Kolapsi i drejtësisë/ KLGJ: Gjyqtarë të lartë “të përkohshëm” vetëm për ekstradimet

Nga Boldnews.al

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi që të aktivizojë “gjyqtarë të përkohshëm” për në Gjykatën e Lartë, vetëm për çështjet e ngutshme, që lidhen me rastet e ekstradimeve.

Në një komunikim me “Boldnews.al”, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i ngarkuar njëkohësisht për komunikimin me median, Erjon Muharremaj, sqaroi se “gjyqtarët e përkohshëm” do të ngarkohen me funksionet e anëtarit të Gjykatës së Lartë vetëm për çështjet që parashikohen në nenin 462 të Kodit të Procedurës Penale.

“Gjyqtarët e niveleve më të ulta, të cilët do të ngarkohen me detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë do të trajtojnë vetëm rastet emergjente, që lidhen me ekstradimin dhe transferimin për jashtë Shqipërisë të personave të dënuar, çështje, për të cilat neni 462 i Kodit të Procedurës Penale parashikon që vendimi i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm është ai i Gjykatës së Lartë”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka konsideruar emergjente situatën në Gjykatën e Lartë, e cila ka aktualisht 2 nga 19 anëtarë që parashikohet në Kushtetutë. Edhe nga këta dy anëtarë, njëri, kryetari Xhezair Zaganjori, pret këtë javë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nëse do të qëndrojë në detyrë apo do të shkarkohet.

Anëtari tjetër, Ardian Dvorani, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka përfunduar mandatin e tij prej 5 vitesh. Ai po qëndron në detyrë deri sa të zëvendësohet sipas procedurës normale ligjore.

Me dy anëtarë prej disa muajsh, Gjykata e Lartë është jo-funksionale, pasi ligji parashikon që Kolegjet e saj përbëhen nga 3 anëtarë.

Bllokimi i Gjykatës së Lartë ka sjellë mos-shqyrtimin e rreth 31 mijë dosjeve gjyqësore. Por, emergjente janë rastet me personat e arrestuar, të cilët presin shqyrtimin e rastit nga Gjykata e Lartë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që të reagojë për të plotësuar boshllëkun, fillimisht me “gjyqtarë të përkohshëm”, të cilët do të shqyrtojnë rastet që lidhen me marrëdhëniet juridiksionale me jashtë (ekstradimet/transferime), duke synuar shmangien e paraqitjes së tyre në Gjykatën e Strasburgut.

LEXO EDHE  FOTO/ Aksidenti te Gjiri i Lalzit, makina kthehet përmbys

Sipas vendimit të marrë mesditën e së Martës, anëtarët “e përkohshëm” të Gjykatës së Lartë do të jenë gjyqtarët e niveleve më të ulta, të cilët kanë të paktën 13 vite karrierë, si edhe të kenë kaluar me sukses procesin e Vetingut.

Propozimi për “gjyqtarë të përkohshëm” u dha fillimisht nga misioni i ekspertizës së Bashkimit Europian, EURALIUS. Sipas propozimit të ekspertëve të këtij misioni, Gjykata e Lartë duhej të plotësohej me “anëtarë të përkohshëm” për të gjitha çështjet, deri në zgjedhjet e anëtarëve me mandat të plotë.

Ky propozim u kundërshtua fuqishëm nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili konsideroi Këshillin e Lartë Gjyqësor si përgjegjës për vonesat në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtar të Gjykatës së Lartë.

Meta nuk ishte aspak dakord me formulën e propozuar nga EURALIUS, e cila i ngjan projektit të dështuar të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.

Pas këtij debati, Këshilli i Lartë Gjyqësor duket se ka zgjedhur një rrugë të mesme-ka pranuar konceptin e “gjyqtarëve të përkohshëm”, sipas propozimit të EURALIUS-it, por me një kufizim të kompetencave vetëm për çështjet e ekstradimit dhe transferimeve të të dënuarve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpalli pak ditë më parë thirrjen për aplikimin për 4 anëtarë jo-magjistratë të Gjykatës së Lartë.

Kushtetuta parashikon që Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 anëtarë, 15 prej të cilëve nga gjyqësori dhe 4 nga radhët e juristëve të spikatur. Këshilli i Lartë Gjyqësor i propozon Presidentit listën emërore të kandidatëve, të cilët zgjidhen më pas nga kreu i shtetit për mandat 9-vjeçar.