Rënia e pazakontë e Euros/ VOA: Para të pista në qarkullim, goditen qytetarët shqiptarë

Gjatë këtij muaji monedha BE-së Euro arriti në Shqipëri minimumin historik përballë lekut në 12 vitet e fundit, dhe ka humbur 13-15 % të vlerës së saj përballë monedhës shqiptare në 3 vitet e fundit.

Ekspertët mendojnë se ky zhvlerësim kaq i madh i euros përballë lekut nuk shpjegohet me forcën e ekonomisë shqiptare, por me faktorë jashtë ekonomisë formale.

“Shqetësimi është mjaft i madh sepse forcimi i pazakontë i monedhës kombëtare në radhë të parë godet eksportet e Shqipërisë, godet investimet e huaja dhe fuqinë konkurruese të Shqipërisë për të thithur investimet e huaja, dhe godet ashpër kursimet e një pjese dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që janë në euro, sepse vijnë nga emigracioni” – tha Gjergj Buxhuku, përfaqësues i organizatës Alb-Konfindustria.

Studiuesit e shohin me shqetësim mosveprimin e Bankës së Shqipërisë, ose si thonë ata, politikat e gabuara të saj, si de-euroizimi i ekonomisë shqiptare në pikun e rënies së euros. Por drejtuesit e saj nuk duken të shqetësuar për dobësimin e ndjeshëm të euros me lekun.

“Ecuria e këmbimit të monedhave në treg është në normalitet, aktualisht po ndikojnë disa faktorë sezonalë, sa I takon zhvlerësimit të lekut” – tha Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Dobësimi i euros lidhet pjesërisht me luhatjet në tregjet botërore, por në Shqipëri sipas ekspertëve, dyshimet më të mëdha janë tek ndërhyrja e faktorëve të informalitetit, mes të cilëve edhe pastrimi i qindra miliona euro të drogave të forta, aq sa konkurrojnë edhe ekonominë reale, derisa leku ka 3 vjet që forcohet gradualisht përballë euros, ndonëse ekonomia shqiptare është në kuota të dobëta.

LEXO EDHE  "Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në Durrës", Tjetër lajthitje nga rilindasit e Ramës (VIDEO)

“Vendi vazhdon të ketë një deficit të llogarisë korrente prej 700 milionë eurosh, Vijon të ketë një deficit tregtar prej disa miliardë euro, dhe vazhdon të ketë një monedhë kombëtare që vazhdimisht forcohet e forcohet edhe pasi Banka e Shqipërisë ndërhyn në mënyrë të jashtëzakonshme duke blerë disa qindra milionë euro brenda pak muajve. Kjo tregon se në treg ka para të pista , nuk ka ndonjë shpjegim tjetër të logjikshëm” – tha Gjergj Erebara, analist i ekonomisë në agjencinë BIRN.

Ekspertët pohojnë se ekonomia shqiptare, me fuqinë e saj nuk e justifikon dot këtë forcim të lekut, pra kanë ndërhyrë flukse gri të eurove, flukse informale të parave të pista. Por Banka e Shqipërisë ende nuk ka të dhëna zyrtare për këtë.

“Volumi i eurove nuk paraqitet në ndonjë trend të pazakontë. Nuk kemi të dhëna zyrtare për ndonjë volum të jashtëzakonshëm të eurove në treg” – tha Guvernatori Sejko.

Përfituesit më të mëdhenj nga dobësimi i thellë I euros janë lobet e importuesve që sjellin mallra me cmime të ulëta dhe qeveria tek pagesat e borxhit të jashtëm.

Ndërsa humbësit më të mëdhenj janë qytetarët shqiptarë, të cilëve u preken drejtpërdrejt kursimet e tyre, preken prodhuesit vendorë, preken eksportuesit e prodhimit vendor. /VOA