Nga Boldnews.al
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi më herët gjatë kësaj jave që të plotësojë vakancat e Gjykatës së Lartë me gjyqtarë “të përkohshëm”, të cilët do të shqyrtojnë ekskluzivisht vetëm çështjet e ekstradimeve dhe transferimeve të dënimeve.
Kjo është një zgjidhje e paparashikuar në asnjë dispozitë të Kushtetutës dhe paketës shoqëruese të Reformës në Drejtësi.
Megjithatë, KLGJ vendosi të pranojë pjesërisht sugjerimin e misionit EURALIUS për caktimin e gjyqtarëve të lartë “të përkohshëm”, deri në zgjidhjen e ngërçit në institucionin më të lartë të drejtësisë në Shqipëri, i cili aktualisht ka vetëm 2 nga 19 anëtarë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi që do të zgjidhen anëtarë “të përkohshëm” të Gjykatës së Lartë vetëm ata gjyqtarë të Apelit, të cilët plotësojnë dy kushte: 1. Të kenë të paktën 13 vjet përvojë në gjyqësor dhe të kenë kaluar procesin e Vetingut.
Në njoftimin zyrtar të KLGJ-së nuk bëhet e qartë nëse gjyqtarët duhet të kenë kaluar vetingun me formë të prerë apo mjafton që të kenë dalë me sukses në shkallën e parë, për të qenë pjesë e përzgjedhjes si të përkohshëm.
“Boldnews.al” kreu verifikimet, nga ku rezultoi se dy kushtet e vendosura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për t’u përzgjedhur si “anëtar të përkohshëm” në Gjykatën e Lartë janë 11 gjyqtarë Apeli.
Nga ky total, 2 prej tyre duhet të jenë të përjashtuar nga ky proces, pasi mandati i tyre si magjisyrat është pezulluar, pasi janë zgjedhur anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Është e paqartë nëse një gjyqtare Apeli, anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi mund të jetë pjesë e këtij procesi.
Nga kandidatët për të qenë “i përkohshëm” në Gjykatën e Lartë, vetëm 4 prej tyre janë konfirmuar me vendim të formës së prerë. Ndërkohë, pjesa tjetër, ose po përballen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ose vendimi i konfirmimit të tyre nuk ka plotësuar afatin për ankimim.
Në vijim, “Boldnews.al” po sjell listën e gjyqtarëve të Apelit që kanë 13 vjet përvojë dhe që mund të jenë “përkohësisht” pjesë e Gjykatës së Lartë.
Të konfirmuar me vendim të formës së prerë
1. Dhimitër Lara, gjyqtar i Apelit të Krimeve të Rënda, u konfirmua në detyrë nga KPK në datë 29.05.2019. Ky vendim ka marrë formë të prerë, pasi nuk ka pasur ankim. Gjyqtari Lara plotëson kriterin e vjetërsisë në detyrë.
2. Sokol Binaj, gjyqtar i Apelit të Krimeve të Rënda, u konfirmua në detyrë nga KPK në datë 20.05.2019. Ky vendim ka marrë formë të prerë, pasi nuk ka pasur ankim. Gjyqtari Binaj plotëson kriterin e vjetërsisë në detyrë.
3. Albana Boksi, gjyqtare e Apelit të Krimeve të Rënda, u konfirmua në detyrë nga KPK në datë 05.04.2019. Ky vendim ka marrë formë të prerë, pasi nuk ka pasur ankim. Gjyqtarja Boksi plotëson kriterin e vjetërsisë në detyrë.
4. Enton Dhimitri, gjyqtar në Apelin e Gjirokastrës, u konfirmua në detyrë nga KPK në datë 22.11.2018. Ky vendim ka marrë formë të prerë, pasi nuk ka pasur ankim. Gjyqtari Dhimtri, ish-anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, plotëson kriterin e vjetërsisë në detyrë.
5. Nertina Kosova, gjyqtare në Apelin e Krimeve, u konfirmua në detyrë nga KPK në datë 18.07.2018. Vendimi për konfirmimin e saj u ankimua nga Komisioneri Publik. Por, pak ditë më parë, Komisioneri i tërhoq nga ankimi, duke krijuar kështu kushtet që Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) të lërë në fuqi vendimin e konfirmimit. KPA ka caktuar datën 26 Korrik 2019 për vendimin e tij.
Të konfirmuar ende pa formë të prerë
6. Kastriot Selita, kryetari i Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë, u konfirmua në detyrë më 18.06.2019. Vendimi u zbardh në 23 Korrik 2019. Vetëm një ditë më pas, më 24 Korrik, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i sugjeroi Komisionerit Publik ankimin e vendimit të konfirmimit. Komisioneri Publik ka rreth 13 ditë kohë për të vendosur mbi ankimin ose jo të konfirmimit në detyrë të gjyqtarit Kastriot Selita.
7. Saida Dollani, gjyqtare në Apelin e Krimeve të Rënda, u konfirmua në detyrë në 21.06.2019. Vendimi është zbardhur në 17 Korrik 2019. Komisioneri Publik ka edhe disa ditë afat, për të vendosur nëse do e ankimojë ose jo vendimin e konfirmimit të gjyqtares Dollani.
8. Artur Malaj, gjyqtar në Apelin Administrativ Tiranë, është konfirmuar në detyrë nga KPK në 03.08.2018. Rasti i tij është aktualisht në shqyrtim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi, si vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM, ashtu edhe Komisioneri Publik, kërkuan shkarkimin e tij nga detyra. Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, KPA ende nuk ka marrë vendim për gjyqtarin Malaj.
9. Margarita Buhali, gjyqtare në Apelin e Vlorës, u konfirmua në detyrë në 19.06.2019. Vendimi u zbardh në 17 Korrik 2019. Komisioneri Publik ka ende disa ditë afat për të vendosur nëse do të ankimojë vendimin e konfirmimit ose jo. Gjithashtu, rasti “Buhali” ka edhe një specifikë tjetër- ajo është aktualisht edhe anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një post që nuk e pengon të jetë gjyqtare në Apel. Por, është e paqartë nëse ajo mund të jetë pjesë e shortit për t’u përzgjedhur si anëtare “e përkohshme” e Gjykatës së Lartë.
Të përjashtuar nga gara për Gjykatë të Lartë
10. Brikena Lubonja (Ukperaj), gjyqtare në Apelin e Vlorës, është konfirmuar në detyrë me vendimin e KPK në 25.06.2018. Ky vendim ka marrë formë të prerë. Por, gjyqtarja Lubonja (Ukperaj), është zgjedhur anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), një pozicion që kërkon angazhim me kohë të plotë, duke pezulluar edhe statusin e magjistratit. Për këtë arsye, gjyqtarja Lubonja (Ukperaj) nuk gëzon statusin e magjistratit, për sa kohë është anëtare e KLGJ, gjë që e pengon të jetë pjesë e garës për “të përkohshëm” në Gjykatën e Lartë.
11. Ilir Toska, gjyqtar në Apelin e Tiranës, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka të njëjtat ndalime si kolegia e tij, Brikena Lubonja (Ukperaj). Gjyqtari Toska është konfirmuar në detyrë me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në datë 21.06.2018. Ky vendim ka marrë formë të prerë.