Nga Boldnews.al
Tashmë është shndërruar në “rutinë” që vendimet e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani dhe Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, të karakterizohen nga shkeljet e rënda proceduriale.
“Boldnews.al” ka raportuar më parë se si Gjykata e Strasburgut ka konstatuar neglizhenca të mëdha të gjyqtarit Dvorani, si edhe vonesa të pajustifikuara në nisjen e procesit të njohur si ‘Kompleksi Jon”. Dëmi i shkaktuar nga mos-veprimet e Dvoranit i kushtuan taksapaguesve shqiptare plot 13 milionë euro.
Nga ana tjetër, Arta Marku, në rreth 20 muaj në krye të institucionit të Akuzës, është rrëzuar 4 herë nga Gjykata Administrative, e cila ia ka konsideruar ‘absolutisht të pavlefshme” vendimet e saj arbitrare për transferimin e disa prokurorëve.
Pavarësisht këtyre dështimeve, të dy bashkë, duket se nuk kanë reflektuar aspak. Ardian Dvorani dhe Arta Marku ishin të dy pjesë e rëndësishme e trupës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), të cilët vendosën ndalimin e kandidimit të aplikantit Vasil Bendo për një post në Gjykatën Kushtetuese.
Por ky vendim i tyre, si edhe i tre kolegëve të KED-së, është konsideruar në “shkelje të rëndë proceduriale”.
Trupa e Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë, e cila shqyrtoi padinë e Bendos kundër vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ka folur “pa dorashka”, kryesisht kundër relatorit Dvorani, por edhe pjesës tjetër të kolegëve të tij, ku e renditur e dyta në vendimin e përjashtimit të Vasil Bendos është Arta Marku.
Përjashtimi i Bendos
Trupa e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, e përbërë nga Ardian Dvorani, relator, si edhe nga Arta Marku e tre të tjerë anëtarë, me vendimin nr. 36, dt. 14.05.2019, ka vendosur “Ndalimin e kandidimit të Vasil Bendo për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese”.
Në bazë të këtij vendimi, rezulton se Bendo ka aplikuar për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur në Gusht 2018. Në përmbushje të detyrimeve përkatëse, aplikanti Bendo, ashtu si edhe të tjerët, është pajisur me formularët e deklarimit të pasurisë.
Sipas përcaktimeve ligjore, kandidatët duhet të dorëzonin formularët pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI) brenda 15 ditëve nga e nesërmja e marrjes në dorëzim të tyre nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Nga akti i KED-së, rezulton se aplikanti Bendo i ka marrë në dorëzim formularët e pasurisë në 9 Prill 2019 dhe afati 15-ditor niste një ditë më pas, në 10 Prill.
Sipas përllogaritjeve të kryera nga KED, aplikanti Bendo duhet të dorëzonte formularët deri në datën 3 Maj 2019.
Në këtë datë, KED informohet nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive se Vasil Bendo nuk ka dorëzuar formularët e pasurisë. KED komunikon nëpërmjet postës elektronike me aplikantin, ku e njofton se ai ka shkelur afatin ligjor 15-ditor për dorëzimin e dokumentit deklaratës pasurie.
Ankimi
Aplikanti Bendo, pasi ka marrë këtë njoftim, ka reaguar, duke informuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi se kanë bërë gabim llogaritë ditore dhe se afati ligjor përfundon në 6 Maj, ditë kur ai rezulton se e ka dorëzuar formularin e pasurisë.
Në argumentat e tij, Bendo shtjellon se llogaritja e afatit ligjor, sipas Kodit të Procedurave Civile, përfshin “ditët e punës” dhe jo “ditët kalendarike”, pra, nuk llogariten si afat ditët e pushimeve javore (e shtunë/e dielë).
Gjithashtu, Bendo informon KED-në se, përgjatë periudhës së afatit të tij ligjor, ka pasur edhe tre festa zyrtare (Pashkët Ortodokse, Pashkët Katolike dhe 1 Maji), e, për këtë arsye, edhe këto tre ditë nuk duhen llogaritur në afatin ligjor.
Por, pavarësisht argumentave elementarë të paraqitur nga aplikanti, KED rezulton se nuk i ka marrë në konsideratë. Dhe, me vendimin e datës 14 Maj 2019, trupa e KED, e drejtuar nga Ardian Dvorani, shpall ndalimin e kandidimit të Vasil Bendos për një pozicion në Gjykatën Kushtetuese.
Pas kësaj mungese reflektimi, aplikanti kërkon të drejtën e tij në Gjykatën e Apelit Administrativ.
“Shkelje flagrante” nga KED
Në datë 31 Maj 2019, Gjykata e Apelit Administrativ vendos “rrëzimin e padisë së Vasil Bendos” për shkak se ajo nuk është kompetente për shqyrtimin e këtyre rasteve (kompetenca për “rivendosjen në afat”, sipas vendimit, i takon gjykatës së rrethit).
Megjithatë, në vendimin e saj, Gjykata e Apelit Administrativ konstaton shkelje të rënda proceduriale në vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Kështu, në argumentat e saj, Gjykata e Apelit Administrativ Tiranë konstaton se: “Shkaku i vetëm që përligj vënien në diskutim gjyqësisht të vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për ndalimin e kandidimit për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese, ka të bëjë me shkeljet e rënda proceduriale në nxjerrjen e këtij akti”.
Duke iu referuar situatës faktive, për Gjykatën e Apelit Administrativ Tiranë, rezulton se: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka reflektuar asnjë shkelje proceduriale, aq më pak të rëndë, gjatë procesit të verifikimit të deklarimeve të kandidatit Vasil Bendo”.
Në vijim të vendimit të saj, Gjykata e Apelit Administrativ, shprehet: “…Mbi bazën e situatës ligjore dhe faktike, të konstatuar gjatë gjykimit, i vlerëson të përligjura pretendimet e ngritura në padi, lidhur me kërkimet: “Shfuqizimin e vendimit të KED për ndalimin e kandidimit” dhe “Lejimin dhe vijimin e procedurave të kandidimit të kandidatit Vasil Bendo”.
Por, duke qenë se kjo gjykatë nuk është kompetente për dhënien e vendimit për këto raste, ka rrëzuar padinë dhe ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkimit të paditësit për rivendosjen në afat. Pavarësisht rrëzimit të padisë për shkaqe kompetence, fakti mbetet i tillë që Gjykata Administrative e Apelit ka konstatuar shkelje të rënda proceduriale në vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nr. 36, dt.14.05.2019.