Bombë” nga UEFA, dy klube të tjera të Kategorisë Superiore akuzohen se janë përfshirë në trukimin e ndeshjes së vlefshme për javën e 36-të të kampionatit të kaluar. Bëhet fjalë për Kukësi-Kastrioti 3-1, e luajtur më 30 maj në fushën asnjanëse të Kamzës.
Pjesa e parë përfundoi 0-1 për krutanët pas golit të Erlis Ymerajt në minutën e 29-të. Ndërsa në 10 minutat e fundit të lojës, Kukësi arriti të shënonte tre gola, dy herë me Rexhinaldon (80’ dhe 90+1’) dhe një herë me Shkurtajn (85’). “Panorama Sport” ka zbuluar dje ekskluzivisht raportin konfidencial që UEFA ka dërguar në institucionin e futbollit shqiptar vetëm 24 orë pas zhvillimit të ndeshjes Kukësi-Kastrioti 3-1.
Më 1 qershor UEFA përmes sistemit të monitorimit të basteve BFDS, njoftonte FSHF-në se ka prova të qarta se rezultati i ndeshjes është luajtur në baste për qëllime përfitimi. Sikur të mos mjaftonte lënia në fuqi e dënimit me 10 vite të Skënderbeut, tashmë futbolli shqiptar vazhdon të damkoset nga historia e trukimeve. Natyrisht, kjo nuk është e parë që në FSHF vijnë raporte të tilla, sidomos në 10 vitet e fundit, por Komisioni i Etikës nuk ka marrë kurrë vendime konkrete.
Skeda e ndeshjes
RAPORTI KONFIDENCIAL
Por çfarë shkruhet në raportin konfidencial të dërguar nga UEFA dhe BFDS në lidhje me ndeshjen. Gazeta zbulon një pasazh të dokumentit, nga ku sistemi i monitorimit të basteve në Europë dhe Azi ka arritur në konkluzionin se ndeshja ka qenë e trukuar.
“Ekzistojnë prova të qarta dhe mbizotëruese të basteve se drejtimi dhe rezultati i kësaj ndeshjeje ishte përfundimisht i ndikuar me synimin për të fituar baste të korruptuara. Provat e basteve treguan se bastexhinjtë kishin njohuri paraprake për dështimin e Kastriotit për të fituar ndeshjen”, thuhet ndër të tjera në raportin e UEFA-s për ndeshjen e luajtur më 30 maj ora 16:00 në stadiumin e Kamzës, ku Kukësi ishte pritës.
(Raporti konfidencial që UEFA i ka dërguar FSHF-së për ndeshjen Kukësi-Kastrioti 3-1)
RREZIKU DHE PRECEDENTI
Skënderbeu u dënua nga UEFA pas një monitorimi të shtrirë në kohë, ku përveç ndeshjeve të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës, kishte me dhjetëra raporte edhe për takime të tjera të vlefshme për kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Tashmë që sistemi BFDS mori mbështetje edhe nga KAS i Lozanës me precedentin e Skënderbeut, qartësisht rreziku për të tjera dënime të UEFA-s është i madh, edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje të javës së fundit të kampionatit.
Fakti që UEFA ka sinjalizuar FSHF-në vetëm 24 orë pas ndeshjes Kukësi-Kastrioti 3-1, tregon se “alarmi” nga kompanitë e basteve ka qenë i madh. Data 30 maj ka qenë e enjte, një ditë ku luhen pak ndeshje në Europë dhe Azi, prandaj dhe Kukësi-Kastrioti 3- 1 ka qenë e ekspozuar.