Nga Boldnews.al
Lulzim Basha nënshkroi sot marrëveshjen me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, e cila prej muajsh proteston kundër një projekti korruptiv të qeverisë Rama dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj për ndërtimin e një kompleksi kullash në pronën e Teatrit Kombëtar dhe pas tij.
Kjo mund të cilësohet edhe si marrëveshja e parë e një lideri politik me grupe interesi kundër asaj që konsiderohet oligarkia.
Prej kohësh kreu demokrat artikulonte teza dhe paralajmërime kundër oligarkëve, që sipas tij përfitonin nga kontratat korruptive apo favorizuese të qeverisë, ndërsa sot hodhi hapin e parë duke nënshkruar një kontratë apo marrëveshje me artistë dhe aktorë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kundër një oligarku, në rastin konkret Shkëlqim Fushës, dhe oligarkisë politike Rama-Veliaj.
Marrëveshja e nënshkruar, pavarësisht sesi mund të interpretohet nga kritikë dhe të pakënaqur, është dokumenti i parë në 6 vitet e fundit, që pozicionon qartazi, e zeza në të bardhë, forcën kryesore që pretendon qeverisjen e vendit në krah të interesit qytetar apo një grupi interesi.
Kjo të paktën konfirmohet edhe në pikën 4 të dokumentit të nënshkruar ku specifikisht thuhet: “Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, kompleksi i ish-Qarkut “Skanderbeg”, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar dhe zonat përreth tij, do t’i nënshtrohen ruajtjes dhe restaurimit të tyre, duke tërhequr në një sipërmarrje të tillë përvojën dhe ekspertizën e arkitektëve dhe ekspertëve të monumenteve të kulturës më të mirë në vend”.
Referuar këtij paragrafi, do të thotë se plani Rama-Veliaj për të betonizuar dhe ngritur kullat shumëkatëshe në të gjithë këtë kompleks bie poshtë dhe ndoshta ky është paralajmërimi më i qartë për cilindo që për një interes apo një tjetër mund të përfshihet në zbatimin e projekteve korruptive, jo-transparente dhe kundër interesit qytetar të “oligarkisë politike”.
Në pikën 5 të marrëveshjes thuhet se “brenda 1 muaji nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të shfuqizojë me përparësi si antikushtetues ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe i godinës së re të Teatrit Kombëtar”, si dhe çdo akt tjetër ligjor e nënligjor që buron prej tij dhe parashikon tjetërsimin e paligjshëm të pasurisë publike”.
Nisur nga kjo, Basha angazhohet për të hedhur në kosh ligjin e veçantë dhe të kontestuar të qeverisë Rama që favorizon një oligark të lidhur me të për një projekt kullash në atë që mund të quhet edhe “kërthiza” e Tiranës.
Po kështu, Basha sot si lider i opozitës dhe nesër si lider i mazhorancës qeverisëse, angazhohet që “në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjor për të garantuar vënien përpara përgjegjësisë penale dhe administrative të të gjithë vendimmarrësve publikë dhe subjekteve private, për përfshirjen në aferën e grabitjes kriminale të truallit të Teatrit Kombëtar, duke u ngarkuar atyre edhe detyrimin për kompensimin e çdo dëmi të shkaktuar”.
Ndoshta kjo pikë e kontratës së nënshkruar është paralajmërimi më serioz që një politikan në opozitë bën ndaj oligarkisë dhe përballjen e saj me ligjin.
Ky është momenti kur Shkëlqim Fusha, kompania e të cilit duket qartazi më e favorizuara nga Bashkia e Tiranës së drejtuar nga Erjon Veliaj, dhe qeveria e Kryeministrit Edi Rama, e ka të qartë se çfarë e pret nesër në përballjen me ligjin.
Marrëveshja e firmosur nga Lulzim Basha sot, duket se përcjell dy mesazhe: i pari për oligarkinë politike, që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe në atë që njihet si “kapja e shtetit” përmes vënies nën kontroll të çdo institucioni, përfshi edhe ato të drejtësisë, po sillet dhe vepron me pronat publike dhe private, duke i trajtuar si sulltanate.
I dyti është një mesazh i drejtpërdrejtë për oligarkinë ekonomike, që duke përfituar nga lidhjet e shkurtra apo të gjata me qeverinë, po rrëmben gjithçka, me apo pa ligj, por në kundërshtim me interesin qytetar apo Kushtetutën.
Në rastin konkret duket se “lapsi” i ka rënë Shkëlqim Fushës për t’u bërë shembulli për pjesën tjetër, të dukshme apo të padukshme, të oligarkisë, që mendon se nuk do të ketë probleme pavarësisht ndryshimit të aktorëve politikë.
Por, forma që ka zgjedhur lideri i opozitës, duke “hedhur në erë” rregullat e vjetra duket se ndërpret përfundimisht edhe garancitë e deritanishme të oligarkëve, pavarësisht numrit të tyre, që vijonin të qetë projektet pavarësisht emrit të Kryeministrit apo përbërjes së qeverisë.
Ndoshta kjo është merita më e madhe në këtë lëvizje e Lulzim Bashës. Të paktën oligarkia do të qëndrojë nën ethe, s’do të mbyllë sy e qetë, ndërsa koha do të tregojë seriozitetin e platformës Basha kundër tyre.