Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja konstituoi dje Këshillin e ri bashkiak të Shkodrës në sallën e bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Gjatë kësaj mbledhjeje u zgjodh dhe kryetarja e Këshillit të ri Bashkiak, Brisela Kadia, ndërsa socialistët do t’i drejtohen me një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mandatin e kryetarit të bashkisë. Kryetarja e sapozgjedhur e Këshillit, Kadia deklaroi se për postin e kryebashkiakut do t’i drejtoheshin KQZ-së, në përputhje me Kodin Zgjedhor. Ligji për Qeverisjen Vendore thotë se kur posti i kryetarit mbetet vakant, një nënkryetar kryen funksionet e kryetarit deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Problemi është se nënkryetari është një person që emërohet dhe shkarkohet nga kryetari (neni 61) dhe në kushtet aktuale, ky post mbetet gjithashtu vakant. Ngërçi mund të zgjidhej nga një dekret për zgjedhje të pjesshme vendore, por Presidenti i Republikës nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe për rrjedhojë, ka deklaruar se nuk do të shpallë zgjedhje të parakohshme për Shkodrën.
Në këto kushte, qeverisja vendore për Shkodrën mbetet në ngërç edhe pas konstituimit të Këshillit Bashkiak. Pritet që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të diskutohet për mandatin e përfunduar të Voltana Ademit në krye të Bashkisë së Shkodrës.
PROTESTA
Teksa brenda Bibliotekës së Universitetit bëhej konstituimi ku i pranishëm ishte deputeti i PSD-së, Tom Doshi, bashkë me deputetët Luan Harusha, Senida Mesi dhe zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuka, militantët e PD-së nisën përplasjet me Policinë ku tentuan disa herë të çanin kordonin, strategji e përdorur të protestat e dhunshme muajt e fundit. Gjatë protestës, pati konfrontime fizike mes protestuesve dhe Policisë, por edhe momente të tjera tensioni si goditja me sende të ndryshme në drejtim të deputetit Tom Doshi.
Protesta e PD nisi në orën 10:00 te Prefektura e Qarkut Shkodër dhe pas disa minutash të grumbulluar aty, protestuesit marshuan në rrugët kryesore drejt sallës së bibliotekës së universitetit “Luigj Gurakuqi” në vendin ku po bëhej konstituimi i këshillit të ri. Përplasja mes policisë dhe protestuesve vazhdoi deri në përfundim të mbledhjes konstituese të Këshillit. I pari që doli jashtë nga mbledhja, ishte deputeti, Tom Doshi.
Menjëherë protestuesit nisën të reagojnë ndaj deputetit Doshi, ndërsa turma vendosi t’i shkojë pas duke qenë se ai po ecte në këmbë, duke hedhur sharje dhe fyerje ndaj tij. Në momente të ndryshme disa shishe uji dhe sende të tjera fluturonin në drejtim të Doshit dhe personave të tjerë që e rrethonin atë, por është dashur ndërhyrja e disa truprojave që e shoqëronin, që deputeti Doshi të mos pësonte dëmtime.
Këto momente tensioni zgjatën për disa minuta në rrugëtimin e Doshit në rrugët e Shkodrës, derisa ai hyri në një nga hotelet në qendër të qytetit. Vetë Doshi e cilësoi absurde këtë protestë të opozitës, ndërsa u shpreh se “opozita të ishte futur në zgjedhjet e 30 qershorit”.
Nga ana e tij sekretari i PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi normale revoltën e protestuesve. Pasi deputeti Doshi u largua, sekretari Bardhi dhe kreu i PDsë Shkodër i dhanë fund protestës ndërsa iu drejtuan Bashkisë Shkodër, duke zhvilluar një takim në zyrën e kryebashkiakes Voltana Ademi, e cila këtë radhë e ndoqi protestën nga zyra dhe nuk ishte bashkë me protestuesit.
DREJTIMI
Deputetja e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Senida Mesi, tha dje pas konstituimit të Këshillit bashkiak se u takon atyre që të vendosin se kush do të administrojë bashkinë deri në zgjedhjet e pjesshme për të nxjerrë një kryetar të ri të Bashkisë së Shkodrës. “Këshilli është i konstituuar. I takon atyre se si dhe kush do të administrojë Shkodrën. Dhe deri në zgjedhjet e radhës në Shkodër, Këshilli duhet të vendosë kush do të bëjë administrimin e bashkisë”, është shprehur Mesi.
Duke folur për dorëheqjen e Valdrin Pjetrit, Mesi tha se askush nuk mund të dalë mbi ligjin. “Në emër të PS, garantoj opinionin publik se do të dal dhe do të jetë mbi interesin politik dhe në zbatim të ligjit publik askush nuk është mbi ligjin. Shqipëria po ecën përpara. Së shpejti do të kemi SPAK dhe BKH që do të kenë shumë punë. Valdrini do të përgjigjet para ligjit si çdokush tjetër. Është e rëndësishme që në këtë Shqipëri që aderon për në BE, t’u thotë jo njerëzve që janë në kundërshtim me ligjin. Duhet të verifikohen të gjitha, pavarësisht kohës moshës ku kanë marrë dënimin. Nuk duhet të jenë më pjesë. Ata kanë të drejtën ligjore për funksione të tjera, por jo politike në nivel të larta”, ka shtuar ajo. /Panorama/