Tashmë është zyrtare, Fakundo Kolidio do të luajë i huazuar te Sint-Truiden, në sezonin e ri.
Sulmuesi ishte një nga lojtarët më të mirë tek skuadra e të rinjve të Interit, dhe drejtuesit shpresojnë se ai mund të fitojë më shumë eksperiencë këtë sezon. 19-vjeçari u bashkua me zikaltërit para 2 sezonesh, teksa në arkat e Boka Zhuniors u derdhën 9.7 milionë euro, për të marrë shërbimet e lojtarit.
Kolidio luajti nën urdhrat e Kontes gjatë përgatitjeve para sezonale, ku tregoi paraqitje të mira në aq minuta sa iu dhanë.
Drejtuesit së bashku me trajnerin kanë besim në aftësitë e argjentinasit, dhe mendojnë se do të rritet shumë në të ardhmen, dhe vendosën ta huazojnë në kampionatin belg, me shpresën se do të marrë eksperiencën e nevojshme aty.