Nga Boldnews.al
Dy nga gjashtë anëtarët prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari dhe Gentian Osmani, u shkarkuan nga detyra për shkak të problemeve me pasurinë, pas një procesi të gjatë e të thelluar Vetingu.
Ndërkohë, dy anëtarë të tjerë të këtij institucioni të ri, po prokurorë, Besnik Cani dhe Arben Dollapaj, janë në pritje të shqyrtimit të rastit të tyre para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik ka dyshime mbi ligjshmërinë e pasurisë së tyre.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, 5 prej të cilëve u përzgjodhën nga radhët e jo-magjistratëve. Kjo kategori anëtarësh u përzgjodh pa një proces rivlerësimi-Vetingu-të vërtetë.
Pasuria e tyre u kontrollua në mënyrë të përciptas nga një komision jo-kompetent i Parlamentit të Shqipërisë, në një kohë shumë të shkurtër.
Këta anëtarë janë, ndërkohë, subjekte të verifikimit të pasurisë nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI), një institucion me resurse shumë të limituara, krahasuar me strukturat e Vetingut.
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë status të barabartë me njëri-tjetrin, por procedurat e përzgjedhjes së tyre dhe, sidomos verifikimi, ka qenë tërësisht i pabarabartë, në favor të anëtarëve të votuar nga politika.
Një situatë e ngjashme është aktualisht edhe në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka kualifikuar si kandidatë zyrtar për këtë pozicion 4 juristë, dy prej të cilëve me status magjistrati-Artur Malaj e Marsida Xhaferllari dhe dy të tjerë jo magjistratë-Artur Metani dhe Eris Hysi.
Kandidati Artur Malaj, aktualisht gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit po përballet prej më shumë se një viti me procesin e Vetingut. Ai u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Por, fillimisht Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe më pas Komisioneri Publik ngritën pikëpyetje mbi kriterin e pasurisë së tij. Gjyqtari Malaj pret të përballet në Shtator 2019 me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Kandidatja Marsida Xhaferllari, ish-gjyqtare dhe ish-kryeinspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësi, u përfshi në procesin e Vetingut. Pas kontrollit të imtësishëm ndaj Xhaferllarit, KPK, në seancën dëgjimore, vendosi të mos dalë me vendim, për shkak të interpretimit procedurial se ajo nuk e gëzonte statusin e “magjistratit”.
Gjithësesi, edhe pse nuk doli me një vendim përfundimtar, KPK e kreu të plotë vetingun ndaj kandidates Xhaferllari. Ajo duket se nuk ka pasur probleme me Vetingun, për aq kohë sa materiali që KPK i përcolli Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk konstatoi problematika.
Ndërkohë, në garën për Inspektor të Lartë të Drejtësisë janë edhe dy juristë të tjerë, të cilët nuk janë përballur me filtrat e hollë të strukturave të Vetingut.
Artur Metani dhe Eris Hysi nuk e kanë gëzuar asnjëherë statusin e magjistratit. Verifikimi i pasurisë së tyre është realizuar së fundmi nga KED, me ndihmën e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive.
Por, ndryshe nga kandidatët magjistratë, për dy të tjerët, verifikimi i pasurisë është kryer në një kohë shumë të shkurtër (rreth 1 mujore), që sugjeron se procedurat janë kryer të përcipta
Po ashtu, verifikimi i kandidatëve Metani dhe Hysi janë kryer nga KED, një institucion që nuk e ka ekspertizën e nevojshme, sidomos për kontrollin e pasurisë dhe legjitimitetit të burimeve financiare.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në vendimmarrjen e saj kualifikuese, i është referuar kryesisht raportit të Inspektoratit të Pasurive.
Por, siç ka rezultuar në shumë raste gjatë procesit të Vetingut, strukturat e rivlerësimit kanë përmbysur raportet paraprake të ILDKPKI, duke shkarkuar nga detyra gjyqtarë e prokurorë, të cilët kishin dalë pozitiv nga ai institucion.