30 qershori mund të jetë funerali i tranzicionit ose i demokracisë

Ndryshe nga çfarë propagandon qeveria dhe njerëzit e saj, rezultati i zgjedhjeve të 30 qershorit na ofron një pamje të qartë të vullnetit të popullit për ta ndëshkuar qeverinë me turp. Megjithëse aktorë të brendshëm dhe të jashtëm u munduan të fajësojnë opozitën për krizën, populli tregoi qartë se për të problemi është qeveria. Rezultatet e zgjedhjeve shënojnë pikën më të ulët të mbështetjes elektorale që Partia Socialiste ka pasur ndonjëherë në këto 30 vjet.

Ndryshe nga çfarë thonë ndërkombëtarët, duket se populli e ka mirëpritur lënien e mandateve, duke e bërë opozitën të fitojë reputacion dhe besueshmëri. Kjo është parë me shtimin e madh të numrit të protestuesve pas këtij vendimi, dhe u vërtetua në bojkotin ndaj votimeve.

Ky është një mesazh që duhet lexuar. Pra, populli tregoi se nuk i dëgjon as ndërkombëtarët, ndërsa nuk i shikon institucionet si përfaqësuese, por si të kapura nga një njeri, që po e kthen vendin në një feud personal.

Ndërkombëtarët kërkojnë që politika të bëhet në sistem, por për popullin, vetë sistemi e ka humbur legjitimitetin, pasi është tashmë i kapur tërësisht prej kryeministrit. Që opozita t’i kthehet sistemit dhe që vullneti i popullit të lexohet, duhet, pikë së pari, të kemi një sistem që nuk është i kapur.

Vendimi për të lënë mandatet është, sigurisht, një vendim i guximshëm. Mund të hajë debat nëse ky ishte apo jo vendimi i duhur për opozitën. Sidoqoftë, me apo pa vetëdije, ky vendim i ka bërë tashmë vendit një shërbim të madh. Ai po krijon kushtet për t’i dhënë fund një agonie 30-vjeçare të një demokracie të kalbur e të pushtuar nga një grusht njerëzish.

Ky vendim i dha fund demokracisë vetëm në dukje, që funksionon vetëm formalisht, ndërsa në thelb pushteti është në shërbim të orekseve korruptive, të cilat mbesin gjithmonë të pandëshkuara. Duke dalë nga sistemi, opozita i këputi atij një prej fijeve më të rëndësishme ku mbahej dhe e lëshoi tatëpjetë. Me apo pa vetëdije, opozita na dha shansin për të shkuar në një farë pike zero, si një mundësi për t’i detyruar palët për një fillim të ri.

Për këtë ka jo pak meritë edhe vetë Edi Rama. Epshi i tij i papërmbajtur për pushtet, pangopësia dhe paaftësia për ta ndarë pushtetin me të tjerët, e përshpejtoi fermentimin e sistemit.

Duke asgjësuar pavarësinë e pushteteve, duke monopolizuar hapësirën publike – që nga mediat, bizneset dhe shoqëria civile e deri te krimi i organizuar, – duke e çuar në nivele të frikshme makutërinë e korrupsionit në skema vjedhjesh të padëgjuara ndonjëherë si PPP-të dhe, sidomos, duke shpikur një skemë të blerjes së votës në bashkëpunim me krimin e organizuar, Rama e shpuri opozitën drejt një zgjedhjeje të detyruar.

LEXO EDHE  30 qershori nul, dekreti i Metës në fuqi/ Ish-deputeti: Opozita jo e përçarë, zgjidhja e krizës...

Kjo rrugë e pakthyeshme bojkoti e ka shkërmoqur tashmë aspektin e dukjes së këtij pushteti. Ajo e ka nxjerrë pushtetin lakuriq, dhe ka shfaqur objektin drejt të cilit mund të kërkohen zgjidhjet dhe rrugët përkatëse.

Natyrisht, institucionet shqiptare kanë qenë gjithmonë të korruptuara dhe jofunksionale, por politika, ndonëse tepër e ndotur, ka qenë deri diku e arsyeshme dhe ka toleruar rrjedhje të pushtetit edhe te kundërshtari. Për tri dekada, kjo ka mundësuar funksionimin e rotacionit, qoftë edhe si një mënyrë për shfryrje të tensioneve.

Ardhja e Edi Ramës e ka thyer këtë rregull. Ai ka arritur të shtjerë në dorë gjithçka, duke e çimentuar pushtetin e tij edhe nëpërmjet kontrollit absolut mbi zgjedhjet. Falë vetë Edi Ramës, sot jemi në një situatë ku sistemi ka ngecur në cektinë, gjë që mund të shërbejë si një moment reflektimi për t’ia nisur nga e para.

Për të dalë nga kjo krizë, ka nevojë doemos për një marrëveshje të madhe. Jo për një dakordësim, si një litar që na nxjerr nga pusi, por për një kontratë të re që rithemelon rregullat e lojës. Thelbi është ta shpëtojmë sistemin nga kapja dhe ta çlirojmë vendin nga rrëshqitja në autokraci. Zgjidhja nuk duhet të kërkojë vetëm një rrugë që opozita të rihyjë në sistem, por një rrugë që sistemi të ribëhet për të garantuar opozitën.

Natyrisht, e gjithë kjo kërkon një garanci të fortë ndërkombëtare, por fillimisht ndërkombëtarët duhet të jenë të vetëdijshëm se deri më sot ata kanë kontribuar në formimin e këtij sistemi. Me bekimin dhe këmbënguljen e tyre janë bërë të gjitha ligjet, reformat, marrëveshjet, institucionet, e gjithçka tjetër që ka funksionuar keq në këta 30 vjet.

Mbi këtë reflektim mund të ndërtohet një qasje e re, e cila nuk sakrifikon më demokracinë për hir të stabilitetit, – gjë që na ka sjellë një realitet ku nuk ka as demokraci as stabilitet, – por një qasje që krijon kushtet për rritjen e nivelit të përfaqësimit të qytetarit në politikë.

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin goditja finale për ta çuar këtë tranzicion në një pikë të vdekur. Prej këndej, demokracia shqiptare ose do të varroset plotësisht, ose do të gjejë rrugë drejt një ringritjeje të re. Kjo do të thotë se, nëse gjërat do të ndryshojnë dhe situata do të shkojë drejt një zgjidhjeje të tillë, këto zgjedhje do të jenë funerali i tranzicionit shqiptar dhe një premisë e mirë për një fillim të ri. Përndryshe, ato mund të bëhen funerali i demokracisë dhe një ogur i keq për të ardhmen e vendit.

/exit.al