Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, ndihet e sulmuar nga opozita, njëlloj si Kryeministri Edi Rama, pavarësisht se ajo këmbëngul se është e pavarur në detyrën e saj.
Në një intervistë të dhënë para Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku po shqyrtoheshin aplikimet për Strukturën e Posaçme Hetimore-SPAK, Prela ka përmendur tre raste, të cilat ajo i ka konsideruar si “sulme politike”, por që, gjithnjë sipas saj “i ka përballuar me profesionalizëm”.
Ajo “u ankua” para KLP-së se emri i saj ishte paragjykuar nga politika që në momentin e emërimit në krye të Krimeve të Rënda. Prela nuk e përmendi se cila pjesë e politikës e sulmoi që në ditët e para, por që dihet botërisht se ndaj saj ka pasur akuza publike nga Partia Demokratike në opozitë.
Donika Prela i risolli në vëmendje “akuzat politike”, duke përmendur se ishte anatemuar dhe paragjykuar për çështjet, si ajo kundër ish-ministrit të Brendshëm, për çështjen e Agron (Geron) Xhafaj dhe për çështjen “Shullazi”.
Tre çështjet që përmendi Prela janë ndër më sensitivet e viteve të fundit dhe, për koincidencë, janë të gjitha hetime që kanë “favorizuar” qeverinë e majtë.
1. Çështja “Tahiri”
Donika Prela deklaroi para Këshillit të Lartë të Prokurorisë se, një pjesë e politikës e ka paragjykuar që në fillimet e saj të punës së Krimeve të Rënda, duke hedhur dyshimet publike se emërimi i saj (i paligjshëm, shën.red) do të ndikonte në zbutjen e akuzave për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i hetuar për bashkëpunim me grupin e narko-trafikantëve “Habilaj”.
“Por – deklaroi Prela – koha tregoi se sulmet ndaj meje nuk qëndronin, pasi dosja “Tahiri” është në gjykim”. Në fakt, dosja “Tahiri” shkoi në gjykim pasi u mbajt nën hetim edhe një vit pas emërimit të Prelës.
Burime nga Krimet e Rënda deklaruan për “Boldnews.al” se, përgjatë muajve të fundit, që përkon me drejtimin e Donika Prelës, për dosjen “Tahiri” janë kryer një numër minimal veprimesh hetimore, sasia e të cilave nuk e justifikon aspak shtyrjen me rreth 1 vit të dorëzimit të dosjes në gjykatë.
Të njëjtat burime hedhin dyshimin se vonesa e dërgimit në gjyq të “Tahirit” mund të lidhet me presione të ndryshme ndaj prokurorëve për të vonuar mbylljen e hetimit. Me shumë mundësi, çështja “Tahiri” u dërgua në gjykatë, pas një presioni të faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë në Tiranë.
Gjithësesi, rezultati i kësaj dosjeje hetimore ende nuk është provuar, pasi çështja është në proces në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
2. Çështja “Geron Xhafaj”
Donika Prela është ndjerë e “nën presion” politik për çështjen e Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për të cilin u ngritën dyshime publike nga ish-bashkëpunëtori i tij në aktivitete kriminale, Albert Veliu, për vijimin e trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë.
Nën drejtimin e Donika Prelës dhe me angazhimin e drejtëpërdrejtë të zëvendësit të saj, Gentian Osmani, sot anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dosja e “Geronit” u devijua.
Hetimet e nisura ndaj vëllait të Fatmir Xhafajt ndryshuan shumë shpejt rrjedhë dhe, në përfundim, u morën të pandehur për “moskallëzim krimi” denoncuesi Albert Veliu dhe dy persona që i dhanë zë denoncimit të tij, gazetari Jetmir Olldashi dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.
Edhe këtë rast, Donika Prela e konsideroi “sukses” para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke u shprehur se “presioni politik” nuk ndikoi në vendimmarrjen e Prokurorisë për Krime të Rënda.
Në qëndrimin e saj, Prela, natyrisht iu referua “presionit politik” nga opozita dhe nuk u shpreh për ndonjë “sugjerim” të mundshëm nga maxhoranca, për devijimin e hetimeve nga Agron (Geron) Xhafaj tek denoncuesi Albert Veliu.
3. Çështja “Shullazi”
Donika Prela përmendi edhe rastin “Shullazi”, si një ndër çështjet për të cilat ajo u paragjykua nga politika (lexo: opozita). Për opozitën, Emiljano Shullazi, tashmë në gjykim në Apelin e Krimeve të Rënda për “gjobvënie”, kishte lidhje të fuqishme me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe zyrtarë të tjerë socialistë.
Dhe, pikërisht, për shkak të këtyre lidhjeve, opozita hodhi dyshimin se emërimi i paligjshëm i Donika Prelës në krye të Krimeve të Rënda, mund të dëmtonte hetimin që po zhvillohej në atë kohë për Shullazin dhe disa miq të tij.
Para KLP-së, Prela i konsideroi të pabaza paragjykimet “e politikës” për rolin e saj në këtë çështje, pasi dosja hetimore shkoi në gjyq.
Por, Donika Prela nuk e përmendi faktin se, për shkak të “keq-menaxhimit” të saj spektakolar, prokuroria për Krime të Rënda u përfshi në një përplasje unikale në historinë e institucionit.
Të paktën 10 prokurorë kundërshtuan vendimin e drejtueses së tyre, Donika Prela, për mënyrën se si do të përcaktoheshin ata që do paraqisnin konkluzionet për Shullazin dhe miqtë e tij.
Kjo përplasje u trajtua nga Donika Prela dhe shefja e saj, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, si “frikë e prokurorëve për të kryer detyrën”. Në fakt, përplasja nuk kishte lidhje me “frikën” e prokurorëve, të cilët kanë hetuar dhe kanë kërkuar dënime maksimale për shumë persona të përfshirë në vepra të rënda penale.
Shkak për përplasjen ishte mënyra se si Donika Prela donte ta trajtonte rastin. Një pjesë e prokurorëve, të cilët debatuan me drejtuesen e tyre, krijuan dyshimin se Prela po kryente shkelje proceduriale, të cilat mund t’i shkonin në favor të të pandehurve.
Video/ Donika Prela “rrëfehet” për dosjen e Agron (Geron) Xhafaj