Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, pasi deklaroi ditën e sotme se ka debolesë për Serbinë, dhe kur të dalë në pension mund të transferohet në Serbi, ka dhënë dhe jë paralajmërim për opozitën shqiptare për 30 qershorin.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Palmer, është shprehur qartas pro zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai deklaroi se është një situatë më pak se ideale që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet në vetvete nuk janë të vlefshme.
Ai iu bëri thirrje palëve por kryesisht opozitës për të mos ketë dhunë pasi nëse ka dhunë, se ata do të jenë personat përgjegjës për të. “ Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Palmer.
Zëri i Amerikës: Zoti Palmer faleminderit për mundësinë për këtë intervistë. Le të fillojmë me lajmin e fundit. Presidenti Meta shpalli datën e re të zgjedhjeve vendore, 13 tetorin.
Kryeministri Rama këmbëngul për 30 qershorin. Cili është qëndrimi i Departamentit të Shtetit, a duhet të shtyhen zgjedhjet?
Mathew Palmer: Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit.
Zëri i Amerikës: Çfarë legjitimiteti do të kenë këto zgjedhje ndërsa në gjysmën e bashkive do të ketë vetëm një kandidat dhe votuesit nuk do të kenë alternativë për të zgjedhur?
Mathew Palmer: Është një situatë më pak se ideale, që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet në vetvete nuk janë të vlefshme. Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë. Njerëzit që duan të marrin pjesë, që duan të votojnë, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë. Të zgjedhurit, duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin. Ne do të kemi njerëzit tanë në terren, në kuadër të misionit vëzhgues të ODIHR-it, por edhe në mënyrë të pavarur, me ekipe vëzhguesish të ambasadës, për të parë se si do të duken gjerat. Ne shpresojmë që më 30 qershor gjithçka të jetë sa më qetë e në mënyrë paqësore.
Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar nga mundësia e dhunës më 30 qershor?
Mathew Palmer: Absolutisht. Dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre, që të mos ketë dhunë më 30 qershor, që askush të mos pengojë të drejtën e atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Protestat paqësore janë pjesë e qeverisjes demokratike. Kjo është shumë normale. Ne e pamë më 21 qershor se opozita është plotësisht e aftë të paraqesë argumentat e veta në mënyrë paqësore, në një mënyrë që përputhet me praktikat demokratike. Ne duam të shohim që edhe në 30 qershor ngjarjet të zhvillohen pa dhunë. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë këtë të qartë përkrahësve të tyre.
Zëri i Amerikës: Më parë ju keni thënë se udhëheqësit e opozitës duhet të mbajnë përgjegjësi nëse ka dhunë, se ata do të jenë personat përgjegjës për të. Ka patur njoftime në shtyp për udhëheqësit e dy partive kryesore të opozitës PD dhe LSI-së, se nëse ka përpjekje me dhunë për të bllokuar zgjedhjet e së djelës, partitë e tyre do të rrezikonin të futeshin në listën e Shteteve të Bashkuara të organizatave që janë objekt sanksionesh nga Uashingtoni. A ekziston një rrezik i tillë për to?
Mathew Palmer: Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Por, po, absolutisht është përgjegjësia e udhëheqësve të opozitës që në këto rrethana, t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre, se dhuna është një mjet i papranueshëm. Po ashtu duam të dëgjojmë të njejtën gjë nga qeveria. Është një gjë që e kemi theksuar vazhdimisht. Kushdo në Shqipëri duhet ta dëgjojë qartë, nga udhëheqësit e tyre, nga ata të cilët i mbështesin dhe presin udhëzime, ta dëgjojnë nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Është diçka që unë e kam theksuar disa herë dhe po e përsëris, dhuna është e papranueshme.