuar me 19 vite burg: 6 për shkak se i janë gjetur bimë kanabisi në shtëpi, pjesën tjetër për shkak se i dashuri i saj abuzoi me të bijën për vite të tëra. Lulu vjen nga një familje me tetë vëllezër dhe tre motra. Ajo thotë se vëllezërit e rrihnin dhe nuk e lejuan të mbaronte shkollën. “Më detyruan të martohem. Donin që të lija shtëpinë dhe pranova. Isha 19 vjeç. Burri im ishte gjithashtu i dhunshëm, por ishte ndërkohë shtatzënë”. Lulu shkoi te vëllezërit e saj, por ata besojnë se dhuna është pjesë e mentalitetit shqiptar. Ajo u nda përfundimisht nga burri i saj. Djali i saj shkoi për të jetuar me të, vajza e saj 5-vjeçare qëndroi me të. Lulu u njoh me një burrë tjetër. Kur e zbuloi ish-burri i saj, shkoi në polici dhe tha se partneri i saj i ri ia përdhunonte vajzën. Në atë kohë, Lulu punonte në Greqi si prostitutë.

Dhuna ndaj grave është normë dhe jo përjashtim, sipas një studimi të fundit të UNDP për 3400 familje. Një në tre gra ishte dhunuar në marrëdhënien e saj gjatë kohës së intervistimit. 47 për qind e grave besonin se ato duhet të pranojnë një shkallë dhune në marrëdhënien e tyre. Gratë, thotë avokatja Sini Kolla e organizatës Gratë për Gratë në qytetin verior të Shkodrës, ende konsiderohen pronë në fshat dhe detyrohen të martohen. “Në familjet e varfra, dorëzohet madje pajë: burri i ardhshëm i paguan babait që të marrë të drejtat për vajzën e tij që nga ai moment”.

33-vjeçarja Lola po ashtu vjen nga fshati. Kur motra e saj e vogël u duk se kishte një lidhje, Lola u martua shpejt me një kushëririn e babait të saj. Ajo dhe i shoqi shkuan të jetojnë me prindërit e tij. Fëmija më i vogël vdiq pas dy muajsh- vdekja e krevatit, thotë Lola. Vjehrri i saj thotë se është vrasje- Lola duhej të paraqitej në gjykatë. “Burri më tha: Nuk ke pse thua gjë në gjykatë, i kemi rregulluar gjërat me gjykatësin”. Ajo ishe e traumatizuar dhe bëri siç i tha burri. Lola u dënua me 16 vite burg. I shoqi është rimartuar.

Kriminele për shkak të varfërisë

Festa e ditëlindjes pesë muaj më vonë ishte një sukses. Megjithatë Lola është e trishtuar. Pak përpara se të niste muzika, grave u thuhet se ato mund të telefonojnë vetëm katër herë në javë, dhe vetëm gjysma mund të telefonojë pas orës tre pasdite. Lola i telefonon djalit të saj shtatëvjeçar çdo ditë, por ai nuk mbaron shkollën deri në orën katër. Si t’ia bëjë?

LEXO EDHE  Ish-deputeti apel të fortë qytetarëve: Përballja me të keqen e vetmja rrugë për të shpëtuar demokracinë

Rregulli i ri vjen pasi një i burgosur mashkull në një burg tjetër u zbulua se vazhdonte biznesin e paligjshëm nga burgu. Ministria vendosi të shtrëngojë rregullat në të gjitha burgjet, edhe pse nuk ka asnjë arsye për ta bërë këtë në burgun e grave: askush nuk ka provuar të arratiset prej andej dhe duket se nuk ka tregti të paligjshme.

Ne mundohemi të flasim me drejtoreshën e burgut, Elona Demollari, por ajo nervozohet kur na sheh. Pozicioni i drejtorit të burgjeve është i politizuar: me ardhjen e një kabineti të ri, 24 drejtorë të rinj burgjesh u caktuan në janar të vitit 2018. Kështu që nuk vlen përshtatshmëria, por përfshirja me partinë është vendimtare. Rezultati është se gjithmonë e më shumë rregulla vendosen nga ministria dhe stafi përpiqet më së shumti që të mos humbasë punën. Por ka qenë ndryshe dikur. Gjatë qeverisë së mëparshme, që ishte në pushtet për tetë vjet, kishte më shumë vazhdimësi dhe vlerësohej më shumë përshtatshmëria. Komiteti i Helsinkit ishte përfshirë intensivisht në sistemin e burgjeve gjatë atyre viteve dhe trajnoi stafin, por me ardhjen e qeverisë së re, këto investime u fshinë.

Në fund flasim me ish-drejtoreshën e burgut, Marinela Sota. Ajo ka qenë drejtoresha e burgut Ali Demi për katër vjet dhe u largua ku presioni politik u bë i padurueshëm për të. Ajo aktualisht jep mësim në Fakultetin e Punës Sociale dhe Psikologjisë së Aplikuar në Universitetin e Tiranës. Avantazhi kryesor në punën e re, thotë ajo, është se ka lirinë për të shprehur opinionet e saj, gjithashtu edhe për sistemin e burgjeve. “Ne kemi një ligj të rreptë penal, por nuk mund të luftohet krimi vetëm me ndëshkim. Ne tani shohim krime që vijnë nga varfëria. Ne i mbyllim njerëzit pas hekurave për shkak se nuk paguajnë faturën e energjisë elektrike. Shteti duhet të investojë në shoqëri, në arsim, në ndërtimin e komunitetit”.

“Kushtetuta jonë është plot me ‘respektimin e të drejtave të njeriut’, por e gjithë shoqëria është e ndërtuar mbi pabarazinë,” thotë Papavangjeli e UNDP. Merrni ushqimin për shembull. Të burgosurit që presin vizita nga familja e tyre marrin ushqim dhe para, kurse të tjerët varen nga të burgosurit ose nga të burgosurit e pasur, të cilët shpesh duan diçka në këmbim.

Gjykatës të korruptuar

Gjatë muajit të Ramazanit, Lidja gatuan gjithë muajin për Albanën, e cila nuk ka pasur asnjë vizitë për një vit. “Një përpjekje e vogël,” thotë ajo me gëzim. Lidja, 33 vjeç, po vuan dënimin me 12 vite për vjedhjen e qindra-mijëra eurove nga një djalë që u përpoq ta mashtronte. “Unë jam e pafajshme. Kam marrë dhurata dhe para, por ky nuk është një krim”. Lidja pretendon se ka marrë vetëm një pjesë të parave. Se ku ka shkuar pjesa tjetër e parave, mbetet e paqartë, për shkak se kur vizitojmë mamanë e Lidjas, Selimen në periferi të Tiranës, e gjejmë në një kasolle duke shitur rroba të dorës së dytë. Asnjë klient nuk mbërrin atë që orë që jemi aty. I shoqi ka punuar në një fabrikë lëkurësh derisa nisi të kishte probleme shëndetësore. Djali i saj transporton mobilie. Ajo pastron një kafene në mëngjes dhe qëndron në dyqanin e të bijës pasdite.

Ata shitën apartamentin që të paguanin një avokate për të bijën, por ajo iku me paratë. Selimeja shkoi në Komitetin e Helsinkit për ndihmë. Lidja, e bija, thotë: “Ajo shkon kudo që i them unë, por nuk kupton asgjë nga ato që i thonë”.

Lidja përfundimisht apeloi, por pa sukses. Për të luftuar korrupsionin masiv në gjyqësor, Shqipëria mori një vendim radikal: të gjithë 800 gjyqtarët po rivlerësohen dhe duhet të tregojnë se ku i kanë marrë paratë këto 25 vite. Nga 140 gjyqtarë që kanë kaluar procedurën, vetëm 53 i kanë mbijetuar shqyrtimit.

Gratë në fakt ndëshkohen dy herë. Në ligj është e përcaktuar se të burgosurit që kanë vuajtur dy të tretat e dënimit, mund të lirohen me kusht. Por për këtë duhet të kthehen sërish në gjykatë, të demonstrojnë sjellje të mirë dhe të provojnë se mund të mbështesin veten sapo të dalin. Ato pa avokat kanë pak shans. Jashtë kamerave, të burgosurat na thonë se nuk ka ndodhur vitet e fundit që gratë të lirohen me kusht pa paguar për këtë- jo vetëm avokatin, por edhe diçka shtesë për gjyqtarët.

Një gardiane, që kërkon të mbetet anonime, e konfirmon këtë: “Ne u japim rekomandime pozitive grave. Dëshmojmë se janë sjellë mirë. Ato shpesh kanë fëmijë në shtëpi. Sidoqoftë, në shumë raste gjykata nuk u jep leje për lirimin e parakohshëm. Ata kanë avokatë të këqij, ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta. Të drejtat tona nuk respektohen”.

Paligjshmëri

Një ditë pas festës së ditëlindjes, Lola, 23 vjeç, ka dhimbje stomaku. Arsyeja, e pranon ajo menjëherë, është sepse mund të përdorë telefonin katër herë në javë. “Nuk kam nevojë për shtatë herë”. Nuk ka asnjë aktivitet në burg, vetëm projekte nga organizatat e ndihmës që kanë marrë subvencione për këtë dhe janë gjithmonë të përkohshme. Telenovelat që shohin pasdite janë i vetmi argëtim.

Jemi në një studio, një hapësirë e madhe pune me makina qepëse dhe piktura të anëtarëve të familjeve. Këtu mund të flasim pas shqetësim. Pastaj vjen një gardiane për të marrë Xhulin. Drejtoresha Elona Demollari qëndron në oborr me një palë syze të dielli të mëdha ‘Jackie Kennedy’ dhe taka të larta. Ajo po thërret të gjitha gratë që kanë fëmijë. Së shpejti do jetë 1 qershori, Dita e Fëmijëve dhe do të organizohet një festë për fëmijët e të burgosure. A do vijnë edhe fëmijët e Xhulit?

“Jo”, thotë ajo duke hezituar.

“Nuk do të të lutem ty,” thotë e irrituar drejtoresha.

Pas kthimit në studio, ajo e lëshon zemërimin. Xhuli është 28 vjeç dhe është dënuar me gjashtë vjet për qiradhënien e tre apartamenteve. Ajo fitonte 200 euro si kameriere, por nuk ishte e mjaftueshme. Fëmijë e saj, tetë, shtatë dhe tre, tani jetojnë një orë e gjysmë larg Tiranës me të shoqin dhe prindërit e tij. “Nuk i ushqejnë fëmijët në këto festa. Janë thjesht për t’u treguar fytyrat nëpër ekrane. Nuk e dua diçka të tillë. Dhe e keqja është se nuk mund ta them sinqerisht këtë, sepse rrezikoj të marr notë të keqe në sjellje”.

“Deklaratën e Nelson Mandelës, e di që është e vërtetë,” thotë Papavangjeli. “Nuk po flas për lehtësirat, por për klimën. Ti e nuhat që ka tension, frikë për të folur. Ti e sheh se sa roje ecin rreth nesh për të dëgjuar bisedat në vend që të bisedojnë me të burgosurit. Dhe kur flasin, japin vetë urdhra”. Ato janë tregues, thotë ajo, sesa të sigurt ndjehen stafi dhe të burgosurit. Dhe kjo tregon diçka për gjendjen e vendit, kur e konsideron se burgjet vizitohen shpesh nga përfaqësuesit e organizatave të të drejtave të njeriut. “Nëse siguria mungon brenda, ky është një reflektim i paligjshmërisë dhe pabarazisë në botën jashtë”.

A është Shqipëria gati për Europën nëse korrupsioni, varfëria dhe pabarazia luajnë sërish një rol të tillë në vend? “Ne jemi europianë,” thotë avokatja Sindi Kolla e vendosur. Po, thotë ish-drejtoresha e burgut, Marinela Sota. “Njerëzit janë të gatshëm të paguajnë taksa, të jetojnë sipas rregullave, të respektojnë ligjin, si çdo qytetar europian. Ata nuk e duan këtë korrupsion. Ata duan të trajtohen me dinjiteti dhe drejtësi. Por qeveria i përdor bisedimet e anëtarësimit me BE vetëm për të fituar vota. Ajo nuk është e angazhuar seriozisht për ndryshim”.

Dhe Xhuli, që tani shpreson për lajme çdo ditë. Teksa dy fëmijët e saj më të mëdhenj shkojnë në shkollë dhe mësojnë të lexojnë, presidenti ka bërë një kërkesë për amnisti, të mbështetur nga drejtoresha e mëparshme e burgut dhe tre avokatë nga Ministria e Drejtësisë. “Kërkesa është dërguar dy muaj më parë. Jemi ende duke pritur një përgjigje”./mapo