Anti-informaliteti forcoi bashkëpunimin “Qeveri-Evazor-Gjyqësor”

Nga Boldnews.al

Operacioni anti-informalitet i verës bashkoi tre kategori, për të cilat, opinioni publik ka dyshime të forta në integritetin e tyre.

Rezultantja e këtij bashkimi, natyrisht, nuk pritet të jetë produktive. Të paktën, jo për qytetarët që janë të mbingarkuar me skepticizëm për qeverinë, sidomos tatimorët; për evazorët e mëdhenj fiskalë, të cilët gjenden në radhën e bizneseve VIP); dhe për gjyqtarët, mbi të cilët qëndron thagma e korrupsionit.

Qeveria
Kryeministri Edi Rama ka ngarkuar zëvendësin e tij të zhurmshëm, Erion Braçe, për të drejtuar aksionin e radhës anti-informalitet. Braçes i janë bashkuar edhe dy zonjat, ministrja e Financave Anila Demaj dhe drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, me fytyra të këndshme për t’u parë në media, krahasuar me fytyrat e ngrysura mashkullore që karakterizojnë botën e parasë.

Pas drejtuesve politikë, qëndrojnë një tabor i tërë tatimorësh, të cilët kanë trokitur në dyert e bizneseve të mëdha e në sipërmarrje nga industria e rëndë e deri tek shërbimet luksoze.

Ditë pas dite, propaganda qeveritare ka publikuar një aradhë emrash biznesesh të mëdha, të cilët, sipas administratës tatimore, kanë kryer evazion fiskal, nuk aplikojnë kuponat tatimorë, janë shmangur nga detyrimet e pagesës së akcizës. Në mënyrë të përmbledhur, qeveria duket se “ia mblodhi rripat” biznesit të madh.

Por, a ka ndodhur realisht kështu? Pyetja mund të marrë një përgjigje, pas shpjegimit të rolit të dy “aktorëve” të tjerë të fushatës informalitet; biznesit të madh dhe gjyqësorit.

Biznesi i madh, evazorët e mëdhenj?
Qeveria, për herë të parë në 6 vitet e “Rilindjes”, ka ndërmarrë një fushatë kundër evazionit fiskal në radhët e biznesit të madh.

Politikat fiskale të qeverisë “Rama” kanë qenë “për së prapthi”. Lufta kundër informalitetit është ideuar dhe zbatuar me parimin “nga poshtë, lart”. Pra, qeveria ka qenë e fokusuar të godasë paligjshmërinë tatimore tek biznesi i vogël, me qëllimin që të frenonte evazionin e biznesit të madh që furnizon njësitë tregtare.

Rezultati është katastrofik. Mijëra biznese të vogla, kryesisht ato familjare, janë mbyllur, për shkak të mbingarkesës me taksa dhe kontrolleve agresive të administratës tatimore ndaj tyre.

Nga ana tjetër, bizneset e mëdha, evazioni i të cilëve ndikon drejtëpërdrejtë në financat publike dhe në ekuilibrat fiskalë shtetërorë, janë pasuruar ndjeshëm.

LEXO EDHE  Pas video-skandalit, pezullohet nga detyra pedagogu Denis Himçi

Ekonomia shqiptare ka një paradoks logjik-zvogëlimi i bizneseve të vogla shoqërohet me rritjen e të ardhurave të biznesit të madh. Duket e paqartë se cili është tregu i bizneseve të mëdha, kur numri i bashkëpunëtorëve të tyre të vegjël, klientëve të tyre kryesorë, është ulur ndjeshëm në vitet e fundit.

Ky paradoks krijon dyshimet se një pjese e rëndësishme e bizneseve të mëdha, përfshirë edhe “oligarkët” qeveritarë, vijojnë të patrazuar aktivitetin e tyre evaziv.

Ata duket se nuk janë të shqetësuar as nga fushata e fundit anti-informalitet. Ndërkohë që dyshimet janë se biznese të tilla shmangin detyrime fiskale në miliona euro, “taksidarët” e Erion Braçes kanë gjetur deri më tani, evazion në vlera fare minimile, në rendin nga 10-100 euro.

Edhe këto “konstatime”, duket se janë blof, të paktën referuar disa vendimeve të gjykatave të ndryshme, të cilat kanë vendosur heqjen e shiritave bllokues për një pjesë të mirë të bizneseve të “kapura” nga anti-informaliteti i Erion Braçes me shokë.

Gjyqësori
Aksioni i tatimorëve ka prodhuar disa akte administrative (gjoba dhe bllokime) të kundërligjshme. Disa biznese të bllokuara nga kontrollet e administratës fiskale janë zhbllokuar brenda një kohe shumë të shkurtër nga gjykatat.

Këto të fundit, sipas argumentave të paraqitur në vendimet e zbardhura, kanë konstatuar një seri problematikash faktike, proceduriale dhe ligjore në veprimet e kontrolluesve tatimorë.

Profesionalizimi i dobët i treguar nga inspektorët tatimorë u ka dhënë mundësi gjykatave që të tregohen dashamirës me disa biznese “VIP”, duke vendosur heqjen e shiritave dhe lejimin e aktivitetit të tyre tregtarë.

Në këtë mënyrë, gjykatat kanë shndërruar në flluska sapuni të gjithë aksionin anti-informalitet të propaganduar nga qeveria.

Pikëpyetja më e madhe është: administrata tatimore, e drejtuar nga Qeveria, a e ka vullnetin për të luftuar evazorët e mëdhenj? Apo fushata është gjysmake, vetëm mediatike, duke u krijuar hapësira kompanive të fuqishme që të fitojnë menjëherë të drejtën e tyre në gjykatë?

Zëvendëskryeministri Erion Braçe e ka një përgjigje të shpejtë-fajin e kanë gjykatat e korruptuara, që do të përballen me Vetingun. Një justifikim, i cili duket se nuk bind njeri.