Devi Muka zotohet se kjo Tiranë po ndërtohet siç duhet për të qenë në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit. “Pres derbi për titullin”, shprehet ai kalimthi, teksa na drejton në zyrën e re. Ikona bardheblu sot ka staturën e drejtorit të Akademisë së Tiranës.
Është e vështirë ta ndalësh për ta intervistuar, por ish-numri dhjetë i bardhebluve tregon në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” të gjitha të pathënat, nga rënia e Tiranës, trajnerët e larguar dhe deri te skuadra e sotme. Nuk lë pa prekur as çështjen “Skënderbeu”.
Jeni zhdukur nga skena mediatike prej shumë kohësh. Ndaj e para pyetje që më vjen ndërmend është t’ju them: Ku ka humbur Devi Muka?
Të them të vërtetën, nuk është se kam humbur. Kam qenë pjesë e Tiranës historikisht, që kur kam veshur fanellën për herë të parë. Pjesa e rënies nga kategoria atë vit na dëmtoi shumë të gjithëve, si moralisht apo nga të gjitha krahët. Kam qenë gjithmonë në kontakte, por në atë moment nuk është se u largova, pasi kam qenë pjesë e klubit, por në një farë mënyre sikur hapa krahun vetë.
Pse kjo zgjedhje?
Sepse pashë që situatat nuk ishin fort të mira. Nuk ishin të shëndetshme për momentin, pasi e përsëris që pësuam një “shok” nga ajo që ndodhi. Dhe në atë mënyrë, thashë se do të ishte më e mirë zgjedhja për t’i lënë gjërat si të thuash, që të ftoheshin si histori.
A ishit dakord me afrimin e Josës dhe largimin e Dajës në atë periudhë?
Shikoni, po flasim për dy trajnerët më të mirë të Shqipërisë. Jemi të gjithë dakord besoj se ishin të tillë. Dhe në të njëjtën kohë, të mos harrojmë se po flasim për Tiranën dhe jo një ekip të dorës së dytë. Me eksperiencën që kam te ky klub, Tirana nuk i duron dot humbjet, pavarësisht çfarë ndodhi më pas. Historia është që sado trajner i mirë të jesh, trajneri i Tiranës e di që është me çantën në krah. Nuk është se ne krijuam presion ndaj Dajës.
Por, u shfaqët me të në tribunë disa herë me Mirelin…
Isha në tribunë me Mirel Josën. Me kë isha? Dhe po, e them me plot gojën që do të jem gjithmonë në tribunë me njerëz të tillë, me ikona bardheblu, por nuk ka aspak lidhje me çfarë ndodhi. Unë sot rri në tribunë me Agustin Kolën, për shembull. Po kjo çfarë nënkupton që po i bëj presion Ard Memës? Nuk më duket i drejtë një arsyetim i tillë. Ne jemi klub serioz. Dhe në fund të fundit, në atë periudhë morëm një trajner katër apo pesë herë kampion të Shqipërisë. Josa ka qenë i shtëpisë dhe do të jetë.
Po thoni se Josa nuk ishte në plane që të merrte drejtimin e ekipit?
Kisha plane për akademinë dhe do të kishte një vend të lirë aty, në rol drejtues. Prandaj u afrua Mirel Josa, sepse ka qenë një nga dëshirat e mia tek Akademia. Realisht, nuk ka qenë plani fare që Mireli erdhi për trajnerin. Jo, ua garantoj që erdhi për drejtor. Jo për t’i bërë presion Ilir Dajës. Nuk ka asnjë lidhje me të, fare. Daja ishte trajner i respektuar, i nderuar. Iu hap dera nga Tirana dhe punoi shumë mirë. Ishte trajneri i moshave te Dinamo dhe drejtoi ekipin tonë. Nuk kishim ndërmend që ta hiqnim Ilir Dajën po të fitonte. Ndodhi se çfarë ndodhi në ato dy ndeshje, ku ekipi u shkëput me pikë, duke lëkundur objektivat dhe pastaj ishte vendimmarrje e presidentit. Në fund të fundit, Daja nuk u ndërrua me një të panjohur. Nuk kishte asnjë lloj presioni, përkundrazi, Daja është paguar deri në fund.
Ka shumë specialistë apo opinionistë, mes tyre edhe Shkëlqim Muça, të cilët janë shprehur se Halilit i duhet një tjetër donator sepse nuk mund t’ia dalë dot i vetëm. Ju si mendoni?
E kanë gabim që të gjithë. Ia ka dalë për bukuri të Zotit deri më sot. E them, sepse kushdo president që do të kishte qenë, do të kishte falimentuar nëse do ta merrte Tiranën me gjithë ato halle. Ai, falë ambicies që po shet gjakun e vet për të mbajtur këtë klub dhe të gjithë njerëzit apo tifozët të paktën duhet t’ia dinë këtë gjë. E them sepse nuk e ka lënë klubin siç e kanë lënë të tjerët.
Kush?
Nuk dua të përmend as donatorë apo as borxhe të ndryshme. Për këtë mjaft t’ju them që vetëm borxhi i dritave ka qenë mbi 25 milionë lekë (të vjetër) që e kam gjetur ditën e parë tek Akademia. Që nga ajo ditë e deri më sot, paguhen të gjitha faturat një më një. Dhe habitem se çfarë është bërë, kur dihet se kjo akademi është me vetëfinancim dhe ka prodhuar lekë. Habitem që të mos të arrihet të paguhet as 500 mijë lekë (të vjetër) drita në muaj. Mendoj se është skandal kjo gjë, sepse i bie gati tri vjet pa paguar dritat. Unë edhe mund të largohem nesër nga kjo punë, por jam i sigurt se këtë akademi e lë zero për problemet, por edhe me zyrë, infrastrukturë, si dhe një databazë e gjithçka tjetër. Sërish po flasim për gjërat më minimale, që në të shkuarën as që çoheshin nëpër mend. Mendoj se ambiciet e presidentit janë të mëdha. Them se pas fushës së re të akademisë që ai po investon, e cila do të sjellë të ardhura më të mëdha në vazhdim, mendoj se shumë shpejt mund të bëhemi me stadium të ri. Halili kërkon që të investojë edhe në stadiumin e ri.
Në sezonin e kaluar u luftua sërish për mbijetesë edhe pse u investua shumë. Si ka mundësi që klubi nuk menaxhon dot si duhet një grup lojtarësh të afirmuar, kur shpesh ka pasur edhe konflikte?
Shikoni, se për çdo gjë po e hedhim fajin te klubi apo drejtori sportiv, por unë mendoj se lojtarët janë ata që e nxjerrin gomarin nga balta. Në fund të fundit, të gjithë u trembëm në Laç, por ata arritën ta fitonin. Kishin fuqi ta bënin. Edhe vjet, Tirana e çoi vetë historinë në atë lloj derexheje, po përmend një shprehje tiranase. Unë mendoj se loja që ka bërë Ardi Mema, ka qenë tipike siç duhet të luajë Tirana. Por prej gabimeve dhe lojtarëve të papërgjegjshëm që nuk e dinë rëndësinë e kësaj fanelle ndodhi ajo që ndodhi. Kur unë kam qenë futbollist, e vlerësoja edhe pasimin më të vogël, sepse luaja me Tiranën. Në këtë klub, nuk do t’ia dijë as tifozi, as gazetarët, askush tjetër se kush je, por gjithmonë kërkohet më e mira, gjithmonë kërkohet vendi i parë. Ndoshta ky është një lloj presioni që u ushtrohet lojtarëve dhe ka të tillë që nuk e mbajnë dot presionin. Prandaj them se Ardi Mema është një nga të duhurit në këtë ekip.
Tirana e konfirmoi Memën në krye të ekipit dhe deri tani ka afruar lojtarë të afirmuar në Superiore. Çfarë përshtypjeje ju bën kjo skuadër dhe deri ku mund të arrijë në këtë sezon?
Së pari, unë mendoj të mos e nisim vrapin dhe të humbasim mendjen. Por mendoj se ky ekip do të jetë shumë konkurrent, pa harruar se nuk varet vetëm nga ne. Ky kampionat ka dhënë shumë prova që është i paparashikueshëm.
Çfarë doni të thoni me këtë?
“E mor të keqën vllai”, po dal në origjinë, po të vjen arbitri dhe për një sekondë të fut një… çfarë i do qefi, çfarë i do b…, më falni për fjalorin, dhe të dhj.. të gjithë sezonin. Nuk po flas për një apo për dy pikë, por ka ndodhur. Sipas meje, ky ekip do të luftojë për pjesën lart të tabelës. Kampionati nuk është edhe aq i pastër dhe të flasim vetëm për cilësitë e lojtarëve. Shumë ekipe janë penalizuar edhe nga ana e arbitrimit. Ama, unë mendoj se me këto tri blerje që ka bërë Ardi Mema, ka ndërruar situata e Tiranës, pasi është një nga ata i cili e di se çfarë do ky klub. Ky ka qenë gabimi që historikisht ka ndodhur. Pra, ka ekzistuar ndër vite një lloj ndarjeje, një lloj diference mes futbollistëve prej menaxherëve që i sillnin. Në rastin konkret, di që merkaton e ka bërë komplet trajneri. Dhe sipas meje, është favor shumë i madh. Bëhet fjalë për një trajner që është i familjes së Tiranës dhe e di çfarë i duhet klubit, e nuk bëhet fjalë për një trajner të huaj që nuk e ka idenë çfarë ndodh. Fat është që ka marrë lojtarë me të cilët ka punuar në Vlorë para një viti. Sipas meje, nuk mendoj se Ardi Mema ka gabuar te kjo pjesë.
Tirana e ka fituar titullin e fundit me ju dhe Osmani është një prej tyre. Sa shanse ka që për 100-vjetorin e klubit të përsëritet?
Ah, sa bukur do të ishte… Tirana nuk është nga ato klube që shikon të tjerët, por duam apo nuk duam, do të shfrytëzojë edhe favorin që të tjerët nuk janë mirë. Ndaj sipas meje, mund të zhvillohet një derbi shumë i bukur, me Partizanin që është po i njëjti dhe nuk është se ka lëvizur shumë. Tirana është forcuar dhe e mendoj edhe Kukësin për titull.
Pra mendoni një derbi për titullin?
Po.
A është Partizani një hap përpara?
Jo, nuk e mendoj se është. Ndoshta moralisht është më i avantazhuar. Të mos harrojmë që Tiranës i ka rënë edhe short shumë favorizues, duke pasur parasysh tri ndeshjet e para. Kampionati është i hapur, do të jetë i fortë dhe konkurrenca duhet. E kemi vënë re që me dhjetë skuadra, shumë lojtarë dëmtohen. Shikojeni sezonin e fundit, sepse i vetmi ekip që luajti njësoj deri në fund ishte Partizani. Të gjitha patën oshilacione. Skënderbeu ishte super, pastaj ra shumë. Gjirokastra ishte mirë, pastaj diskutoi mbijetesën. Vlora nga vendi i dytë diskutoi rënien. Partizani e bëri sepse kishte grup prej 18 lojtarësh. Dhe mendoj se kjo gjë do të ndodhë te Tirana, referuar sulmit, them se si Muçi, si Ngo, si Dunga do të jenë në shërbim të ekipit, cilido që të luajë. Me mënyrën si luan Ard Mema, mua më pëlqen shumë. Futboll me pasime të shumta. Tirana duhet të luajë futbollin modern, të kohës.
I ka lojtarët?
Duke pasur parasysh cilësitë individuale që kanë Torrasa dhe Kale, apo edhe Grent Halili, i cili po rritet ditaditës… ata do ta marrin situatën në të ardhmen, me Muçin dhe këta të rinj që folëm. Mund të vijë rasti që të luajnë edhe katër të rinj. E dinë ata dhe trajneri këtë gjë.
A mendoni se Tirana bëri mirë që e mbajti Ngonë?
Them se bëri mirë, sepse Ngo ka diçka shumë të mirë që rrallë mund ta gjesh te sulmuesit shqiptarë: Është altruist dhe di të pasojë. Lojtar që punon shumë për ekipin dhe jo për vete, ndaj m’u bë qejfi që u kthye. Ai i bën shumë punë ekipit, pasi supozojmë se Tirana mund të luajë edhe nga krahët, jo vetëm në qendër. Është në një farë mënyre lider i zonës së 16-shes.
/Panorama Sport/