Ish-ministri i Financave dhe ish-anëtari dhe deputeti socialist, Arben Malaj, është duke u përballur me një nismë të 28 deputetëve të PS, të cilët kërkonin shkarkimin nga detyra e tij në Bordin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Në një intervistë dhënë për gazetën ‘Mapo’, Malaj ka theksuar se duke filluar që nga data 10 gusht çdonjëri prej 28 deputetëve nënshkrues do të përballen në gjykatë, sepse me veprimin e tyre që rezultoi një shpifje, kanë tentuar të cënojnë integritetin njerëzor dhe kredibilitetin publik të Malajt.
Malaj u largua nga PS-ja në vitin 2013 pasi për disa kohë udhëhoqi një lëvizje për mendim ndryshe brenda partisë, po që nuk gjeti terren përballë kryetarit të PS-së, Edi Ramës.
Malaj ka deklaruar se kur PS të dalë në opozitë do të nisin ta braktisin ata që u dehën nga pushteti i saj, ndërsa socialistët e vërtetë si ai do të qëndrojnë.
Pjesë nga intervista:
Z.Malaj, si u ndjetë kur një pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, parti ku keni aderuar për shume vite dhe keni pasur pozicione të larta drejtuese në qeveri apo si anëtar i kryesisë së saj, kërkoi shkarkimin tuaj nga Bordi Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë?
Që në fillim të kësaj interviste deklaroj se e dua vendin tim, nuk e kam braktisur as në momentet më të vështira të tranzicionit të tij. Vendit tim të dashur i kam shërbyer dhe do t’i shërbej përherë me dashuri mirënjohëse, me integritet të lartë dhe me profesionalizim të thellë.
Në karrierën tim partiake dhe politike kam kaluar situata shumë më kritike, në 1991 kur isha nënkryetar i PS Vlorë dhe na kërcënonin çdo ditë mbështetësit me revansh të PD-së.
I shërbeva në krizën më të rëndë të vitit 1997 kur mbylla skemat piramidale dhe unë dhe familja ime u kërcënuam disa herë, por nuk u tërhoqa sepse vendi im ishte në konflikt civil, dhjetëra njerëz vriteshin çdo ditë. Shqipëria lëngonte nën varfërinë e dështimit ekonomik të PD-së, ku kryeministër ishte Aleksandër Meksi dhe ministër i Financave ishte Ritvan Bode. Qeverisja e tyre e çoi vendin në krizën e tij më të thellë ekonomike, sociale e politike.
Në 9 Mars 1997 pranova përgjegjësinë për t’i shërbyer vendit tim si ministër i Financave në një situatë të tmerrshme ekonomike, buxhetore e politike. Ishte një kohë e çmendur që siç theksonte avokat Ngjela “Qeveria Fino ka autoritet qeverisës vetëm mbi hapësirën e ndërtesës së kryeministrisë dhe hotel Rogner” sepse aty bëheshin takimet ndërkombëtare. Qeverisja e dështuar e PD-së 1992-1996 e la Shqipërinë një tokë të djegur, ndërsa PS-ja, së bashku me kolegët 1997-2005 arritëm një realitet ekonomik, social e politik shumë herë më të mirë.
Ndiej dhimbje shoqërore, dikush i ka keqpërdorur 28 deputetë të parlamentit të vendit tim, i ka keqpërdorur, për llogari të kujt? Kjo duhet të hetohet nga Prokuroria e Shtetit Shqiptar sepse është tentuar të preket pavarësia reale e Bankës së Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit, Ruçi ka deklaruar se nuk gjen argumente ligjore për t’ua kaluar kërkesën 28 deputetëve në seancë ku votohet shkarkimi.
Kryeministri Rama u shpreh se nuk ka asnjë shqetësim për qëndrimet e mia publike. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk kishte shprehur asnjë shqetësim.
Kërkesën e 28 deputetëve nuk e kishte nënshkruar ish-kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë dhe financave dhe tani Zv.kryeministër, nuk e kishte nënshkruar as ish-ministri i Financave dhe tani kryetar i komisionit parlamentar të ekonomisë dhe financave, përgjegjës për garantimin e pavarësisë reale të BSH. Pas kësaj analize, shqetësimi im është konkret: Kush e inicioi këtë kërkesë?
Pse nuk ka asnjë dokument konsultativ me drejtorinë juridike të Kuvendit, me komisionin e ligjeve dhe komisionin e ekonomisë e financave? Kam kërkuar dhe nuk më është dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Nuk gjendet asnjë dokument qoftë edhe si memo e brendshme, por thjesht është keqpërdorur PS për shkarkimin tim. Shumë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë nuk dallojnë dot detyrimet e tyre ndaj Kushtetutës me detyrimin për besnikëri partiake. Deputetët nuk e kanë parasysh betimin e tyre pa të cilin nuk mund të shpallen deputetë. Besnikëria ndaj partisë në asnjë rast nuk mund të bëhet duke shkelur Kushtetutën, siç kanë bërë në rastin e propozimit për shkarkim.
Pse erdhi kjo kërkesë dhe a besoni se kjo kërkesë do të bëhet faktike në Kuvend? Nëse po, çfarë do të bëni ju? A keni mundësi ankimimi?
Në mbrojtje të pavarësisë reale të Bankës së Shqipërisë kam ndërmarrë disa hapa konkretë:
Bazuar në deklarimin publik të z. Ruçi se Kuvendi ia ka kaluar propozimin e 28 deputetëve qeverisë – me kërkesë me shkrim dhe në mënyrë të argumentuar i jam drejtuar qeverisë të më japë mundësinë të dëgjohem përpara se të “shkarkohem përkohësisht”, pasi vendimin e qeverisë duhet ta miratojë jo më vonë se 30 ditë, Kuvendi i Shqipërisë dhe duhen 71 vota.
I kam kërkuar menjëherë me shkrim Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë që në mbledhjen e datës 7 gusht 2019, do të parashtroj kërkesën time për shkelje të Kodit të Etikës së Bankës së Shqipërisë nga tre administratorët e BSH-së.
Deklarata e BSH ishte e panevojshme sepse sistemi bankar s’kishte asnjë shqetësim nga deklaratat e mia të përhershme për sfidat ekonomike, sociale dhe politike dhe të jem kritik për raste konkrete të keqqeverisjes. Me tre administratorët do të ballafaqohem ne gjyq për shkelje të integritetit tim njerëzor dhe kredibilitetit publik.
Duke filluar nga data 10 gusht 2019, çdonjëri prej 28 deputetëve nënshkrues do të përballen në gjykatë sepse me veprimin e tyre që rezultoi një shpifje, tentuan të cenojnë integritetin njerëzor dhe kredibilitetin tim publik.
Ballafaqimi nëpërmjet proceseve gjyqësore është investimi më i mirë që unë do t’i bëj vendit tim në qartësimin e qeverisjes së tij në parimin e ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve.
Pas këtyre proceseve gjyqësore, deputetët dhe administratorët e BSH nuk do të guxojnë më të keqpërdoren për të goditur mbrapa shpine të zgjedhurit në institucionet kushtetuese, pavarësia reale e të cilëve është pjesë e kolonave shtetformuese të çdo vendi.
Zoti Malaj, kriza politike vazhdon dhe asaj vetëm sa i shtohen elemente të reja, ndërsa faktori ndërkombëtar duket si i painteresuar për ofrimin e një zgjidhjeje. Çfarë shikoni në horizont? A do zgjatet pa fund kjo krizë dhe çfarë pasojash ka për vendin?
Sa më shumë të zgjatë kjo krizë, aq më të rënda janë pasojat që paguajnë shqiptarët. Kriza bëhet më e thellë sepse shfaqet në aspektin ekonomik, social, buxhetor, financiar, politik, shfaqet në formën e saj më varfëruese që është kriza e humbjes së shpresës, kriza e braktisjes së vendit.
Kjo po e varfëron Shqipërinë shpirtërisht me tkurrjen dhe tharjen e burimeve të kapitalit human dhe social. Krizën duhet ta zgjidhin politikanët tanë, por siç thotë Ajnshtajni ne nuk mund t’i zgjidhim krizat me të njëjtin mentalitet që i kemi krijuar ato, pra do t’i zgjidhim jo me mentalitetin e grindjeve partiake, jo me mentalitetin se fituesi i merr të gjitha, jo me mentalitetin se ka vetëm një zgjidhje, jo me mentalitetin se fajin e kanë gjithmonë të tjerët.