Nga Boldnews.al
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka ndaluar kandidimin e gjyqtarit të Durrësit, Rexhep Bekteshi, për një post vakant në Gjykatën Kushtetuese, pasi ka rezultuar se ai ka marrë pjesë në një proces politik, në vitin 1990.
Gjyqtari Bekteshi u përfshi në procesin e verifikimit të shumëfishtë të integritetit nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pas aplikimit që ai dorëzoi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, në vijim të thirrjes së shpallur nga Presidenti i Republikës në Shkurt 2018.
Autoriteti i Dosjeve ka konstatuar se Bekteshi ka qenë hetues i një të pandehuri, ndaj të cilit është zhvilluar proces gjyqësor për Agjitacion e Propagandë.
Megjithëse ky fakt nuk përbën ndalim, në kuptimin e ngushtë të ligjit, për të vijuar detyrën si gjyqtar apo prokuror, gjithësesi KED ka vlerësuar se pjesëmarrja në një proces politik në periudhën e komunizimit përbën cënim të integritetit të kandidatit Bekteshi.
Verifikimi i Bekteshit
Autoriteti i Dosjeve, në në një komunikim zyrtar, informon Këshillin e Emërimeve në Drejtësi se “Rexhep Bekteshi figuron hetues në dosjen hetimore nr. 148,…për një pandehur për Agjitacion dhe Propagandë”.
Avokati i Popullit, një institucion që monitoron procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, vlerësoi paraprakisht se kandidatura e gjyqtarit Rexhep Bekteshi duhej ndaluar për të vijuar garën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
“Megjithëse ky fakt (pjesëmarrja në proces politik) mund të mos përbëjë pengesë për vijimin e ushtrimit të funksionit si gjyqtar, Avokati i Popullit mbështet qëndrimin se, për t’u emëruar në një detyrë si ajo e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, duhet pasur një standart më i lartë”, shprehet zyra e Ombusman-it shqiptar.
Gjyqtari Bekteshi ka kundërshtuar gjetjen e Autoritetit të Dosjeve. Në sqarimet që i ka dhënë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ai mohon të ketë marrë pjesë në procese politike në periudhën e komunizimit.
“Në periudhën 1980-1991 kam qenë hetues në Hetuesinë e Rrethit Durrës. Kam hetuar çështje për vepra penale në sektorin e Kundër Jetës dhe Shëndetit të Personit e Vjedhjes së Pasurisë. Nuk kam qenë hetues për vepra penale kundër shtetit dhe nuk kam marrë pjesë në procese të posaçme”, thotë gjyqtarit Bekteshi në shkresën drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Sa për faktin e evidentuar nga Autoriteti i Dosjeve, gjyqtari Bekteshi shprehet: “Nuk e mbaj mend konkretisht këtë rast, por mendoj se ky rast ka qenë çështje për vjedhje, e ndërthurur me Agjitacion e Propagandë”.
Vendimi i KED
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi administroi dokumentacionin dhe u njoh me sqarimet e gjyqtarit Rexhep Bekteshi, me vendimin nr. 93, dt. 30.07.2019 vendosi “ndalimin e kandidimit për një pozicion vakant në Gjykatën Kushtetuese”.
Në vendimin e arsyetuar, KED shprehet se “nisur nga rrethanat konkrete dhe specifike të çështjes në shqyrtim. Vlerësohet se të dhënat që janë paraqitur nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) lidhur me kandidatin Rexhep Bekteshi, përbëjnë motiv për të vlerësuar mos-përmbushjen nga ky kandidat të kushtit ligjor lidhur me integritetin e kandidatit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese”.
Standartet e ndryshme
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka përdorur një filtër shumë të imët për kandidaturat për në Gjykatë Kushtetuese, ndryshe nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili, për të njëjtën situatë, zgjodhi ish-hetuesen e komunizmit, Nurihan Seiti, si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Nurihan Seiti, e cila u përzgjodh në KLP nga radhët e avokatëve, rezulton se ka marrë pjesë në të paktën 4 procese gjyqësore politike, në periudhën 1988-1989. Por ky shkak, i cili vendos në pikëpyetje të rëndësishme integritetin e anëtares së KLP-së, nuk është vlerësuar i tillë nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili miratoi kandidaturën e saj në strukturën që menaxhon karrierën e prokurorëve.
Po ashtu, KLP miratoi mandatin e anëtarit të saj, Bujar Sheshi, pavarësisht se Autoriteti i Dosjeve kishte konstatuar se emri i tij gjendej në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, një kusht ndalues për të qenë anëtar i strukturave të reja, të parashikuara nga Reforma në Drejtësi.
Prokurori Sheshi e ankimoi vendimin e Autoritetit të Dosjeve në Gjykatën Administrative të Tiranës, e cila i dha të drejtë. Rasti i tij është në pritje të shqyrtimit në Gjykatën Administrative të Apelit, pas ankimimit nga ana e Autoritetit të Dosjeve.