Ylli Shahini është pronari i një restorant të vogël në qytetin e Çorovodës. Biznesi i tij familjar është zhvilluar vitet e fundit. Mishi me nam i zonës – pak rëndësi ka qengj apo kec, që është në qendër të menusë dhe gatimet e tjera tradicionale , kërkohen prej vizitorëve dhe të apasionuarve pas turizmit malor dhe sportet e aventurës.
Por pavarësisht se biznesi po lulëzon për shkak të turizmit, për Shahinin kohët e fundit është bërë problem sigurimi i mishit. Në qytet nuk ka asnjë dyqan mishi, ndërkohë që blegtorët e zonës hasin tani vështirësi në therjen e gjësë së gjallë.
“Mishi sigurohet me porosi, kontakton vetë blegtorët, ata e therin ku të munden dhe ma sjellin në lokal, pasi nuk ka asnjë mundësi tjetër për të blerë mish dhe nëse nuk e siguroj në restorant nuk mund të punoj qoftë dhe një ditë”, tha Shahini për BIRN.
Prej dy vitesh Shahini dhe të tjera restorante në Skrapar e sigurojnë mishin në këtë mënyrë. Megjithatë, kjo e ka bërë të pasigurt biznesin e tyre dhe sipas tij po cënon edhe emrin e mirë të mishit të zonës.
“Është njësoj si rakia e Skraparit, apo djathi, që të gjithë në treg e kërkojnë me këtë markë, sepse është e tillë për shkak të cilësisë dhe sigurisë që ofrohet. Por, si mund të ketë siguri një produkt për të cilin sot duhet ta kërkosh me porosi, me telefon, nëpër blegtor, pasi as ata nuk kanë se ku ta therin, as ne nuk kemi se ku ta blejmë”, u shpreh Ylli.
Prej dy vjetësh e gjitha krahina e Skraparit është pa një thertore të licencuar. Thertoret e zonës u mbyllën nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), si pjesë e një fushate të qeverisë për të disiplinuar tregtimi e mishit. Kryeministri Edi Rama premtoi në nëntor 2017 se “siguria ushqimore (ishte) prioritet kyç i mandatit të ri”. Rama pretendoi atëherë se mbyllja e thertoreve të pasigurta do të hapte punësim dhe krijonte mundësitë për eksport të mishit.
Por mbyllja e thertoreve ka nxjerrë prej dy vitesh në ‘ilegalitet’ tregtarët e mishit në zonën e Skraparit, ndërsa e vetmja thertore e licencuar ndodhet në Berat.
Siguria e mishit
Bizneset e fushës së shërbimeve në Skrapar dhe në Njësinë Administrative Bogovë në Berat, janë të lidhura ngushtësisht me turizmin kulinar dhe atë të aventurës, i cili po njeh rritje vitet e fundit. Megjithë shtimin e numrit të klientëve mungesën e kontrollit të produktit bazë të menusë e pranojnë të gjithë.
Një drejtues biznesi, në Bogovë, që nuk pranoi të identifikohet i tha BIRN se fakti që mishi theret ku të mundet nga blegtori bën që kontrolli të jetë zero. Por, Shahini dhe sipërmarrësit e të tjera të fushës së turizmit i besojnë produktit fal vlerave që ai ka nga kullotat e pasura të zonës dhe kujdesit të vetë blegtorëve.
“Mishi është i pastër, pasi kullotat dhe livadhet e Skraparit që janë një dhuratë e natyrës, krijojnë kushte për kullotje natyrore, por dhe vetë blegtorët kujdesen, pasi kanë lidhur jetën me këtë aktivitet”, insiston Shahini.
Me blegtori merren rreth 80% e banorëve të tetë njësive administrative në Skrapar, të cilët sot e shohin si sfidë krijimin e një marke të mishit dhe produkteve të qumështit. Për blegtorët e këtyre anëve blegtoria është stil jetese. Shumica e kanë atë të trashëguar dhe synojnë që ta çojnë përpara, duke zhvilluar bizneset e tyre të vogla familjare, por ata thonë se shteti si rregullator nuk ekziston.
Skrapari, sipas autoriteteve ka të regjistruar plot 2820 blegtor, të cilët punojnë familjarisht në stane, shesin mishin, prodhojnë produktet e qumështit dhe i nxjerrin në treg.
Ilir Hoxha, është një blegtor në fshatin Ambull të Njësisë Administrative Çepan. Prej vitesh ai ka investuar me të gjithë familjen për të rritur bagëti, ndërsa të ardhurat i ka nga shitja e mishit dhe produktet e qumështit.
Hoxha shprehet se mungesa e thertoreve dhe veterinerëve ua ka vështirësuar edhe më shumë biznesin.
“Puna është vështirësuar, pasi të gjitha pikat e therjes janë mbyllur dhe ligjërisht duhet të shkojnë deri në Berat për të therur”, thotë Hoxha për BIRN.













