Gara për Kryeprokuror/ Vetingu i Ols Çelës, tani nis lufta e klaneve në PS

Nga Boldnews.al

Kandidati për Prokuror të Përgjithshëm, Olsian Çela, u përball paraditen e së Premtes me një seancë të qetë para Komisionit të Vetingut. Me shumë mundësi, ai do të konfirmohet në detyrë dhe në këtë mënyrë, do të jetë i gatshëm të vijojë garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë.

Çela, ish-drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda në mandatin e Ina Ramës dhe sot prokuror i thjeshtë në atë strukturë, konsiderohet si rivali kryesor i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, për drejtimin e institucionit të Akuzës për 7 vitet e ardhshme.

Gara për Kryeprokuror, në të cilën janë edhe dy kandidatë të tjerë më pak të kuotuar -prokurorja Fatjona Memçaj dhe avokati Lulzim Alushaj, – pritet të shndërrohet në një përplasje të formë mes klaneve në Partinë Socialiste.

Si Arta Marku, ashtu edhe Olsian Çela, kanë lobingjet e tyre brenda maxhorancës qeverisëse.

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, u emërua në detyrë në Dhjetor 2017, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, nëpërmjet lobimit të Ulsi Manjës dhe Ermonela Felajt, dy deputetë nën ombrellën e “babait të Reformës në Drejtësi”, Fatmir Xhafaj, ish-hetues famëkeq i periudhës së komunizmit.

Nga ana tjetër, Olsian Çela besohet se ka mbështetjen e fortë të kryetarit të Parlamentit, një prej figurave më të forta të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Pas konfirmimit të pritshëm në detyrë të Olsian Çelës, fushë-beteja e parë e klaneve brenda maxhorancës do të jetë terreni i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Në bazë të ligjit, ka detyrimin që të kryejë renditen e 3 kandidatëve me më shumë pikë, të cilët më pas ia dorëzon Kuvendit, i cili duhet të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me 84 vota.

Ligji ka parashikuar një mekanizëm zhbllokues, nësë nuk sigurohen 84 vota deputetësh-Prokuror i Përgjithshëm zgjidhet automatikisht kandidati që është renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

LEXO EDHE  Tërmeti/ Manjani: Sjellja e Ramës fyese ndaj qytetarëve, opozita duhet të reagojë

Për këtë arsye, klanet brenda Partisë Socialiste, duhet të angazhohen për të siguruar sa më shumë vota të 11 anëtarëve të KLP-së, për të nxjerrë në krye të listës të preferuarin e tyre, për të qenë të sigurt për çdo rast.

Situata aktuale në Këshillin e Lartë të Prokurorisë duket se është më në favor të Arta Markut. Klani që e mbështet Kryeprokuroren e Përkohshme, “Xhafaj-Manja-Felaj” kanë menduar prej kohësh për këtë ditë.

Nëpërmjet ndërhyrjeve, premtimeve dhe favoreve, ky klan ka siguruar një numër të konsiderueshëm mandatesh në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Nga ana tjetër, edhe Arta Marku vetë arriti të fusë dy anëtarë “baxhanakë” në KLP.

Por, i gjithë skenari i tyre mund të rrëzohet si “kështjellë rëre”, nëse Gramoz Ruçi dhe “klani” i tij këmbëngulin për të nxjerrë në krye të listës së kandidatëve Olsian Çelën.

Javët e ardhshme pritet të jenë “të nxehta” brenda Partisë Socialiste, ku secili “klan” do të mundohet të sigurojë përkrahjen e Edi Ramës, i cili, si përherë, është i vetmi që do të ndajë nëse Prokuror i Përgjithshëm për 7 vitet e ardhshme do të jetë Arta Marku apo Olsian Çela.

Nëpërmjet kësaj forme, Edi Rama do të ndajë edhe nëse do të mbështesë klanin e Ulsiut apo atë të Gramozit.

Sido që të shkojë kjo përplasje, qytetarëve shqiptarë do t’u paraqitet si garë konkurrimi mes një kandidati me mbështetje socialiste dhe një kandidati, po me mbështetje socialiste.

Edhe pas miratimit të Reformës në Drejtësi, institucioni i Prokurorisë nuk do të arrijë të jetë i pavarur, duke e shndërruar të gjithë projektin e investuar fuqishëm nga ndërkombëtarët, një flluskë sapuni në diell.