Nga Boldnews.al
“I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”-kështu e përshkruan dhe po kështu në pak rreshta e shpreh “zhgënjimin” e tij Edi Rama, pasi u informua se i përzgjedhuri për kryebashkiak në Shkodër ishte dënuar në Itali për trafik droge.
Bashkë me Valdrinin, më 27 janar 2003 në Firence të Italisë u arrestua edhe Altin Doda, djali i Viktor Dodës, ish-ministrit të Energjitikës në qeverisjen e kryeministrit Nano. Dy të rinjtë shqiptarë që kishin shkuar për studime në Firence të Italisë kapen duke trafikuar sasi të vogël kanabisi. Babai i Valdrin Pjetrit, Luigji, në vitin 2003 mbante detyrën e Drejtorit të Divizionit dhe Shpërndarjes në KESH, ndërsa Altin Doda mburrej edhe më shumë, pasi babain e kishte Ministër të Energjitikës.
Një histori që do ishte mbyllur përgjithnjë nëse Valdrin Pjetri nuk do kërkonte të ngjiste edhe më shumë shkallët e karrierës, si Drejtor i Përgjithshëm i Hipotekës, Prefekt i Shkodrës dhe më pas Kryetar Bashkie i dalë nga votimet njëpartiake të 30 qershorit.
Barrën e rëndë sot po e mbajnë dy prindërit e “çunakëve” të vitit 2003. Mbase me pyetjet prindërore: A do ishte më mirë mos u kishim dhënë para; mos i kishim dërguar në shkollë me ndërhyrjen tonë; po sikur ti edukonim që të punonin për të arritur suksesin, po sikur, po sikur, po sikur….?!
Këto janë pyetjet që mundojnë tashmë prindërit, por faji edhe i tyre, është më i vogël se “faji i pushtetit”. I këtij përbindëshi që të errëson sytë, ku bota të duket e vogël në duart tua, apo si një kub loje që e kthen sipas dëshirës.
Valdrini dhe Altini nuk patën as shansin që të përfundonin shkollën në Firence të Italisë, pasi u dënuan dhe dëbuan. Por sërish pushteti të vret sytë. Këta djem, baballarët i “ricikluan” duke ua fshirë me dashje të shkuarën. Altin Doda është Kryetar i Njësisë Administrative nr 3 në Tiranë. I përzgjedhur nga Lali Eri, ku edhe Doda është subjekti i ligjit të dekriminalizimit, por me siguri nuk e ka deklaruar dënimin e marrë në Itali.
Nga ana tjetër, Valdrin Pjetri synoi lart e më lart, duke fshirë me veten të shkuarën, por diku në copat e letrave të drejtësisë italiane, ajo e kaluar nuk fshihet, nuk ikën. Sigurisht ata nuk janë mëkatarë të mëdhenj. Nuk kanë vrarë kënd, nuk kanë grabituar, përdhunuar apo trafikuar sasi të madhe narkotikësh. Një dënim i vogël për mbajtje dhe shitje kanabisi, hipur mbi një motorr të vjedhur.
Ndoshta kjo është edhe histori e shumë të rinjve shqiptarë, por ata mijëra të rinj tanë pa përkrahje, i kanë vuajtuar pasojat. Nuk mëtuan të jenë në pushtet si drejtues, sepse nuk kanë baballarë të fuqishëm, të pushtetshëm.
Për fëmijën gjithçka do bënin Doda e Pjetri dhe e gjetën momentin për ti riveshur me pushtet kur Rilindja e Edi Ramës gati hapi një ‘konkurs’ mbi kriteret rigoroze që duhet të plotësonin: “Kandidatët për të marrë poste të rëndësishme drejtuese, apo të tu zgjedhur deputetë dhe kryebashkiakë, duhet të kenë të shkuar kriminale, preferohen vrasësit, trafikantët e drogës dhe prostitucionit…”. Me këtë kategori u mbush Parlamenti në vitet 2013-2015, me to qeverisi Rama, ata po e mbajnë në pushtet e prej tyre po gëzon benefitet.
Po sot Valdrini dhe Altini janë vetëm “viktima” të së shkuarës së tyre dhe të keqen nuk e gjetën nga pushteti, por ajo dreq drejtësi e huaj që nuk blihet, nuk shitet dhe nuk joshet me paratë dhe influencën e baballarëve…