Kur Ramën e “zë” deti bën ndryshime drejtorësh

Nga Boldnews.al

Për të kuptuar sesi jetojnë qytetarët, çfarë hallesh kanë dhe cilët janë shqetësimet e tyre kryesore, kryeministri ynë e ka pasur si traditë që një herë në kohë, merrte një taksi të “rastësishme” gjatë natës dhe fillonte bisedën me taksixhiun. Çfarë shqetësimesh ngrinte ai, kryeministri shprehej se i adresonte në mbledhjet e qeverisë. Por edhe këtë traditë, komplet propagandistike, e ka ndryshuar.

Tashmë ai ka kaluar në një tjetër vëzhgim. Shkon disa ditë me pushime, kryesisht në Jug të vendit dhe i futet me “themel” gjetjeve personale. Më pas bën një mbledhje të fuqishme, që “trondit themelet e shtetit”, duke kritikuar kryesisht një pjesë të administratës dhe dhënë përbetime se do marrë masa të ashpra ndaj tyre.

Këtë herë e ka kapur me drejtuesit e Tatim-Taksave, që sipas tij nuk po e bëjnë detyrën sipas udhëzimeve të udhëheqjes. Këtë e pësoi Elton Duro, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, i cili qëndroi në këtë detyrë vetëm tre muaj dhe gjatë ditës së djeshme është zëvendësuar nga Delina Ibrahimaj, e cila më parë ka qenë në krye të INSTAT. Asgjë në thelb, ndryshime emrash, por jo formë qeverisje. Propagandë, që ngjan më shumë me një turbullirë që i erdhi nga deti dhe u shfry mbi tatime. Sigurisht këta të fundit kurrë nuk kanë shkëlqyer, por janë vetëm një shtojcë e majës së piramidës, që lidhet me qeverisjen e vendit.

Gjithashtu kryeministri Rama pati edhe një sugjerim në formë shantazhi për bizneset, kryesisht në fushën e turizmit. “E mbyll me një apel për bizneset: kemi zgjedhur prej më shumë se gjashtë muajsh një qasje këshilluese, informuese, edukuese, duke mos preferuar të shkojmë te hapi i fundit pa bërë hapat e tjerë. Masa që legjislacioni parashikon për çdo biznes që nuk punon rregullisht me faturat përkatëse janë të atilla që nuk ja vlen aventura e moslëshimit të faturës. Të mbyllet lokali apo njësi tregtare, nëse nuk lëshon kupon, për një periudhë që sjell një dëm të madh. Mos e sprovoni administratën dhe mos e sprovoni shtetin, sepse nuk do të tolerohet askush”, tha Rama.

Mund të bëhen shembull nja dy biznese, kur në lokalet e tyre do vijnë ca Rilindas nga Tatimet, (ata tipat që Rama i ka fort qejf, që mbajnë një çantë lëkure me rrip të hollë), ku edhe këtu skenari është po aq i vjetër, ku dy “inspektorë të tmerrshëm” që të tregojnë ligjin shkruajnë shifrën e gjobës, ndërsa tre të tjerë filmojnë.

LEXO EDHE  FOTO/ Përplasen dy makina, përfundojnë brenda karburantit

Është në vitin e gjashtë në krye të qeverisë, duke siguruar një “Republikë Kryeministrore”, por ende vijon të përdorë të njëjtin fjalor, të njëtat gjoja kërcënime e mbi të gjithë një formë unike të propagandës, për të lënë përshtypjen se po bën shtet. Për një javë a më pak pushime në Jug, kreu i qeverisë kthehet në një “spiun” të vogël, që sheh nëse priten faturat tatimore, nëse plazhet pastrohen, nëse i sheh syri ndonjë ndërtim që nuk shkon në shijet e tij, e mbi të gjitha a po i paguajnë apo jo taksat pronarët e lokaleve.

Për të nuk ka rëndësi se kush janë sektorët e ekonomisë që duhen zhvilluar, cilat do jenë projektet që do shtojnë punësimin, të bëhen studime dhe dikutime mirëfilltas me karater ekonomik, në shëndetësi, arsim apo rend. Për të ka rëndësi vetëm perceptimi, edhe pse shifrat e rritjes ekonomike po kapin një nga nivelet më të ulëta historike të viteve të fundit.
Kryeministri flet për turizëm, të jep statistika për numrin e tyre, vendas dhe të huaj, por nuk e di dhe nuk do tia dijë për shifrën: sa është numri i shqiptarëve që jetojnë nën minimumin jetik? Sa është numri i të rinjve që janë detyruar të emigrojnë për shkak të kushteve ekonomike?

Për të vlen propaganda. Hedh një video sesi ai lahet e kridhet në det, shfrytëzon edhe botën fëminore, komplet të padjallëzuar të djalit të tij të vogël Zahos. Në fund, pasi është nginjur nga kripa e detit, ushimi i përzgjedhur (që edhe atë nuk e di sa ia kanë kushtuar në fatura), pasi gjithnjë gjendet një zyrtar lokal, apo një biznesmen që e fut dorën në xhep për të, kujtohet të bëje “shtet”.

Një dalje publike, disa sugjerime, ca kërcënime, ndonjë lëvizje drejtorësh sipas oreksit të tij dhe në fund rëndësi ka që qytetarët të merren me veshjen e tij, a është nxirë apo jo mjaftueshëm dhe kush do jetë batuta e radhës! Që edhe këtu nuk po qëllon më dhe nuk ofron diçka personale, pasi prej kohësh citon filozofë, politikanë të mëdhenj, gjeneralë apo edhe gjyshen e ndjerë të tij!