Kandidatja për Kushtetuese/ Pasuri të dyshimta! Asnjë dokument për pronat që zotëron

KPK bëri me dije se problemet e pasurisë së Gurit ishin vënë në dukje që në raportin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.

Sipas këtij raporti gjyqtarja Guri “nuk kishte kryer deklarim të saktë të pasurisë, s’ka burime të ligjshme, ka kryer fshehje e deklarim të rremë”.

Trupa gjykuese që shqyrtoi çështjen përbëhej nga Lulzim Hamitaj kryesues, Alma Faskaj relatore dhe Suela Zhegu anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Gjyqtarja Anila Guri (Kristani) e ka nisur karrierën e saj në korrik të vitit 1996 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku shërben prej më shumë se 23 vitesh. Ajo është kandidate për një pozicion në Gjykatën Kushtetuese.

Relatorja e çështjes, Alma Faksaj u shpreh se Komisioni e kishte përfunduar hetimin për gjyqtaren Guri për të tri kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit, por nga relacioni u duk se KPK ishte fokusuar te pasuria e gjyqtares.

Problemet me shtëpinë tre katëshe

Lidhur me një banesë tre katëshe+bodrum në Tiranë, të ndërtuar në vitin 1998 në një truall me sipërfaqe 1000 m2, dy vjet para lidhjes së martesës mes bashkëshortëve Guri, Komisioni ka vërejtur mospërputhje mes deklaratës së vitit 2003 dhe asaj veting.

Sipas relatores Faskaj, në deklaratën veting është pasqyruar sipërfaqja 1000 m2 me vlerë 3 milionë lekë dhe godina dy katëshe + papafingo me vlerë 7 milionë lekë. Si burim i krijimit janë deklaruar të ardhurat e bashkëshortit nga aktiviteti privat, trashëgimia dhe të ardhurat e përfituara nga shitja e një banese në Gjirokastër në pronësi të nënës së gjyqtares Guri (Kristani) në vitin 1996.

Relatorja Faskaj u shpreh se në vitin 2003 është kryer deklarim i pasaktë i vlerës së truallit dhe se nuk është pasqyruar një kat i ndërtesës. Faskaj tha se gjatë shpjegimeve, gjyqtarja Guri ka pohuar se nuk ishte deklaruar bodrumin që nuk është i jetueshëm dhe se kjo nuk mund të konsiderohej një pasaktësi.

“Në deklaratën periodike, vlera e objektit është përcaktuar 7 milionë lekë, ndërsa në atë veting është 6.5 milionë, edhe pse është deklaruar një kat më shumë”, pohoi ndër të tjera relatorja Faskaj. Ajo shtoi se në deklaratën veting nuk është pasqyruar si burim vlera e përfituar nga shitja e apartamentit në Gjirokastër që ka qenë në pronësi të nënës së subjektit.

Gjithashtu, në deklaratën veting, gjyqtarja Guri ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka siguruar 10 milionë lekë të ardhura nga aktiviteti i tij privat gjatë periudhës 1990-2000. Sipas Komisonit, bashkëshorti i gjyqtares Guri duket sikur nuk ka pasur mundësi financiare e për pasojë burime të ligjshme për të kryer këtë investim në vitin 1998, dhe në dy vitet në vazhdim për mobilimin.

Në fjalën e saj, gjyqtarja Guri tha se u qëndronte shpjegimeve të saj të mëparshme dhe këmbënguli se kishte kryer dekalrim të saktë të vlerës së truallit, ndërkohë që mosdeklarimin e bodrumit të kësaj banese e justifikoi me faktin se kjo sipërfaqe nuk ishte e banuar.

“Kjo banesë është ndërtuar me të tre katet para martesës, që në vitin 1998”, pohoi gjyqtarja Guri. Më tej ajo sqaroi se mospërputhjet e burimeve të deklaruara kishin ardhur se duhej të shpjegonte periudhën kur nuk kishte lidhur ende martesë.

“Kam vërtetuar se s’kam përfituar nga trashëgimia. Të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit në Gjirokastër u depozituan për nënën. Nuk përfitova edhe pse në vitin 2003 kam deklaruar nga trashëgimia, por nuk kam deklaruar se kam kontribuar për ndërtimin”, tha ndër të tjera gjyqtarja Guri dhe shtoi se ndërtesa nuk kishte pësuar ndryshim strukturor.

Guri pohoi se nuk kishte ku t’i gjente dokumentet për të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti gjatë periudhës 1990-2000, pasi  ishin përfituar në një periudhë informaliteti.

Mungesa e të ardhurave

Ajo tha se e vetmja pasuri e shtuar është një autoveturë tip “Wolksëagen Golf”. Por, Komisioni ka gjetur probleme edhe në blerjen e kësaj autoveture në vitin 2010 në vlerën 500 mijë lekë, ku si burim krijimi janë deklaruar të ardhurat nga puna e gjyqtares Guri dhe nga bashkëshorti i saj si avokat. “Nga analiza financiare e kryer konstatohet se nuk kanë pasur mundësi të blejnë këtë pasuri në vitin 2010, me një diferencë negative prej 152 mijë lekësh”, pohoi relatorja Faskaj.

Komisioni ka konstatuar mungesë të burimeve të ligjshme edhe në blerjen e një automjeti tip “Benz” në maj të vitit 2016 në vlerën 7000 euro, për të cilin ajo ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga paga e saj dhe puna e bashkëshortit, si edhe ato të përfituara nga shitja e një makine tjetër.

Gjyqtarja Guri e cilësoi të pasaktë analizën financiare lidhur me burimin e krijimit të makinës tip “Wolkswagen Golf”. Ajo tha se nuk ka pasur pamajftueshmëri pasi bashkëshorti në vitin 2010 kishte pasur një milion lekë të ardhura. Sipas gjyqtares Guri, Komisioni e ka shpëndarë këtë shumë në të gjithë muajt duke e përpjestuar në mënyrë të drejtë, ndërkohë që bashkëshorti i saj mund të paguhej për gjithë punën që kishte kryer gjatë një periudhe të caktuar kohore, në një moment të caktuar. Ajo shtoi se edhe për automjetin tip “Benz” të blerë në vitin 2016 kishte shpjeguar më parë se këtë makinë e kishin blerë nga një i afërt.

LEXO EDHE  Kërcënon Vuçiç: Mënjanimi i Listës Serbe nga qeveria, do të ketë pasoja katastrofike

Dyshimi për shtëpi të fshehur

KPK identifikoi edhe një banesë në pronësi të nënës së gjyqtares Guri në fshatin Pulaj të Velipojës të ndërtuar në vitin 2007, por të deklaruar në vitin 2017 me vlerë 2.5 milionë lekë. Sipas relatores Faskaj, gjyqtares Guri i ka lindur e drejta për ta deklaruar këtë pasuri që prej vitit 2007, kur ishte krijuar. Faskaj tha se subjekti ka deklaruar si burim krijimi të kësaj pasurie të ardhurat e siguruara prej nënës së saj nga shitja e një apartamenti në Gjirokastër në vlerën 4 milionë lekë.

Nga verifikimet e kryera Komisioni ka konstatuar se sipërfaqja në bazë e kësaj ndërtese është 96 m2 ndërsa sipërfaqeje totale 120 m2. Ndërkohë, sipas përllogaritjeve të kryer, Komisioni ka konkluduar se vlera e përafërt e kostove të ndërtimit duhej të kishte qenë 3.6 milionë lekë, pa përfshirë kostot inxhinierike.

Prej hetimit administrativ ka rezultuar se prej vitit 2010 deri në vitin 2015, kontrata e energjisë për këtë apartament ka qenë në emër të bashkëshortit të gjyqtares Guri dhe më pas është transferuar në emër të nënës së saj.

Relatorja Faskaj pohoi se në emër të nënës së gjyqtares Guri rezulton që të ketë pasur 4 milionë lekë gjendje në depozitën e saj në Raiffeisen Bank deri në vitin 2014. Ajo shtoi se nuk dihet dhe se nuk ka të dhëna se sa mund të kenë qenë interesat për vitet 1996-2007, kur është ndërtuar banesa në Velipojë.

Gjyqtarja Guri pohoi para Komisionit se e kishte pasqyruar në deklaratën veting banesën në Pulaj të Velipojës për efekt përdorimi. Ajo tha se kjo ndërtesë nuk duhej të merrej në shqyrtim pasi ishte ndërtuar prej nënës së saj dhe se ajo e përdorte vetëm disa javë në vit.

Guri pohoi se nëna e saj kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për krijimin e kësaj pasurie, pasi kishte pasur të depozituara në bankë në vitin 2001 vlerën 5 milionë lekë dhe në vitin 2005 shumën 4.8 milionë lekë.

Pagesa e spitalit në SHBA

Nga analiza financiare e kryer, Komisioni ka konkluduar se bashkëshortët Guri nuk kanë pasur mundësi financiare për krijimin e pasurive, por kandidatja për në Gjykatën Kushtetuese e konsideroi të pasaktë analizën për vitet 2009 dhe 2015.

Tjetër gjetje e Komisionit ka qenë edhe udhëtimi dhe qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, i gjyqtares Anila Guri gjatë periudhës 26 maj-8 korrik 2006. Faksaj tha se lidhur me këtë udhëtim në SHBA, gjyqtarja ka shpjeguar se ajo kishte shkuar atje për të lindur djalin e saj.

“Ajo ka deklaruar se nuk ka pasur shpenzime veç rrugës, pasi në SHBA ka qëndruar tek të afërmit e bashkëshortit”, pohoi relatorja Faskaj e cila theksoi se nuk ka dokumentacion nga spitali lidhur me lindjen e fëmijës apo kostot e këtij shërbimi.

Lidhur me këtë gjetje të KPK, gjyqtarja Guri tha se nuk kishte informacion të saktë se sa mund të ishin shpenzimet e spitalit. Ndërkohë, ajo kundërshtoi përllogaritjen e shpenzimeve të jetesës në vlerën 20 dollarë në ditë gjatë qëndrimit në SHBA, duke u shprehur se kishte qëndruar tek familja e xhaxhait të bashkëshortit dhe e konsideroi të palogjikshme përllogaritjen e këtyre shpenzimeve.

“Për shpenzimet spitalore…, s’kam pasur. Kam shkuar me teserën e të afërmve. Ata e kishin për kënaqësi. Tani të afërmit e bashkëshortit janë kthyer. Ndërkohë kam kontaktuar nëpërmjet email-it dhe fax-it me spitalin, por s’më kanë kthyer përgjigje”, tha gjyqtarja Guri.

Pas pyetjeve të kryesuesit të seancës Lulzim Hamitaj dhe relatores Alma Faskaj, se a kishte informacion nëse ishte kryer pagesa e spitalit në SHBA ose jo, gjyqtarja Anila Guri pohoi se nuk kishte informacion lidhur me këtë gjë, pasi më parë nuk i kishte interesuar dhe nuk kishte pyetur. Më pas ajo tha se dinte që ata kishin paguar një pjesë. “I kam pyetur më kanë thënë se nuk i mbajnë mend, pasi ata janë edhe të moshuar”, shpjegoi gjyqtarja Guri.

Ndërkohë, lidhur me kriterin e profesionalizimit, relatorja Faksaj pohoi se ndaj gjyqtares Anila Guri janë depozituar 11 denoncime, në 9 prej të cilave nuk janë kosntatuar rrethana e fakte që mund të konsideroheshin si prova. Ndërsa në dy raste, Komisioni konstaton se mund të jenë shkaktuar zvarritje në gjykim.

Gjyqtarja Anila Guri ka marrë vlerësim pozitiv për kriterin e pastërtisë së figurës. Sipas raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, por edhe prej hetimit administrativ të KPK-së, nuk janë konstatuar kontakte të saj me persona me lidhje me krimin e organizuar.

Në fund të seancës, gjyqtarja Anila Guri deklaroi se kishte provuar që pasuria e saj ishte krijuar me burime të ligjshme, si para ashtu edhe pas martesës. “Punën time e kam bërë shumë mirë. Disa gjëra duhej t’i kishim bërë më mirë. Ky proces mund të na ndihmojë për të na përmirësuar”, përfundoi gjyqtarja Guri. KPK do të shpallë vendimin më datë 19 korrik, ora 09:30. /BIRN.