Strasburgu/ Ardian Dvorani, gjyqtari pa mandat që ju kushtoi shqiptarëve 13 milion euro

Nga Boldnews.al

Anëtari i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka shënuar një rast “sui generis” në praktikën e Gjykatës së Strasburgut, për shkak të neglizhencës së tij në shqyrtimin e një çështjeje konkrete.

Në procesin “Sharxhi etj kundër Shqipërisë”, Gjykata e Strasburgut deklaron se, për herë të parë në praktikën e saj shumë-vjeçare, ka pranuar të shqyrtojë një çështje, para se rasti të përfundonte në gjykatat vendase.

Dvorani relator

Në Janar 2015, 19 pronarë të kompleksit rezidencial “Jon” në Vlorë ushtrojnë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me vlerën e kompensimit të prishjes së pronës së tyre, në zbatim të projektit “Lungomare”.

Gjykata e nivelit më të ulët kishin caktuar rreth 3 milionë euro, si vlerë dëmshpërblimi për banorët që kishin pronat në kompleksin “Jon”, i cili u rrëzua me eksploziv nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUV) në datat 4-8 Dhjetor 2013.

Banorët e dëmtuar nuk ishin dakord me vlerën e përcaktuar nga gjykata, duke kërkuar që Gjykata e Lartë të vendoste një shumë më të lartë, sipas përllogaritjeve të tyre.

Gjyqtari Ardian Dvorani caktohet me short si relator për shqyrtimin e rekursit në Gjykatën e Lartë. Menjëherë pas dorëzimit të Rekursit, Këshilli i Ministrave, i cili ishte palë e paditur në këtë proces, kërkon pezullimin e të gjithë procedurave, përfshirë shqyrtimin në themel të rastit dhe vlerën e kompensimit, të caktuar nga Gjykata e Apelit me vendin të formës së prerë.

Në 15 Janar 2015, Gjykata e Lartë e pranon kërkesën për pezullim, ndërkohë që në “dosjen e çështjes nuk ka asnjë informacion se për çfarë arsyesh Këshilli i Ministrave apeloi kundër vendimit të gjykatave më të ulta dhe kërkoi një pezullim të vendimi”, konstaton kohë më vonë Gjykata e Strasburgut.

Pas këtij pezullimi, gjyqtari relator Ardian Dvorani nuk ka kryer asnjë veprim tjetër me këtë dosje. Madje, edhe në momentin e publikimit të këtij shkrimi, rekursi i familjarëve të kompleksit “Jon” për një dëmshpërblim më të drejtë vijon të jetë në fazën e “studimit”.

Pasi banorët e dëmtuar të kompleksit rezidencial pritën më kot për rreth një vit që Gjykata e Lartë të niste shqyrtimin e rekursit të tyre, ata iu drejtuan me një padi Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (Gjykatës së Strasburgut), në janar 2016. Çështja u regjistruar me emrin “Sharxhi etj, kundër Shqipërisë”.

“Sjella e Gjykatës së Lartë, e pazakontë”

Gjatë shqyrtimit të rastit në Gjykatën e Strasburgut, përfaqësuesit e Shtetit Shqiptar e ngritën kazusin e tyre në faktin se kërkesa e paditësve nuk duhej pranuar, për faktin se nuk ishin ezauruar gjykatat e brendshme.

Në argumentin e saj, Qeveria Shqiptare i referohej faktit që Gjykata e Lartë nuk e kishte shqyrtuan padinë e banorëve të dëmtuar, për shkak se relatori Dvorani kishte sugjeruar pezullimin e çështjes dhe ndërkohë ai ishte në “fazën e studimit” të rastit.

Gjykata e Strasburgu i rrëzoi këto pretendime të Qeverisë. Gjyqtarët ndërkombëtarë konstatuan se: “Ka  lindur  një  situatë  e  pazakontë  dhe  për këtë  arsye  kërkuesit  kanë  paraqitur  kërkesa  për kompensim  të  drejtë  përpara  Gjykatës,  sipas  nenit 41  të  Konventës,  edhe  pse  kërkesat janë pezull përpara gjykatave vendëse”.

Gjykata e Strasburgut argumenton më tej se: “Çështja në fjalë nuk përkon me standardin e zakonshëm. Gjykata ka konstatuar se mjetet që kanë pasur në dispozicion ankuesit nuk  janë efikase”.

Në këtë mënyrë, Gjykata e Strasburgut e mori çështjen në shqyrtim, duke ngritur në mënyrë indirekte një kazus kundër gjyqtarit-relator, Ardian Dvorani, i cili haptazi nuk ka vepruar në rastin konkret.

Në përfundim të procesit, Gjykata e Strasburgut u dha të drejtë paditësve, duke e rritur vlerën e kompensimit financiar nga 3 në 13 milionë euro. Gjykata e Strasburgut shqyrtoi rastin dhe mori vendimin në Janar 2018, ndërkohë që në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, çështja vijon të jetë në fazë “studimi”.

Ka ndodhur pikërisht ajo që Gjykata e Strasburgut e ka shkruar në vendimin e saj: “Edhe  nëse  ankesa  në Gjykatën e  Lartë do të rezultonte të kishte  sukses, vendimi  ishte  i  destinuar  të  mos  zbatohej,  duke qenë  se  qeveria  qartazi  nuk  kishte  treguar  asnjë qëllim për të respektuar vendimet e brendshme ose qoftë edhe vendimet e saj”.

Gjykata e Strasburgut nuk e shpreh, por logjika që shoqëron vendimin krijon bindjen se gjyqtarët ndërkombëtarë kanë konstatuar vullnet të njëjtë mes qeverisë, e cila nuk ka treguar vullnet për dëmshpërblim dhe gjyqtarit Dvorani, i cili ka pezulluar të gjithë procedimet për dëmshpërblimet.

LEXO EDHE  S'ka pakt PD-PS/ Aleatët "ultimatum" Bashës: Respekto marrëveshjen me...

Dvorani “qeveritar”?

Goditja indirekte e Gjykatës së Strasburgut ndaj Dvoranit për qëndrime të njëjta me qeverinë, i jep më shumë argumenta personazheve publikë në Shqipëri, të cilët janë të bindur se gjyqtari i Lartë vepron në funksion të Partisë Socialiste në pushtet.

Opozita e djathtë e ka përmendur shpesh faktin se Ardian Dvorani është “vegël” e kryeministrit Edi Rama dhe partisë së tij. Ai është në detyrë që prej vitit 2005, i zgjedhur nga maxhoranca socialiste parlamentare në atë kohë. Mandati i tij 9-vjeçar ka përfunduar para 5 vitesh, por ai vijon të jetë në detyrë pasi “nuk është zgjedhur ende pasaardhësi i tij”.

Edhe për këtë zgjatje të pajustifikuar, opozita e djathtë ngre dyshimin se është rezultat i lidhjeve politike me Partinë Socialiste në maxhorancë.

Dvorani nuk i është përgjigjur asnjëherë publikisht këtyre akuzave me sfond politik.

Megjithatë, disa vendimmarrje të tij në vitet e fundit, përfshirë edhe atë për pezullimin dhe mos-zhvillimin e procesit për rezidentët e kompleksit “Jon” shkojnë në favor të qeverisë.

Vetingu i dyshimtë i Dvoranit

Nën dyshimin për raporte të ngushta me qeverinë u shoqërua edhe procesi i rivlerësimit (Vetingut) të gjyqtarit Ardian Dvorani. Për shumë ekspertë të pavarur dhe juristë, institucionet e pavarura të Vetingut, në fakt janë nën kontrollin e qeverisë, nëpërmjet komisionerëve të zgjedhur prej saj.

Në 25 Korrik 2018, Dvorani u konfirmua në detyrë, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e vlerësoi pozitivisht në tre kriteret; pasurinë, integritetin personal dhe aftësitë profesionale.

KPK dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, një trupë juristësh ndërkombëtarë që aksesojnë procesin e Vetingut në Shqipëri, toleruan disa probleme serioze me pasurinë e Dvoranit.

Gjyqtari i Lartë nuk kishte deklaruar në formularin e Vetingut likuiditete në vlerë 9.8 milionë lekë të reja (rreth 100 mijë USD). Komisioni i Vetingut argumentoi se Dvorani nuk ka pasur qëllim fshehjen e kësaj shume, por ka qenë një lapsus në deklarim dhe se burimi i parave ishte i ligjshëm.

Ndërkohë, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Strasburgut për rastin “Sharxhi etj. kundër Shqipërisë”, rezulton se KPK dhe vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë toleruar gjyqtarin Dvorani edhe në kriterin e aftësive profesionale.

Në vendimin e konfirmimit në detyrë, KPK konstaton se gjyqtari Ardian Dvorani “Ka arritur nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale”. Ky konstatim bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila e mori në dorë çështjen e rezidentëve të kompleksit “Jon”, pikërisht, për shkak të mos-veprimit të gjyqtarit Dvorani.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut “Sharxhi, etj. kundër Shqipërisë” është dhënë në Janar 2018 dhe ka marrë formë në prerë në Maj 2018, periudhë kohore në të cilën gjyqtari Dvorani ishte nën verifikim nga Komisioni i Vetingut.

Ky vendim mori një hapësirë të gjerë mediatike në momentin kur u shpall. Por, megjithëse përbënte një rast “sui generis” në praktikën e Gjykatës së Strasburgut, ky vendim nuk është përfshirë në “radarin” verifikues të Komisionit të Vetingut që po kryente rivlerësimin e gjyqtarit Ardian Dvorani.

Në një rast shumë më minor, krahasuar me konstatimet e Gjykatës së Strasburgut, Komisioni i Vetingut ka kryer verifikime të plota për sjelljen e gjyqtarit Ardian Dvorani.

Komisioni i Vetingut u investua plotësisht për të verifikuar një situatë të dyshuar konflikti interesi ndërmjet gjyqtarit Dvorani dhe një pale në një proces që ishte ndjekur përkohësisht prej tij.

Media të ndryshme publikuan pamje të një takimi miqësor ndërmjet Ardian Dvoranit dhe Ben Blushit, drejtor i televizionit kryesor privat në Shqipëri, “Top Channel”.

Ky takim ngriti dyshime se Blushi po ndërhynte tek miku i tij, Dvorani, për të zgjidhur në favor të televizionit një padi pronësie, dorëzuar nga dy aksionerë të shumicës kundër administratores dhe ortakes Vjollca Hoxha.

Në 2 korrik 2018, Komisioni i Vetingut mori përgjigje nga Ardian Dvorani dhe arriti në konkluzionin se nuk ekzistonte situata e konfliktit të interesave.

Pas konfirmimit në detyrë, Ardian Dvorani u zgjodh edhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Ky institucion aktualisht po shqyrton kandidaturat për emërimin e 9 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, e cila është paralizuar plotësisht.

Gjithashtu KED është në fazën e verifikimit të kandidaturave për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, një strukturë e re, e cila ka si objekt inspektimet periodike të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.