Nga Elidon Lama
Shkoj në karburant ti hedh naftë makinës. Ndaloj te pompa dhe shoh pak më tutje një grup njerëzish që po debatojnë me njëri tjetrin, midis tyre edhe shitësi i karburantit. Kur e sheh që po e pres, e lë debatin në mes dhe vjen te unë.
– Mi bëj 20 mijë lekë naftë – i them.
– Ma thuaj më mirë me litra, sa litra do, se kemi për tu bërë lëmsh. Kam që qëparë që po debatoj me këta – më thotë shitësi.
– Ou! Po mirë, mi bëj 10 litra naftë pra.
– Në vend.
– Me sa është nafta?
– Me 700 lekë.
– Ça thua ore, po tallesh!
– Jo ore, aq është. Po që ta marrësh vesh ti, që nga sot unë do marr vetëm lekët e naftës që shes. Këta të tjerët le ti marrin vetë lekët e tyre, s’ka ç’më duhet më mua.
– Po pse, kush janë ata?!
– Janë këta të shtetit që mbledhin taksat dhe ca privatë që kanë ca konçesione dhe i marrin ca lekë edhe ata. Se shikon, kemi që qëparë që zihemi e grihemi për punë llogarish. Po le të bëjnë ça të duan, unë se bëj më sekserin për këta. Le ti mbledhin vetë lekët e tyre.
– Seriozisht e ke?
– Po ore, po të duan le të vijnë ti marrin vetë. Po s’duan le të rrinë.
Ndërkohë i hedh naftën, vendos kapakun e serbatorit dhe vjen te unë.
– 10 litra x 700 lekë = 7 mijë lekë të bën vëlla – më thotë.
– Ta dija kështu, ti kisha hedhur 20 litra – i them, ndërkohë që i jap lekët, buza-gaz nga kënaqësia se kisha paguar shumë më pak nga ajo që paguaja zakonisht.
– Po të duash ja hedhim – më thotë, – po bëj llogari që do i paguash edhe këtyre të tjerëvë pjesën që u takon.
– Si, do vinë edhe këta të marrin lekët tani?!
– Po ore, do vinë një nga një të gjithë. Priti këtu – më thotë shitësi dhe ikën.
Drejt meje niset një burrë i shkurtër, te të dyzetat, me një bllok faturash në dorë.
– Si kalove – më përshëndet.
– Mirë, faleminderit. A u lodhe – ja kthej.
– Unë jam nga dogana. Kam ardhur të mbledh akcizën e naftës. Atëherë, ti more 10 litra naftë, me 370 lekë të vjetra për litër që është akciza, të venë 3700 lekë.
– Kaq shumë?!
– Kaq vete.
I jap 3 mijë lekë që i kisha gati nga kusuri që më ktheu shitësi çik më parë, edhe ca të holla që kisha në xhep, dhe ikën.
Ndërkohë drejt meje niset një grua.
– Përshëndetje. Jam përfaqësuese e Ministrisë së Transporteve – më thotë. Kam ardhur të mbledh taksën e qarkullimit.
– Po, më thuaj.
– Atëherë, ju morët 10 litra, me 270 lekë për litër, shkojnë 2700 lekë të vjetra.
– 2700?! Po vazhduat kështu të gjithë sa jeni, do ju lë makinën fare se s’ka për të më ngelur kokërr leku – i them si me shaka, duke menduar se po mi krruajnë mirë xhepat.
– Epo ky është ligji zotëri, nuk kemi çfarë të bëjmë – më thotë, ndërkohë që merr lekët dhe ikën edhe ajo.
Pas saj afrohet një djalë i ri.
– Përshëndetje, si kaluat – më thotë.
– Mirë, si je ti – ja kthej.
– Kam ardhur të mbledh taksën e karbonit.
– Kush je ti?
– Jam përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit.
– E sa e ke gjobën ti vëlla – i them me të qeshur.
– 30 lekë për litër. Sa litra more ti?
– 10 litra.
– Atëhere ke për të paguar 300 lekë të vjetra.
I jap lekët dhe ikën edhe ky.
Ndërkohë, pak më tutje po prisnin edhe 4-5 veta të tjerë.
Afrohet një burrë i vjetër. Këtë se mora vesh as nga ishte. Mora vesh vetëm që do mblidhte taksën e riliçensimit.
– Ça takse është kjo – i them.
– Është taksa që paguhet për riliçensimin e pikave të karburantit – më thotë.
– E pse u dashka ta paguaj unë këtë taksë. Ca më duhet mua me liçensimin e pikave.
– Ky është ligji zotëri.
– Epo, ai që ka bërë ligjin s’ka qenë mirë nga trutë e kokës – i them.
– S’di ç’të të them, unë bëj vetëm punën time.
– E sa lekë vete?
– 100 lekë për litër, herë 10 litra që more ti, venë 1 mijë lekë.
I bezdisur, me ndjenjën se po ma fusin, i jap lekët dhe ikën.
Më afrohen dy të tjerë.
– Mirdita – më thotë njëri, i veshur me kostum e kollare.
– Mirdita – ja kthej.
– Unë jam nga konçesionari i markimit të karburanteve. Ndërsa ky shoku është nga konçesionari i skanimit. Erdhëm të dy bashkë që të mbarojnë punë shpejt e shpejt, të të kursejmë kohë edhe ty.
– Mbase kohën do ma kurseni, po xhepat po mi zbrazni mirë – i them.
– Epo ne ju japim shërbim për këtë taksë zotëri. Ne sigurohemi për cilësinë e karburantit tuaj.
– Atëherë i bie që paskeni bërë punë shumë të keqe – i them. Para dy muajsh më la makina nga pompa e naftës për shkak të karburantit që është aq i keq sa më keq s’bëhet. Kam paguar gjith ato lekë për ta rregulluar. Këtë quani shërbim ju?
– Ky është mendimi juaj zotëri. Ne punën e kemi bërë dhe nafta për ne është në rregull. Taksa është ligj dhe ke detyrimin ta paguash.
– E sa lekë doni ju?
– Nga 30 lekë për litër të dy bashkë. Ti more 10 litra, atëherë ke për të paguar 300 lekë.
I jap lekët.
– Urdhëro. Mblidhini ca lekë edhe këtyre të tjerëve që po hedhin karburant dhe ikni futjani me birra se u lodhët shumë sot – i them, ndërkohë që më është sosur durimi.
Ndërkohë që këta largohen, afrohet një vajzë e re.
– Përshëndetje – me thotë si me ndrojtje.
– Si kalove – ja kthej.
– Shiko, unë jam e re këtu, e kam për herë të parë këtë punë. Konçesionari për të cilin punoj sapo ka filluar punë, prandaj se di mirë si funksionon kjo mbledhja e taksës.
– Pse nga je ti?
– Unë jam përfaqësuese e konçesionarit të kontrollit të pompave. Sapo e kemi filluar punën tonë. Do t’ju shërbejmë për 20 vitet e ardhshme.
– Hë më ju lumtë. Lum si unë – i them me ironi, dhe kafshoj gjuhën që mos ta zgjas më tej. – Sa lekë do ti?
– Ju morët 10 litra, me 20 lekë për litër, ju shkon 200 lekë.
– Ti ishe e fundit – i them duke i dhënë lekët dhe bëhem gati të nisem.
– Jo, prit, është edhe ai i tatimeve – më thotë dhe ikën.
Afrohet një djalë me këmishë të bardhë, me një nga ato mjetet e identifikimit të varur në qafë, në të cilën shkruan Drejtoria e Tatimeve.
– Zotëri, të bëjmë çik llogari edhe TVSH-në që keni për të paguar dhe pastaj vazhdoni.
– Pa tjetër, kush ikën këtej – i them me nervat që më janë bërë tel.
Nuk më kthen fare përgjigje. Hap telefonin dhe fillon bën llogaritë.
– Atëherë, ju paguat 7000 lekë për naftën që morët, plus 3700 lekë akcizë, plus 2700 lekë taksë qarkullimi, plus 300 lekë taksë karboni, plus 1000 lekë taksë riliçensimi, plus 300 lekë për konçesionarët e markimit dhe skanimit, plus 200 lekë për konçesionarin e kontrollit të pompave… në total bëjnë 15 mijë e 200 lekë. Mbi këtë vlerë keni për të paguar edhe 20% TVSH.
– E sa i vete?
– 20% i 15 mijë e 200 lekëve shkon 3 mijë e 40 lekë.
Nuk i flas fare. I jap lekët, më jep kuponin, dhe iki.
Rrugës njëqind mendime më vijnë e ikin, po njëri nuk më shqitet nga koka! Çfarë ishin gjithë ata banditë që mi shkundën mirë xhepat. Kush dreqin i kishte dërguar! Pagova 18 mijë lekë për 10 litra naftë, por që në të vërtetë kushtonin vetëm 7 mijë lekë!
Me sa duket s’paskam qenë i vetmi. Të gjithë shoferët rrugës i shoh të acaruar e duke folur me vete në makinat e tyre. Ua paskan futur edhe atyre.