KLP “rrëzon” Arta Markun, rikthen te Krimet e Rënda prokurorët Hajdarmataj e Çela

Nga Boldnews.al

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur, me një shumicë të brishtë votash, rikthimin tek Krimet e Rënda të dy prokurorëve, Besim Hajdarmataj e Olsian Çela, të transferuar në mënyrë të paligjshme nga Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, përkatësisht në Pogradec dhe Berat.

Në mbledhjen e zhvilluar paraditen e së Hënës, 6 anëtarë të KLP kanë votuar në favor të kërkesës së prokurorëve Hajdarmataj e Çela për t’u rikthyer në pozicionet e tyre pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, ndërkohë që 5 të tjerë kanë votuar kundër.

Çështja e transferimit të dy prokurorëve ka qenë pika më e debatuar në mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në përfundim, votat kanë qenë në favor të prokurorëve të transferuar.

Votimi është ndarë në këtë mënyrë: Pro dy prokurorëve kanë votuar anëtarët Antoneta Sevdari, Arben Dollapaj, Gentian Osmani, Bujar Sheshi Kosta Beluri dhe Sandër Beci. Kundër rikthimit të dy prokurorëve kanë votuar kryetari Gent Ibrahimi, Besnik Cani, Tartar Bazaj, Nurihan Seiti dhe Alfred Balla.

LEXO EDHE  Durrës, frika nga tërmetet vazhdon, qytetarët qëndrojnë..../FOTO+VIDEO

Prokurorët Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çela u transferuan me urdhër të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, pas një debati procedurial dhe ligjor që ata të dy, si edhe prokurorë të tjerë, zhvilluan me drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prela, lidhur me përfaqësimin në procesin gjyqësor kundër Emiljano Shullazit e miqve të tij.

Hajdarmataj dhe Çela e ankimuan vendimin e transferimit në Gjykatën Administrative, e cila, në dy procese të ndryshme, vlerësoi se urdhërat e Arta Markut ishin tërësisht të paligjshëm.

Pas vendimit të gjykatës administrative, dy prokurorët e transferuar kërkuan rikthimin në pozicionet e mëparshme, nëpërmjet kërkesave drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky Këshill, pasi shtyu për tre seanca vendimmarrjen, më në fund vendosi që Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çela të rikthehen në funksionin e prokurorit pranë Krimeve të Rënda.