Nga Boldnews.al
Një memorial, në 3 vjetorin e grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, është ngritur në Tiranë, kushtuar viktimave të asaj ngjarjeje.
Memoriali është vendosur në një nga zonat e Parkut të Liqenit dhe ky përbën një rast unikal, aq më tepër kur bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në Turqi, pra jo me lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë.
Ngritja e memorialit ka kaluar në heshtje, pa shumë bujë, me një prezencë në nivel të ulët përfaqësimi të shtetit shqiptar, duke ia deleguar pjesëmarrjen, njërit prej nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës.
Nga institucionet shqiptare ende nuk ka një sqarim zyrtar lidhur me vendimin, pra pse një memorial i tillë është ngritur në Shqipëri. Pavarësisht justifikimeve dhe interpretimeve banale që mund të jepen mbi “lidhjet mes dy popujve apo kombeve”, vëllazërinë apo dashurinë mes drejtuesve politikë në Shqipëri dhe Turqi, asgjë nuk justifikon vendimin e marrë në heshtje, pa transparencë dhe pa u konsultuar me askënd.
Kjo është njëlloj sikur në Ankara apo Stamboll, të ngrihet një memorial mbi viktimat e shkaktuara nga revolucioni bolshevik i 1997 në Shqipëri, gjë që nuk ka ndodhur, nuk ka për të ndodhur dhe nuk ka arsye pse Turqia të ndërmarrë një veprim të tillë.
Në kushtet kur vëmendja dhe apeli nga brenda, por edhe nga jashtë, është që Shqipëria të fokusohet në arritjen e plotësimit të objektivave që do të çonin në hapjen e negociatave me BE-në, vendim që pritet në 18 tetor, Tirana zyrtare e ka shumë më të thjeshtë të vendosë një memorial, që ndoshta ka ardhur i gatshëm nga Turqia, sesa të fokusohet në prioritetet e saj.
Ndaj pyetja që ngrihet është nëse përmes këtij memoriali, Edi Rama po ushtron presionin e rradhës drejt BE-së, duke kaluar nga deklarimet në veprime?
Deri më sot Kryeministri Rama e ka pasur shumë më të thjeshtë të kërcënojë BE-në me deklarata sesa t´a bindë atë që në këtë vend që pretendon të çelë negociatat prej 1996, luftohet krimi, korrupsioni, funksionon drejtësia, po zgjidhjet çështja e pronave, ka zgjedhje të lira dhe jemi një vend me demokraci funksionale.
Duke qenë se në asnjë nga këto fusha, që përbëjnë edhe prioritaret, qeveria nuk mund të pretendojë për hapa përpara apo notë kaluese, rruga e zgjedhur është ajo e kërcënimeve apo veprimeve, si në rastin konkret me një Memorial.
Sot vështirë se mund të gjendet një vend Europian, që të ndërmarrë një nismë të tillë. Nuk ka ndodhur as në Kosovë, atje ku u rrëmbyen 6 qytetarë turq ditën për diell me akuzën e pjesëmarrjes në një grusht shteti të dështuar, nuk ka ndodhur as në Bosnje, as në Maqedoni, madje as në Serbi.
Pasi kopjoi nga Erdogan modelin e një politikani që drejton me dorë të hekurt, pa pyetur për vendime gjykatash, apo pa u shqetësuar nga raporte ndërkombëtarësh, duke vënë nën kontroll pjesën më të madhe të mediave, dhe mbi të tjerat duke kërcënuar apo ushtruar presion përmes ligjeve speciale, Rama mund të ndjehet më komod kështu sesa bie fjala të zgjidhte të ishte si Macron, që thotë se e ka shok, apo se kancelari austriak.
Në intervistën e fundit dhënë për Euroneës, Rama paralajmëronte destabilizim të rajonit nëse Maqedonisë së Veriut i çelen negociatat dhe Shqipërisë jo. Deklaratë kjo kërcënuese nga BE-së në pragtë një vendimi që me shumë gjasa do të jetë negative.
Pak javë më parë, paralajmëronte se nëse perspektiva europiane errësohet dhe politika afatshkurtër triumfon mbi strategjinë afatgjatë, njerëzit do të duan të largohen.
Dhe më pas, një nga gazetat më prestigjioze gjermane “Frankurter Allgemeine Zeitung”, zbulonte se kryeministri Edi Rama po kërcënon prapa kuintave zyrtarët e Berlinit se nëse Maqedonia e Veriut shkëputet nga Shqipëria dhe merr e vetme çeljen e negociatave atëherë qeveria do të ringjallë çështjen e Shqipërisë së Madhe, pra bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe trojeve të tjera përfshirë edhe ato të Maqedonisë.
Me një memorial tashmë të ngritur, që me siguri ka befasuar edhe Presidentin turk për “dhuratën që iu bë”, Rama duket se ka përcjellë mesazhin se përballë alternativës së BE-së ka atë të Turqisë.
Në fillimet e tij në postin e Kryeministrit, Rama mburrej, ndoshta me të drejtë, për takimet e shpeshta me Angela Merkel, fotot e shumta, madje edhe me gota shampanje në dorë, për suportin maksimal dhe pse jo trajtimin si një lider rajonal. Të gjitha këto me kalimin e kohës u zbehën dhe dalëngadalë dera e Merkel nisi të mbyllej, sikundër edhe e shumicës së kancelarive europiane.
Dera e vetme që mbeti e hapur ishte ajo e Presidentit turk, vizitat zyrtare dhe private, madje edhe në rezidencat e pushimit të tij.
Të gjithë këtë miqësi vëllazërore Rama e konkretizoi me një Memorial, që mund t´i shërbejë sot personalisht, por që s’mund të përdoret si kërcënimi i rradhës ndaj BE.