Greqia po zhvillon prej mëngjesit të sotëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Greqi, pasi për herë të parë do të garojnë edhe shqiptarët për të përfaqësuar bashkëkombasit e tyre në Parlamentin helen.
Në garë janë dy emigrantë shqiptarë, përkatësisht Fatos Malaj dhe Eda Gemi, të cilët jetojnë në vendin fqinj prej vitesh.
Të dy kandidatët shqiptarë garojnë në kryeqytetin grek, Athinë. Malaj ka avantazhin të jetë kandidat në zonën A të Athinës, e mbipopulluar historikisht nga emigrantët shqiptarë, ndërsa Eda Gemi në zonën perëndimore të kryeqytetit grek.
Gemi ishte gjithashtu kandidate në zgjedhjet europiane për eurodeputete, por nuk ja doli.
Ndërkohë, në këto zgjedhje parlamentare në Greqi kanë të drejtë vote mbi 150 000 emigrantë shqiptarë dhe minoritarë grekë, që kanë marrë nënshtetësinë, ndaj dhe nuk përjashtohet mundësia që dy kandidatët shqiptarë të marrin mandat për t’u futur në Parlamentin grek.













