Paralajmërimi i fortë/ Pas 5 vjetësh Shqipëria hyn në spiralen e vdekjes…

Eksperti i ekonomisë dhe aktivisti i shoqërisë civile, Pano Soko, ka bërë një paralajmërim të fortë rreth asaj se çfarë do t’i ndodhë vendit brenda 5 vjetësh, nëse nuk ndalet hemoragjia e largimit të shqiptarëve dhe nëse nuk reagohet me shpejtësi.

Në një postim në rrjet, Soko shkruan “ne nuk duhet thjesht të ndryshojmë sistemin politik me shpejtësi skëterre, po ne duhet të superojmë dhe Superman-in në administrim, nëse duam që ky vend të shpëtojë”.

“Pra të zgjedhim 2000-3000 njerëzit më të ditur, më profesionistët, më të aftët të drejtojnë hallkat e shtetit dhe ekonomisë. Njerëz që të bien dakord (pa u vonuar shumë ama…) se ku duhet të ecë ekonomia, çfarë degësh do të zhvillohen, kush do të jenë sektorët prioritarë.; si do lidhet arsimi me ekonominë; si do zhvillohet infrastruktura në shërbim të ekonomisë; si duhet të ndryshojë situata politike, demokracia si do të jetë e vërtetë, si të vihet në shina arsimi, shëndetësia, si do të ketë rritje efektive pagash nëpërmjet rritjes së ekonomisë, si të mos vidhen pasuritë natyrore, si do të ketë drejtësi të vërtetë, si do të ketë mbrojtje ushqimore, si do të ndryshohet perceptimi për korrupsionin, për pabarazinë etj..”, shkruan ai.

Komenti nga Pano Soko

Diku para nja 3 viteve filluan të më vinin në adresën time (fillimisht në LinkedIN e më pas në email) mesazhe nga Zyra qeveritare e Emigracionit në Zelandën e Re, të cilat më ftonin të aplikoja për vende pune dhe për emigrim aty. Dhe që prej asaj kohe, nuk kalon një ditë pa më sjellë të paktën një ofertë aplikimi.
Një marketing ultra agresiv!

Problemi i emigracionit dhe zbrasjes së vendit është sot problemi më i madh që ka Shqipëria.
Revista Monitor kishte nxjerrë në kopertinën e sa ulërimën “Po ikiiiiiiiiinnnn!”, si për të treguar sesa e frikshme është situata.

Por për mua situata sot mund të jetë e frikshme, por nesër do të jetë e llahtarshme.

Problemi me emigracionin, nuk është thjesht te fakti se Shqipëria po bëhet më keq. Problemi është se vendet e zhvilluara po e shohin si zgjidhje për projeksionet e tyre afatgjata zhvillimore dhe kanë filluar jo thjesht pranimin e emigrantëve, por tashmë thithjen agresive të emigrantëve.

Qarqet akademike të atyre vendeve kanë evidentuar faktin që përshtatja e ritmit të zhvillimit ekonomik dhe industrial të një vendi me ritmin e rritjes së popullsisë është çelësi për atë që quhet zhvillim i qëndrueshëm. Dhe për këtë kanë hartuar projekte konkrete për rritjen e shtimit të popullsisë nëpërmjet emigracionit.

Nëse deri më sot janë pranuar emigrantë, shumë shpejt emigrantët do të kërkohen.

Zelanda e Re dhe Kanadaja janë tashmë në këtë fazë. Ato janë në pararojë dhe që shumë shpejt do të ndiqen nga Gjermania, Norvegjia, Japonia, Finlanda, Suedia, Danimarka etj.etj. Për Zelandën e Re sot mjafton të jesh një individ që ke një nivel të caktuar arsimor, ke eksperience në një profil pune, je në moshë të re – dhe agjencitë e tyre të emigracionit bëjnë ç’është e mundur që të të mundësojnë punësimin dhe rrjedhimisht emigrimin në vendin e tyre.
Dhe këtë e jetoj vetë çdo ditë. S’ka ditë që ajo lista me kompani që kanë vende pune mos ketë të paktën një kompani të re dhe të paktën 10 vende të reja pune që i përshtatet profilit. Domethënë aman vetëm hajde..

LEXO EDHE  Vriten për një pasqyrë makine, i buzëqeshin xhelatit.../ "Shpërthen" ish-deputeti

Imagjinoni kur kjo metodë marketingu të fillojë të aplikohet dhe nga Suedia, Norvegjia, Gjermani, Danimarka etj.. Kur ato të fillojnë t’iu çojnë emaile njerëzve “Hajde në Gjermani, se ke këto vende pune që i përshtaten profilit tënd si ekonomist, apo jurist, apo punonjës social..dhe këto programet shtetërore që do të të lehtësojnë akomodimin tënd dhe të familjes tënde derisa të krijosh bazën tënde ekonomike.”
Imagjinoni ç’mund të ndodhë. Ikën të gjithë…

Dhe kjo që po them do të ndodhë para 2025-ës.

Nëse shikojmë “The Big Picture” (pamjen e madhe) nëse duam të shpëtojmë nga kjo hemorragji letale, ne, jo vetëm që s’duhet të përkeqësohemi më përsa i përket treguesve të jetesës, por na duhet të rekuperojmë shuuumë shpejt. Sepse jemi në garë me më të mirët e më të mirëve.
Njëlloj si të të vënë të luash futboll kundër Lionel Messit tek për tek, kur emri yt është Lek Plepi, me rregullin “Kush humbet vdes”!

Kështu siç jemi, jemi të vdekur.

Ne nuk duhet thjesht të ndryshojmë sistemin politik me shpejtësi skëterre, po ne duhet të superojmë dhe Superman-in në administrim, nëse duam që ky vend të shpëtojë. Pra të zgjedhim 2000-3000 njerëzit më të ditur, më profesionistët, më të aftët të drejtojnë hallkat e shtetit dhe ekonomisë. Njerëz që të bien dakord (pa u vonuar shumë ama…) se ku duhet të ecë ekonomia, çfarë degësh do të zhvillohen, kush do të jenë sektorët prioritarë.; si do lidhet arsimi me ekonominë; si do zhvillohet infrastruktura në shërbim të ekonomisë; si duhet të ndryshojë situata politike, demokracia si do të jetë e vërtetë, si të vihet në shina arsimi, shëndetësia, si do të ketë rritje efektive pagash nëpërmjet rritjes së ekonomisë, si të mos vidhen pasuritë natyrore, si do të ketë drejtësi të vërtetë, si do të ketë mbrojtje ushqimore, si do të ndryshohet perceptimi për korrupsionin, për pabarazinë etj..

Dhe për të gjitha këto nuk kemi më shumë se 5 vjet. Nëse pas 5 vjetësh nuk i kemi bërë të gjitha ato më lart, vendi do të futet në spiralen e vdekjes:
“Më shumë shqiptarë ikin, më shumë bie ekonomia – më shumë bie ekonomia, më shumë shqiptarë ikin.” derisa vendi të falimentojë ekonomikisht.

Dhe falimentimi ekonomik është thjesht një nga ato gjëra që do t’i ndodhin këtij vendi..